Arkitektja Tima Kamberi ka projektuar selinë e re të kompanisë së njohur të artikujve sportivë «Scott» në Zvicrën perëndimore. Për këtë objekt futurist ajo tani është nderuar me njërin prej çmimeve më të njohura për arkitekturë në Zvicër. Por kjo s'është e tëra: tani projekti i saj është nominuar edhe për «German Design Award 2021», çmimin gjerman të dizajnit.
1. Në ndërtesë që tërheq vëmendjen
Thënë thjeshtë: arkitektura e bukur duhet të plotësojë dy kushte. Të përshtatet në ambient dhe me ambientin ku ndërtohet dhe njëkohësisht të shquhet me identitet. Një ndërtesë është përherë rezultat i një vizioni e përfytyrimi. Nëse shuma e elementeve të një projekti arkitektonik arrin të bëhet ide e përgjithshme arkitektonike, atëherë projekti ka gjasa të përmbyllet me sukses, në mënyrë kreative dhe me zgjidhje befasuese. Rruga tjetër është që arkitektja apo arkitekti, projektuesi apo projektuesja t'i nënshtrohet «diktatit të modernizmit», që rrallëherë mund të riprodhojë arkitekturë të bukur dhe të përshtatshme. Një godinë nuk ndërtohet për një kohë të caktuar. Ajo, në rastin më të mirë, duhet të jetë e gjithëkohshme. Me gjithëkohësinë e saj ajo përfshin teknologjitë dhe normat e reja si dhe trajton temat e së ardhmes. Poeti, filozofi dhe eseisti francez, Paul Valéry (1871-1945), bën dallimin mes ndërtimeve «të heshtura», «gojëkyçura», të cilat injorohen nga publiku dhe ndërtimeve që «flasin» dhe «këndojnë» - këto ndërtime meritojnë vëmendje dhe tërheqin vëmendjen.
Tima Kamberi - Foto: Werner Tschan
2. Një varg çmimesh dhe mirënjohjesh
Një ndërtesë që «flet» dhe «këndon» ose - thënë më saktë - një ndërtesë që përqafon diellin, është selia e re e kompanisë së njohur të artikujve sportivë «Scott» në Givisiez të kantonit të Fribourgut në Zvicrën perëndimore. Ndërtesa është projektuar nga arkitektja me origjinë nga Kosova, Tima Kamberi, e cila pastaj ka qenë përgjegjëse edhe për realizimin e përpiktë të tërë projektit, që ka kushtuar 60 milionë franga. Pas një pune katërvjeçare, objekti ka hapur dyert para një viti - dhe që nga atëherë ka qenë temë e pashmangshme e debateve të kritikëve të arkitekturës, sidomos në revistën prestigjioze zvicerane për ndërtimtari dhe arkitekturë «Hochparterre», e cila i ka kushtuar disa tekste me tone lavdëruese. Për këtë objekt futurist arkitektja Tima Kamberi, e cila punon për kompaninë e arkitekturës Itten+Brechbühl AG, tani ka fituar njërin prej çmimeve më të njohura për arkitekturë në Zvicër: «Prix Bilan de l'immobilier» për ndërtesën më të bukur të biznesit. Por kjo s'është e tëra: projekti i saj sapo është nominuar edhe për «German Design Award 2021», çmimin gjerman të dizajnit. Në nominimin e jurisë lartësohet «mbrojtja dinamike nga dielli me krahët në formë trekëndëshi, të cilët karakterizojnë imazhin e fasadës dhe i japin ndërtesës një identitet unik». Më parë ndërtesa e re e «Scott» ka fituar çmime të tjera për elegancë arkitektonike: «ArcAward» gjatë projektimit, «Prix Forix» për fasadë, «Prix Lignum» për punimet prej druri.
3. Dielli, hija dhe trekëndëshi prej alumini
Në pamje të parë te godina e «Scott» shquhet veçanërisht fasada që përbëhet nga elementet trekëndëshe prej alumini, të cilat hapen apo mbyllen varësisht nga kondicionet e dritës. Me fjalë të tjera: varësisht se në çfarë pozite gjendet dielli, ndërtesa automatikisht e rregullon dritën dhe e hijeson hapësirën përkatëse, në mënyrë që në brendi të saj të krijohen kushte optimale për punë. «Për elementet trekëndëshe të fasadës jam inspiruar nga kodrat e Zvicrës. Shumica e aktiviteteve sportive në natyrë (Outdoor) zhvillohen në kodra, së paku me artikujt që shet firma Scott», thotë Kamberi. Drita e natyrshme depërton në godinë edhe nga çatia. Varësisht nga moti dhe sezoni drita e natyrshme përkrahet nga drita artificiale. Një veçori tjetër: kjo ndërtesë është e para në Europë që punon me një sistem të kontrollit dhe mbikëqyrjes së njëkohësishme të ngrohjes, ajrosjes, akustikës dhe ndriçimit. Sipas kritikëve të arkitekturës ky koncept ofron një arkitekturë të qartë dhe të pastër, kombinuar me materiale klasike si druri, betoni, xhami dhe metali. Në brendi të ndërtesës punëtorët i pret një ambient që oscilon mes botës së punës, kreativitetit dhe përjetimit të arkitekturës. Përreth atriumit, pra hapësirës qendrore të ndërtesës, gjenden kafeteria, restoranti, pjesa për prezantimin e artikujve dhe auditori. Në katet e sipërme ndodhen zyrat e hapura dhe punëtoritë për shestimin e artikujve. Në ndërtesën shtatëkatëshe mund të punojnë deri në 600 persona. Nën kulmin e selisë globale të «Scott» gjenden të gjithë sektorët (nënndarjet), mes tyre sektorët e biçikletave, artikujve sportivë dimërorë, motoçikletave dhe vrapimit. Selia shërben edhe si qendër organizative për markat e tjera të «Scott» si: Syncros, Bergamont, Bold Cycles, Avanti, Malvern Star, Dolomite, Powderhorn, Bach, Lizard dhe Outdoor Research.
4. Gucci, Swatch dhe Shigeru Ban
Itten+Brechbühl AG është themeluar më 1922, pra para gati një shekulli dhe është ndërmarrje aksionare zvicerane me 300 punëtorë dhe përfaqësi në Bern, Basel, Gjenevë, Lausanne, Lugano, St. Gallen, Zürich. Itten+Brechbühl AG ka realizuar disa nga projektet më të mëdha arkitektonike në Zvicër dhe në shtetet përreth si Airside Center në Zürich, përfshirë dhe terminalin e stacionit të trenit në aeroport bashkë me pjesën «Check-in 3», pastaj qendrën e mjekësisë intensive, emergjente dhe operative në Spitalin e Bernit, Terminalin 1 të aeroportit të Vjenës (Wien-Schwechat), Media Swiss House në Flamatt (kantoni i Fribourgut), Swiss National Supercomputing Centre në Lugano, Hotel Modern Times në Vevey-Montreux etj. Bashkë me arkitektin e njohur japonez Shigeru Ban, Itten+Brechbühl AG ka ndërtuar edhe selinë e markës së njohur të orëve «Swatch» në Biel afër Bernit, ndërsa Tima Kamberi ka qenë projektuese e qendrës logjistike dhe zyrave të «Luxury Goods International» të markës së njohur «Gucci» në Zvicrën italiane.
5. Në fillim ishte një shkop...
Historia e firmës «Scott» filloi më 1958. Në atë vit inxhinieri dhe skiatori amerikan Ed Scott dizajnoi një shkop nga alumini për skijim. Ky shkop zëvendësoi modelet nga bambuja dhe çeliku. Nga një shkop skijimi paleta e artikujve u zgjerua pothuaj pa fund dhe sot kush merret me aktivitete sportive, e ka të vështirë të anashkalojë «Scott-in», që prej vitesh është firmë zvicerano-jugkoreane «me rrënjë amerikane», siç kanë dëshirë ta quajnë pronarët. Një simbolikë interesante lidhur me selitë e «Scott-it»: selia e vjetër ka qenë e vendosur në një ish-fabrikë të akullit, ndërsa e reja i shmanget akullit dhe përqafon diellin si kundërpërgjigje ndaj arkitekturës monotone, që s'mungon askund.
6. Intuita dhe kreativiteti përbri racionalitetit
A ekziston arkitektura e bukur? Tilla Theus, dama e madhe e arkitekturës zvicerane, kështu e ka përkufizuar bukurinë arkitektonike në një intervistë për një gazetë të Zürichut: «Bukuria nuk mund të definohet njëherë e përgjithmonë, ajo duhet të përcaktohet sipas situatës. Sipas pikëpamjes sime, bukuria arrihet kur ndërtesa i përshtatet ambientit, kur materiali dhe proporcionet kompozohen në mënyrë kreative, kur brenda dhe jashtë përjetohet një atmosferë dhe kur përdoruesit ndihen mirë. Arkitektura nuk është diçka që duhet të kërkojë të pëlqehet, ajo duhet të sfidojë dhe të kërkojë që njerëzit të adaptohen me të. Cilësia vërehet me kalimin e kohës. Arkitektura është dashuri në shikim të dytë dhe realizohet kur lejohet të menduarit kreativ dhe kur gjen shprehje intuita përbri racionalitetit». Ky është, pa dyshim, definicioni më i përshtatshëm edhe për selinë e re të kompanisë së artikujve sportivë «Scott» të projektuar nga arkitektja Tima Kamberi.
