Kulturë

“Në Twitter me Zotin” për një komunikim bashkëkohor rreth fesë

Prishtinë, 18 maj - Në një formë edhe Zoti mund të bëhet pjesë e formave të reja të komunikimit. Libri i klerikut katolik, holandezit, Michel Remery, “Në Twitter me Zotin” me nëntitull “#Big Bang, lutja, Bibla, seksi, kryqëzatat, mëkati, karriera…”, është dëshmi e një mundësie të re. E asaj që edhe Kisha në njëfarë forme mund të ndërrojë qasje përballë predikuesve të fesë, të paktën në formën e komunikimit.

Pyetjeve të shumta, Remery u është përgjigjur në rrjetin social Twitter. E 200 pyetje e përgjigje, ai i ka përfshirë në librin ballina e të cilit është ilustruar me një zog që duket se i ciceron kryqit. “Në Twitter me Zotin” bashkë me veprën e Gjustina Cacaj-Shushkës, “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit”, ato të Don Lush Gjergjit, “Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Terezë”, dhe “Virgjëra Mari në histori dhe në përshpirturi” e vepra e Don Anton Ukës, ”Fuqia e Besimit: Reflektim psiko-shpirtëror mbi psalmet 1-19” janë promovuar të enjten në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë.

Kleriku Gjergj Meta, ipeshkv i Rrëshenit në fjalën e tij për librin e kolegut holandez, fillimisht ka thënë se “Tweet” do të thotë të cicërosh. Sipas tij, kjo fjalë ka kuptim të dyfishtë pasi të cicërosh i bie edhe të llomotitësh. “Secila fjalë ka ambiguitet. Realiteti virtual është shumë i madh për t’u deshifruar. Ky libër është një cicërimë se si bota virtuale mund të shërbejë për të mirë ”, ka thënë ai.

Promovimi i veprave të botuara nga shtëpia botuese “Drita” ka vazhduar me prezantimin që u ka bërë librave të tjerë, Don Lush Gjergji. Sipas tij, “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit” me autore Gjustina Cacaj- Shushka vjen si studim i veprës së një kleriku e personaliteti kulturor.

Vetë autorja ka thënë se Anton Harapi është i veçantë në qasjen ndaj gruas.

Për veprën e tij, “Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Terezë”, Gjergji ka thënë se është një monografi kushtuar shenjtërimit apo kanunizimit të Shën Terezës. Në këtë vëllim ka përfshirë një paraqitje panoramike të krishterimit nga bota ilire deri tek shqiptarët.

”Fuqia e Besimit. Reflektim psiko-shpirtëror mbi psalmet 1-19” me autor Dom Anton Ukën, sipas Gjergjit vjen me analizën e 19 psalmeve nga 150 sa janë në përgjithësi (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).