Rrëfimin e Sulës, ish-vullnetarin e luftës së Kosovës, i cili rikthehet në Shqipëri për ta vazhduar karrierën si polic, është publiku në Gjermani ai që do ta shohë i pari. “Nji prej nesh”, me Alban Ukajn në rol kryesor, do të jepet premierë botërore në edicionin e 32-të të Festivalit të Filmit në Cottbus. “Në radhë të parë pres që filmi të komunikojë me publikun. Jam kurioz për reagimin ndaj temës që ‘Nji prej nesh’ trajton”, ka thënë për KOHËN regjisori dhe skenaristi i këtij filmi, Ergys Meta
Gjermania është stacioni i parë i “Nji prej nesh”, filmi me të cilin regjisori Ergys Meta debuton në metrazh të gjatë. Bashkëprodhimi midis Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut do të jepet premierë botërore në Festivalin e Filmit në Cottbus. Është një rrëfim që shtjellohet nëpërmjet historisë së Sulës, “një ish-vullnetar i luftës së Kosovës, i rikthyer në Shqipëri për ta vazhduar një karrierë policore në një Tiranë kaotike dhe të korruptuar”. Atë e portretizon aktori i njohur Alban Ukaj.
Lajmi për premierën është bërë i ditur nga faqja zyrtare e “Nji prej nesh” në Facebook.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se ‘Nji prej nesh’ do ta ketë premierën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit Cottbus. Në të njëjtën kohë, ‘Nji prej Nesh’ përfshihet në kategorinë ‘Spectrum’ të Festivalit Të Filmit në Cottbus”, ka shkruar ekipi.
Në “Spectrum”, ku do të garojë edhe filmi “Nji prej nesh”, gjenden filmat e regjisorëve të rinj, të cilët vinë si bashkëprodhime ndërkombëtare. Filmat e kësaj kategorie ofrojnë gjithashtu një vështrim mbi tendencat e së ardhmes. Këtë vit, në këtë kategori garojnë gjithsej 18 filma të regjisorëve të vendeve të ndryshme të botës.
Regjisorit i filmit, Ergys Meta, ka thënë se ndihet i privilegjuar që filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë do ta bëjë premierën në Festivalin e Cottbusit.
“Duke qenë se Festivali i Cottbusit është një ndër festivalet më të rëndësishme të Evropës Lindore, sigurisht që ndihem i privilegjuar për të prezantuar atje, për herë të parë, ‘Nji prej nesh’”, ka thënë Meta, i cili është edhe skenarist i filmit.
Megjithatë ajo që e preokupon më së shumti regjisorin Meta është mënyra se si do ta presë publiku filmin.
“Në radhë të parë pres që filmi të komunikojë me publikun. Jam kurioz për reagimin ndaj temës që ‘Nji prej nesh’ trajton. Pse jo dhe të vlerësohet. Do ishte një fillesë e mirë për shfaqjet në vazhdim dhe në festivalet e tjera”, ka thënë ai për KOHËN.
Te “Nji prej nesh”, Sulës i përkeqësohet gjendja kur kthehet në Tiranë, deri në marrjen e një vendimi, pasojat e të cilit mund të jenë shumë tronditëse.
“Alban Ukaj interpreton Sulën, i cili vuan nga çrregullimi i stresit postraumatik. I bllokuar nga shoqëria për ta bërë gjënë e duhur, sipas parimeve të tij në profesionin që ka zgjedhur të bëjë, e shpie në përkeqësimin e gjendjes së tij psikike. Është një rol shumë intensiv, i interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga aktori dhe miku im, Alban Ukaj”, ka thënë Meta, pa zbuluar shumë nga rrëfimi. Në sinopsisin e filmit shkruhet se kur ky veteran pranohet në Akademinë e Policisë, aty tregon shumë përkushtim, tek diplomon me gradën e inspektorit.
“Ai vuan nga pagjumësia. Në kontakt me botën e krimit të Tiranës, gjendja e tij përkeqësohet. Refuzimi i një vajze që ai përpiqet për të gjykuar, pagjumësi, dhimbje koke dhe probleme të tjera shëndetësore. Sula kthehet në dhunë: ai organizon një akt kriminal që implikon funksionarë të korruptuar, duke e bërë atë krim të përkryer. Sula aplikon për një gradë më të lartë, ndërsa punon për ta zgjidhur krimin e tij”, shkruhet në sinopsisin në uebfaqen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila këtë projekt filmik e ka përkrahur qysh më 2017.
Pos Alban Ukajt, kasta e aktorëve përbëhet edhe nga aktorë të tjerë të njohur, si Kasem Hoxha, Alfred Trebicka, Enkel Gurakuqi, Enisa Hysa, Romir Zalla, Alessia Xhemalaj e të tjerë. Projekti filmik është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut.
Festivali me traditë që prej vitit 1991, në Cottbus në veri të Gjermanisë, fokusohet kryesisht në filmat e Evropës Lindore.
Themelimi i tij lidhet me periudhën pas ribashkimit të Gjermanisë. Të frikësuar se me ribashkimin e Gjermanisë filmat e Evropës Lindore do të zhdukeshin nga ekranet gjermane, entuziastët e filmit dhe anëtarët e lëvizjeve të klubit të filmit në Cottbus dhe Berlin themeluan këtë Festival.
Në vitin 2007, revista e njohur “Variety” kishte thënë se Festivali i Filmit Cottbus është “ngjarje globale që duhet të frekuentohet” dhe se ai është njëri prej “50 festivaleve të filmit që nuk duhet humbur". Në vitin 2008, ministri i Jashtëm Federal, Frank-Walter Steinmeier, krahas Berlinales e certifikoi Cottbusin si festivalin më të rëndësishëm të filmit në Gjermani.
President nderi i Festivalit është regjisori hungarez dhe fituesi i çmimit “Oscar”, István Szabó.