Kulturë

NEWBORN në transformim për mesazh të fuqishëm politik

Të martën vonë ka nisur transformimi i monumentit i cili sivjet bashkë me shtetin feston 15-vjetorin. Ndryshe prej disa herëve të tjera, kur mesazhi shpalosej edhe para ditëlindjes, sivjet autori Fisnik Ismaili ngulmon që ai të mos zbardhet deri në mëngjesin e 17 shkurtit. Pranon ta konfirmojë se është një “mesazh i fuqishëm politik”, pastaj shton se është “provokues”. “Por po e përmendim faktin se kur të shihet, ndoshta do të më thonë se jam antiamerikan”, thotë ai

E kaltra dhe e verdha janë binomi i ngjyrave me të cilat ka filluar transformimi i sivjetshëm i simbolit të Pavarësisë së Kosovës, monumentit NEWBORN. Ekipi të martën mbrëma ka nisur të punojë. Autori Fisnik Ismaili ka vëzhguar përreth. Kështu ndodh rëndom, derisa batutat që dalin në pah gjatë punës e “ngrohin” pak ambientin në mot të ftohtë.

Por NEWBORN si monument, mesazhet çdo vit i ka tejet të nxehta. Nëpërmjet tij Kosova i dërgon mesazhe botës. Aso që e preokupojnë shtetin më të ri të Evropës, por që njëkohësisht prekin edhe çështje a fenomene globale. Edhe sivjet ka të njëjtin synim. Do të prekë një çështje që po merr flakë si në aspektin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Por autori i veprës, që u inaugurua më 17 shkurt 2008 kur edhe u shpall Pavarësia, në ditën e parë të transformimit ka qenë i qetë.

“Edhe sivjet mesazhi do të jetë provokues. Fatkeqësisht nuk mund të tregoj se si do të jetë. Por po e përmendim faktin se kur të shihet, ndoshta do të më thonë se jam antiamerikan”, ka thënë Ismaili.

Ka përmendur se NEWBORN gjithmonë ia ka dhënë botës një porosi. “Porosia çdo herë ka qenë politike. Herë më politike, herë më provokuese, herë më e këndshme”, ka thënë ai. Është kthyer prapa në kohë duke kujtuar se për 5-vjetor të Pavarësisë ishin punuar flamujt e shteteve që kishin njohur Kosovën deri atëherë në shenjë falënderimi e duke bërë thirrje për njohje të reja. Më 2013 qe edhe ndërhyrja e parë prej inaugurimit.

“Një vit më vonë e patëm ngjyrosur me uniforma të NATO-s, pasi ishte 15-vjetori i Çlirimit”, kujton Ismaili. Asokohe ishte një shenjë falënderimi për aleancën më të madhe ushtarake në botë që çliroi Kosovën më 1999. Në shkurt të vitit 2015 i kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. Po atë vit vepra obelisku kishte marrë statusin e monumentit nga shteti. Një vit më vonë telat me gjemba dhe qielli shpërfaqën një tjetër perspektivë.

“Patëm bërë thirrje që të na largohet izolimi nëpërmjet telave me gjemba dhe qiellit. Madje atëherë më thoshin: ‘jo se do të hiqen vizat’. Dhe unë thash publikisht: ‘Nëse hiqen vizat me dorën time do t’i heq gjembat e ta lë vetëm qiellin’”, ka thënë Ismaili.

Ngjyrosja më 2017-n ia kishte dhënë pamjen e një muri dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “No Walls” (Pa mure). Sipas Ismailit, “No Walls” ka qenë mesazh shumë i fortë.

“Njëkohësisht u bë muri në Mitrovicë e edhe Donald Trump bënte fushatë me murin në kufi me Meksikën”, ka thënë ai.

Ka treguar se edhe kur e kanë promovuar fjalën e lirë, edhe kur e kanë mbrojtur ambientin, njëjtë sikurse kur monumentin ia kanë kushtuar grave të përdhunuara në konflikte e luftëra si në Kosovë, edhe në të gjithë botën, ka treguar pjesëmarrjen e Kosovës në botë.

Në 10-vjetorin e Pavarësisë më 2018, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të Pavarësisë. E një vit më pas më 2019 prapë ishte inkuadruar publiku duke bërë që ngjyrosja të ishte plotësisht në dorë të të rinjve, sipas dëshirës së tyre. Më 2020 qe homazh për viktimat e përdhunimeve kur të shtatë shkronjat e monumentit të Pavarësisë – NEWBORN – sublimonin mesazhin në formë thirrjeje “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “Never Ending Wars Bring Opression, Rape & Neglect”). Më 2021 nëpërmjet shuplakave të dorës me ngjyrë ekipi bashkë me qytetarët kishin bërë kamuflazh ushtarak.

E vjet, në 14-vjetor të Pavarësisë, obelisku kishte gruan në fokus. Iu dedikua atyre me shumë arsye.

Portretet shumëngjyrëshe që zinin shkronjat nga ana e përparme ishin gratë e suksesshme që ia zbardhin fytyrën këtij vendi. Nga prapa ishin lënë të zeza si një lloj homazhi për viktimat a thirrje kundër dhunës ndaj grave.

“Vjet ua kemi kushtuar grave që u lidhte me vajzat tona, medalistet, këngëtarët e të tjerat. Në njërën anë i bëmë me krahë gratë duke i dhënë krah njëra-tjetrës. E pastaj edhe zi se si gratë prapë janë të shtypura”, ka thënë Ismaili. Në aspektin global monumenti u bë edhe zëri i dyndjeve të refugjatëve që kanë qenë kryelajm në media botërore. NEWBORN-i ka marrë shpërblime ndërkombëtare për dizajn, duke përfshirë edhe “Luanin e artë” në Festivalin e 55-të Ndërkombëtar për Publicitet në Cannes. Agjencia “Ogilvy Kosova” ishte shpërblyer edhe me “Silver Clio” në kategorinë e dizajnit në ceremoninë e 49-të me radhë të mbajtur në Miami.

"Sivjet nuk ka asgjë ndryshe. Sivjet do të provokojmë. Herë kemi provokuar më shumë e herë më pak”, ka thënë Ismaili. Njëjtë sikurse në vitet e kaluara, Ismaili është pajisur me pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për të bërë ndërhyrjet. Dhe po ashtu njëjtë, krejt ndryshimet i financon vetë duke pranuar edhe kontribute nga miq e bashkëpunëtorë. NEWBORN pas ndërhyrjeve gjithnjë prezantohet në mediat më prestigjioze të globit. E sivjet, mesazhin do ta ketë tejet të drejtpërdrejtë. Për një temë që çdo ditë është më e nxehtë. Në natën e parë të transformimit, derisa Nita Qena e ka barrën kryesore të transformimit, Ismaili me ngulm refuzon ta zbulojë mesazhin që do ta përcjellë. “Do ta zbulojmë në mëngjesin e 17 shkurtit”, përsërit ai.

Image