Kulturë

Nga ritualet pagane te kultura e flisë

Në kohën kur trashëgimia kulturore e Kosovës ishte nën përgjegjësinë e Beogradit, në listën e monumenteve të mbrojtura përfshiheshin kryesisht kisha dhe manastire ortodokse, përfshirë edhe të tilla që ishin ndërtuar gjatë shekullit njëzet.

Praktikat rituale e shpirtërore vazhdojnë të mbijetojnë edhe sot, e një prej tyre është edhe Mesvera që shënohet duke u ngjitur në maja malesh për të parë lindjen e diellit. Ndërkohë kultura shpirtërore shqiptare po krijon edhe markën e saj më të veçantë të kulinarisë siç është flija, shkruan sot Koha Ditore. 

Këto diskutime ishin boshti i tryezës së mbajtur të premten, në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë, në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

E titulluar si “Trashëgimia kulturore e Kosovës: Politikat dhe poetikat e ‘trashëgimizimit’”, prezantuesit kanë paraqitur një pjesë të hulumtimeve të tyre kryesisht nga terreni.

Florina Jerliu, profesoreshë në Departamentin e Arkitekturës, ka thënë se trashëgimia kulturore e një vendi është jashtëzakonisht e rëndësishme në prezantimin ndërkombëtar.

Sipas saj, “trashëgimia kulturore prej kohësh ka qenë referenca udhëheqëse në takimet ndërkombëtare për çështjen e Kosovës”.

“Edhe sot trashëgimia kulturore e Kosovës vazhdon të jetë peng i diskutimeve politike, ku mund të përmendim Planin e Ahtisaarit dhe provizionet që lidhen me të”, ka thënë ajo.

Në vazhdim Jerliu ka paraqitur sfondin e njohjes së trashëgimisë kulturore në Kosovës gjatë periudhës jugosllave.