Kulturë

“Newborni” i fotografit francez

Shumë fotografi të shkrepura gjatë ditë së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të 2008-s, shërbejnë si dëshmi të një momenti historik. Janë dokumentim i gëzimit, përkushtimit dhe krenarisë së një populli pas një periudhe të gjatë të sfidave dhe përpjekjeve. Përtej aktit formal të shpalljes së Pavarësisë, në to shihen dhe reagimet spontane të njerëzve në rrugë, në sheshet publike, aty ku në mes të kaosit euforik kur analizohen më pas kanë kapacitetin e zbërthimit nga shumë prizma shkencorë e socialë. Fotografi të tilla në Kosovë ka shkrepur edhe francezi Bruno Serralongue. Ishte bërë dëshmitar i festimeve të përvjetorit të parë të Pavarësisë së Kosovës në vitin 2009, dhe qysh atëherë do të kthehej në intervale të ndryshme kohore për të shkrepur fotoaparatin për një cikël fotografik për Kosovën.

Bruno Serralongue mbërriti në Prishtinë i bazuar kryekëput në informacionet që kishte nga mbulimi që i bënin mediat ndërkombëtare Kosovës. Lufta, mizoritë e saj ishin imazhet më të shpeshta që portretizoheshin nga mediat perëndimore. Megjithatë, shpresa ka qenë gjithmonë diku në horizontin e këtij vendi me mbështetje të madhe të Perëndimit, e si e tillë dhe indice e mirë për një artist që ta vizitojë Kosovën.

“Isha i intriguar, sepse NATO-ja dhe Franca ishin kaq të etura për ta ndihmuar Kosovën të siguronte pavarësinë e saj, kur Franca gjithmonë kishte luftuar aspiratat për pavarësi të vendeve që kishte kolonizuar. Më interesonte historia bashkëkohore. Dhe pyesja veten nëse Kosova ishte një ‘kukull’ në duart e NATO-s, duke u mundësuar vendeve anëtare të NATO-s të ushtronin fuqinë e tyre mbi këtë pjesë të Evropës, e cila ishte një zonë ku këto vende nuk kishin asnjë mbështetje”, ka treguar ai.

Ka shpjeguar se arsyeja e parë që ia mësyu Kosovës ishte paksa abstrakte.

“Po përpiqesha të kuptoja se si dhe pse NATO-ja dhe BE-ja punonin së bashku. Por sigurisht, zbulova diçka që nuk e kisha parashikuar, ose ndoshta e kisha parashikuar: njerëzit, peizazhet, qytetet, arkitekturën, fshatin... realitetin pas koncepteve, dhe ishte shumë më interesante se abstrakti im si qasje e parë”, ka treguar Serralonge.

Si artist dhe fotograf në veprimtarinë e tij fokusohet kryesisht në ngjarjet mediatike. Ato përbëjnë bazën e punës së tij fotografike. Ai nuk punon për shtypin dhe nuk është fotoreporter, si artist ai ekspozon fotografitë e tija në muze dhe galeri. Përpjekje kryesore në veprimtarinë e tij si fotograf është kapja e momenteve kyç në historinë bashkëkohore.

“Unë kap momente që ndryshojnë mënyrën se si mendojmë, dhe ndonjëherë edhe mënyrën se si jetojmë. Dhe Pavarësia e Kosovës është pa dyshim një prej tyre. Krijimi i një shteti të ri është një ngjarje më vete. Është një ngjarje e rrallë. Kjo është ajo që më ka interesuar, edhe pse nuk kam njohuri të veçanta për historinë dhe kulturën e Kosovës” ka shtuar Serralongue.

Udhëtimi fotografik i Bruno Serralongue në Kosovë kishte filluar si një vals delikat midis vëzhguesit dhe të vëzhguarit, fotografia e tij shfaqet si një fuqi e heshtur e cila dokumenton një qasje filozofike të artistit, përtej rolit historik. Ai në fotografitë e tij vë në pah raportin e së kaluarës me të tashmen dhe idenë se kjo e fundit nuk ekziston në mënyrë të pavarur nga e tashmja.

Cikli i fotografive i titulluar “Newborn” nga Serralongue ishte ekspozuar në Kosovë në korrik të vitit 2022 në kuadër të programit të galerisë “Lambdalambdalambda”. Ky cikël përbëhej nga 17 fotografi të cilat paraqesin një narracion të ndërtuar nga Serralongue. Ai përmes kapjes së momenteve festive të përvjetorit të parë të Pavarësisë së Kosovës, apo një kantieri ndërtimesh, mëton të jetësojë energjinë e një shteti, atë të fshehurën e cila rrallëherë interpretohet.

“Pa ju referuar domosdoshmërisht historisë së fotografisë, metodologjia ime e punës në Kosovë ishte disi e ngjashme me atë që njihet si ‘fotografia e rrugës’. Ashtu si shumë fotografë të famshëm të rrugës, unë nuk kërkoja spektakolaren, por doja më tepër të zhytesha në jetën e përditshme, të zbuloja dhe të isha kureshtar. Ecja shumë, duke u përpjekur të gjeja kohë për të kuptuar atë që po shihja. Kishte shenja të dukshme gëzimi dhe krenarie te njerëzit që takoja, emocione, por edhe ankth dhe pritshmëri të dukshme. Kjo është ajo që më goditi herët e para që erdha, një emocion i përzier me njëfarë zbrazëtie”, ka thënë Serralongue për KOHËN.

Fotografitë e Serralongues janë në një trajektore lëvizëse mes estetikës së fotografisë artistike dhe fotoreportimit, dhe elementi që nuk duket, mes tyre bëhet një protagonist enigmatik i imazhit. Fotografitë e tij ftojnë të qëndrosh pas imazhit duke e analizuar atë. Njëjtë ndodh dhe me fotografinë “1998-1999, Musée du Kosovo, Pristina, septembre 2009”. Aty artisti në kuadrin fotografik fut një imazh të ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës që paraqet një turmë njerëzish pranë trenit si pasqyrim i eksodit kosovar gjatë luftës së fundit. Kjo fotografi reflekton qartazi interesin që ka artisti karshi epistemologjisë së fotografisë së shtypit dhe kodet që ajo përçon. Përmes këndvështrimit nga i cili ai e realizon këtë fotografi ai e vë në pikëpyetje distancimin me një të kaluar të hidhur.

“Kosova, ansambli 1 (2009)” është një tjetër fotografi e cila paraqet festimet e përvjetorit të parë me qendër monumentin MEWBORN, aty vërehet pamja origjinale e obeliskut dhe grafitet të cilat e mbulojnë sipërfaqen bojë verdhë. Atmosfera e qendrës së qytetit duket e gjallë por me ngjyrime melankolie në të njëjtën kohë. Teksa fishekzjarrët në qiell qëndrojnë si metaforë.

Serralongue për procesin e shkrepjes së kësaj fotografie ka thënë se është bazuar në idenë se këtë obelisk e sheh si një manifestim të prosperitetit.

“’NEWBORN është një mesazh shumë i fortë. Por unë mendoj se ka të bëjë më shumë me një rilindje. Kjo është arsyeja pse Kosova i kushton kaq shumë rëndësi trashëgimisë së saj kulturore dhe historike. Kosovarët duhet të pohojnë praninë e tyre në një afat të gjatë”, ka thënë ai. Të parën fotografi me fokus në obelisk do ta shkrepte nga prapa shkronjave.

“Doja të kapja edhe fishekzjarrët pas skulpturës. Ky detaj mund të shihet si i parëndësishëm, ose si një shenjë e cila nxit pyetje. Të lindësh është vetëm hapi i parë; duhet të krijoni ende shumë gjëra për të qëndruar gjallë dhe më pas, vendosni shenjën e NEWBORN-it në pozicionin e duhur”, ka thënë Serralongue

Për 10-vjetorin e Pavarësisë, nëntë vjet më vonë, ai fotografon sërish monumentin. Këtë herë e shohim NEWBORN-in në dritën e ditës të shkrepur matanë rrugës. Atmosfera duket më e normalizuar në kontrast me fishekzjarrët në qiellin e natës, dhe aty paraqitet një lloj heshtjeje e cila duket se ka ndryshuar vetëm frekuencën, ende lëngonte peripecitë e qytetarëve të Kosovës.

Këtë cikël fotografik ai e sheh si një projekt i cili pasqyron dhe disponimin e një shoqërie në raport me zhvillime të rëndësishme historike dhe politike, dhe dikotominë kohore. “Në rastin e Kosovës, do të thosha se doja të tregoja tensionet ndërmjet periudhave të ndryshme kohore. Nga njëra anë shpresa e qytetarëve të një vendi të ri, për të cilët ndryshimi dhe përmirësimi i kushteve të jetesës duhej të vinin shpejt, dhe nga ana tjetër, koha politike, e cila është më e gjatë dhe më e ngadaltë. Ajo që përcakton një vend është mënyra në të cilën ky tension balancohet dhe zhduket, ose mbetet në një nivel të pranueshëm për qytetarët e tij. Ndonjëherë nuk është më e pranueshme, dhe mund të ndodhë një kryengritje, ndonjëherë dhe një revolucion”, ka thënë Serralongue

Bruno Serralongue u lindi në 1968 në Châtellerault të Francës. Ai jeton dhe vepron në Paris dhe Gjenevë, ku jep mësim në “Haute Ecole d'Art et de Design”. Pas studimeve në “Villa Arson” në Nice dhe në “Ecole Nationale Supérieure de la Photographie” në Arles, dhe për histori arti në universitetin “Panthéon-Sorbonne” në Paris, Bruno Serralongue ka zhvilluar që nga mesi i viteve '90 një praktikë të përkushtuar fotografike të fokusuar në çështje të tilla si historia e mediumit, përdorimi dhe potenciali i tij informues.

Duke sfiduar objektivitetin e mediumit, ai vendosi si themelore përgjegjësinë e fotografit në vërtetësinë e imazheve të prodhuara. Ekspozita të mëdha të punës së tij janë organizuar nga Jeu de Paume (Paris) në 2010, Qendra Georges Pompidou në 2019

Fotografitë e tij janë blerë nga koleksione të shumta private dhe publike, duke përfshirë “Musée d'Art Moderne de la Ville de Paris”, “Tate Modern” në Londër, “Fotomuseum Winterthur”, “Musée National d'Art Moderne, Center Pompidou”, Paris e “Migros Muzeu” në Cyrih.

Serralongue në ciklin e tij fotografik të Kosovës lëviz me shkathtësi nëpër rrugët e Prishtinës, duke pasqyruar ngërçin që e karakterizonte momentin kur ai i realizonte ato fotografi. Puna e tij nuk është thjesht dokumentimi i së dukshmes, por është dhe një këndvështrim ndaj së padukshmes, cikli në tërësi shërben si dëshmi për fuqinë e fotografisë. E në këtë rast fuqia buron nga monumenti i Pavarësisë së Kosovës.