Është duke u përgatitur botimi i dytë dhe përkthimi në anglisht i librit të Rade Radovanoviqit “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes - krejt çfarë keni dashur të MOS dini për luftën në Kosovë” (Most Art Jugoslavia, Zemun 2021)
Libri u botua vitin e kaluar në Kroaci (KruZak izdavaštvo, Zagreb, bashkëbotuar me Këshillin Kombëtar Serb) dhe në Kosovë në gjuhën shqipe (Koha, Prishtinë, përkthyer nga Flaka Surroi). Fakti se pesë shtëpi botuese në Serbi refuzuan ta botonin këtë libër, vetëm sa kontribuoi në interesimin për botime të reja dhe promovime në rajon. Për librin janë të interesuar botues nga Mali i Zi dhe Sllovenia, ndërsa autori po bën turne nëpër qytetet e ish-Jugosllavisë me promovime.
Kur fola në promovimin e librit “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, në Novi Sad, m’u kujtuan perceptimi im për ngjarjet nga libri, por edhe autoriteti që paraqiste Rade Radovanoviqi për ne gazetarët më të rinj të asaj kohe. Nisja e ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë më gjeti në kufirin Bjellorusi-Ukrainë. Isha student dhe kthehesha nga Shën Petersburgu. Polici kufitar, me ta vulosur pasaportën time jugosllave, me cinizëm vetëm më tha që të shpejtoja në shtëpi, sepse posa kishte nisur Lufta e Tretë Botërore te ne.
Atëherë dhe shumë vjet më pas, Serbia, për shkak të Kosovës dhe Millosheviqit, ishte në fokusin e interesit të mediumeve botërore, kurse ne që i iknim luftës, nuk kishim telefona të mençur apo tabletë. Burimi më i shpejtë, më i lirë dhe më i qasshëm i informimit ishte – radioja. Kjo është arsyeja pse shprehja e famshme e Rade Radovanoviqit “Gjitha të mirat, kudo që jeni” kishte aq shumë kuptim për ne. Ajo na lidhte, e ndërpriste psikologjikisht fillin e vrullit të tensionuar të lajmeve dhe na bënte që të mos ndiheshim të vetmuar në ato orë të vona para gjumit, kudo që ishim.
Me kënaqësi i dëgjoja transmetimet e kolegut tim Radovanoviq edhe më vonë, kur iu bëra konkurrent, si korrespondent i Seksionit ukrainas të BBC-së nga Ballkani Perëndimor, sepse ishte një nga programet më të pasura dhe më të mira të huaja në gjuhët sllavëve të jugut.
Njëzet vjet më vonë, nga një bisedë telefonike me kolegun tim Radovanoviq, mësova se rrëfimi i tij për këto ngjarje ishte pjekur aq sa për t’u vendosur mes kopertinash. Pasi e lexova pjesën e parë të dorëshkrimit, Radës i thashë shkurt se po i prisja kapitujt e rinj me shumë padurim.
Libri i Rade Radovanoviqit është një roman hibrid, një lloj ndërthurjeje mes raportimit dhe rikonstruktimit të ngjarjeve të luftës që lidhen me ndërhyrjen e NATO-s, kombinuar me rrëfimin personal të autorit, jeta private dhe profesionale e të cilit, gjatë luftës në Kosovë, është vija kryesore e rrëfimit.
Gazetari dhe shefi i Byrosë së Radios Evropa e Lirë (REL) në Beograd e gjen vetën nën presion nga rreziku i bombardimeve, nga kërcënimi i “gjuetisë së shtrigave”, që bënin autoritetet serbe, por edhe i privuar nga mbështetja profesionale nga shefat plot kotësi e zili, çfarë shpesh gjenden në strukturat e korporatave të mëdha mediale. Është shumë e vlefshme dhe shpëtimtare të vihet shpejt tek informatat e besueshme në shërbimet shumëgjuhëshe, siç janë REL, BBC apo DW, porse janë njerëzit e vegjël ata që sjellin pedalet brenda kutive të radios, shpesh nën trysninë e sterilitetit të hierarkisë dhe ambicieve të eprorëve, të cilën e kam përjetuar edhe vetë pasi punova thuajse njëzet vjet për shërbimin publik britanik BBC në gjuhën ukrainase. E me të gjitha këto mbi kokë, si ia bën të aktrosh para familjes se jeta është e bukur, derisa dëgjohen sirenat dhe shpërthimet e bombave?
“Qeshja nën trekëmbëshin e varjes" është një imazh i kompozuar brehtian, ku në njërën anë është defekti i botës perëndimore për t’i zgjidhur krizat me kohë, përgjithmonë dhe pa sakrifica e trauma të mëdha dhe nga ana tjetër është Serbia, e cila në fund të shekullit XX bën fushata mesjetare të luftës. Udhëheqësi, siç e quan autori Sllobodan Millosheviqin në roman, mund të mos ketë arritur të shkaktojë një luftë të madhe botërore me Kosovën, siç mbase do ta bëjë Putini tash, dy dekada më vonë, porse ai ia doli që Serbinë ta fuste në armiqësi afatgjata me ato shtete me të cilat gjatë Luftës së Ftohtë kishte bërë aleancë, edhe pse jozyrtarisht. Kjo ishte ikje nga antifashizmi evropian, për momentet personale të të cilit shkruan Radovanoviq, dhe kalim në një serbizëm tepër shkatërrimtar.
Një rindërtim i detajuar në formë reportazhi të krimeve në Kosovë, për të cilat shumica në Serbi di shumë pak ose në ndërdije nuk do që t’i dëgjojë, me të drejtë thekson këtë temë në nëntitullin e librit. Aparteidi serb në Kosovë logjikisht përfundoi me shfrenimin e kriminelëve dhe të vrasësve nën komandën e shtetit. Romani vizuelizon në detaje krimet në Drenicë, Rahovec, Arbi të Epërme, Pejë, Reçak, Gjakovë, Suharekë. Edhe pse në anën e të shtypurve, as metoda e luftës së UÇK-së nuk kaloi pa krime, të cilat tash do të duhej t’i dëshmonte Gjykata Speciale në Hagë.
Gjithashtu, mashtrimi i opinionit botëror se NATO-ja është një kirurge që i pret pa dhimbje problemet politike dhe drejton luftë të mençur dhe pa viktima është në vetvete absurd dhe mbulim i krimeve. Radovanoviqi këtu nuk e kursen as palën serbe dhe as atë të NATO-s, duke i ravijëzuar dy profile psikologjike të udhëheqësit të moçëm, Millosheviq, por edhe të riut, atij që aktualisht e udhëheq Serbinë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë bombardimeve luajti një rol të rëndësishëm në regjimin autoritar, si ministër i Informimit. Bisedat mes Radovanoviqit dhe Vuçiqit janë thjesht dramaturgji dhe një linjë e veçantë në libër, me detaje komike të radikalëve dhe me një kthesë përfundimtare, tipike për oportunistët vendas.
Loja gjeopolitike të bixhozçiut, në të cilën bast vihen me mijëra fate njerëzish, ilustruar në ballinë nga Dushan Petriçiqi, përcillet prej aktorit kryesor të romanit nga Beogradi dhe nga Praga, qendra e shërbimit REL-it. Do t’i veçoja dy imazhe të vockla që nga fillimi nuk duket të kenë lidhje me linjën e rrëfimit. I pari është xhirimi për televizionin çek i një bisede me ambasadorin e RF të Jugosllavisë, ku në mënyrë komike, në të gjithë rrjedhën, futet një serb, rojë sigurimi, si simbol i shtetit të thellë vazhdimisht të dhunshëm dhe të kudondodhur. Kurse imazhi i dytë lidhet për bisedën në programin e Radovanoviqit me profesoreshën e historisë në gjimnazin e Nishit dhe nënkryetaren e Shoqatës për Histori Bashkëkohore, ku tema ishte se kush janë heronjtë serbë. Ky është, në fakt, kulmi i librit. Një matricë e përhapur e elitës nacionaliste që nuk i çmon ata që e sakrifikojnë veten për popullin, por i çmojnë heronjtë të cilëve u pikon gjaku nga bërrylat. Prandaj autori në fund i pafuqishëm dëgjon vetëm jehonën e qeshjes nën trekëmbëshin e varjes që vazhdon të jehojë…
Lufta totale në Ukrainë hedh dritë të re mbi librin “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes” dhe e bën atë edhe më aktual. I rëndësishëm është roli i Viktor Çernomirdinit, i cili del përballë Millosheviqit në rolin e negociatorit si nga ana e Rusisë, por edhe joformalisht nga ana e SHBA-së. Libri i Radovanoviqit është gjithashtu “gjithçka që nuk donim të dinim për rolin e Rusisë në luftën në Kosovë”, të cilën më vonë e pamë si justifikimi të Putinit për aneksimin e Krimesë dhe të Donbasit. Jam i sigurt se nacionalistët serbë presin një zgjidhje për Kosovën, ashtu siç Putini po e zgjidh çështjen e statusit të ardhshëm të Donbasit me tanke.
Imazhet dhe fatet mbresëlënëse në libër përshkruajnë kthesa të papritura dhe ngjarje tragjike në Prishtinë me familjen shqiptare të artistëve Petrovci dhe familjen serbe të gazetares dhe inxhinierit Çeliq, kujdesi i të cilëve për njëri-tjetrin shndërrohet në shpresën për njeriun dhe për pajtimin në Ballkan.
Libri është shkruar me qartësi gazetareske dhe është lehtë i përthyeshëm në gjuhë të tjera. Ai është e pasur me dramaturgji dhe lehtë mund të parafytyrohet si skenar për film. Një film që gjithashtu do të ishte eksperimental për nga zhanri, me lirinë e zgjedhjes së imazheve të Rades dhe krijimin e një vepre krejtësisht të re. Një gjë është e sigurt, nëse dikur do të bëhet një vepër e tillë, sikurse “Aida” e Zhbaniqit, (“Quo Vadis Aida?”, nën regji të Jasmila Zhbaniqit v.j.) me siguri se nuk do ta shikojmë aty ku kemi të drejtë të dimë gjithçka. Sepse tani nuk është koha, në mes të kërcënimit të luftës bërthamore, që të zgjohet Serbia e lobotomizuar dhe të ngrejë çështjen e përgjegjësisë së saj për humbjen e Kosovës. Pas të gjithash, ajo e prish imazhin ideal, tashmë të krijuar, për shkatërrimin e Ukrainës nga NATO-ja. Deri atëherë, siç thotë me qetësi autori, të gjitha të mirat – kudo që të jeni.
Marrë nga “Autonomia”. Përktheu: Flaka Surroi