Kulturë

Naim Shala – mjeshtri besnik i fotografisë bashkëkohore shqiptare

“Sot vetëm duhet ta detyrosh veten të shikosh në mënyrë fotografike ose të vëzhgosh në një mënyrë ndryshe”, kishte thënë para pak kohe fotografi tashmë i ndjerë, Naim Shala. Dhe ai kaherë e “kishte detyruar veten” të shikojë në mënyrë unike nëpërmjet artit të tij. Fotografi i shquar, të cilin kolegët e konsiderojnë si ndër të parët fotografë shqiptarë të Kosovës që ka kultivuar artin fotografik “pa e ngatërruar atë me fotografinë komerciale”, vdiq në moshën 68-vjeçare

Janë disa elemente lehtë të dallueshme që në shikim të parë të fotografisë së tij, pos mjeshtërisë dhe qasjes unike artistike: aty ngërthehet një lloj besnikërie e pakompromis në përcjellje vlerash, betejë e vazhdueshme dhe kërkim i përhershëm i perfeksionit.

Fotografi Naim Shala vdiq të martën pas një sëmundjeje të rëndë. Ai ishte 68-vjeçar. Miq e kolegë të tij të zanatit e ka çmuar si profesionist e si njeri fisnik që ka lënë pas një bagazh të madh me artin e tij.

Fotografi Fahredin Spahija ka thënë se ai konsiderohet ndër fotografët e parë shqiptarë të Kosovës, që ka kultivuar artin fotografik “pa e ngatërruar atë me fotografinë komerciale, të cilën e bënte për të fituar bukën gojës”.

“Naimi po ashtu është bashkëthemeluesi i Konkursit të parë të artit fotografik te ne, ‘Çmimi Gjon Mili’ (2001). Fotografitë abstrakte të tij në teknikën bardh e zi të mbizotëruara me vlera grafike e me kontrast të thellë, si dhe cikli i fotografive analoge i krijuar prej tij me aparatin ikonik ‘Holga’. Ka me mbetur thesar i përhershëm i asaj që quhet ‘fotografia bashkëkohore shqiptare’”, shkroi Spahija.

Fotografi e njëherësh edhe miku i tij, Burim Myftiu, e ka kujtuar Shalën si një artist veprat e të cilit do të mbeten të pavdekshme.

“Pasioni i tij për fotografi e futi në zemrën e çdo artdashësi edhe jashtë kufijve kombëtarë. Kuadrot e tij fotografike do të jetojnë deri në eternitet. Naimi, në ekspozitat e tij, përkujdesej që çdo fotografi e tij të strehohet në mendjen e çdo shikuesi. Ishte njeri që më shumë gëzohej kur jepte sesa kur merrte”, ka thënë Myftiu për KOHËN, teksa ka shtuar se fotografinë që Shala ia kishte dhuruar vetëm para pak ditësh, do ta mbajë në mur dhe në zemër.

Sipas Myftiut, Shala kishte qenë një njeri që assesi nuk i kishte duruar padrejtësitë dhe madje gjithmonë kishte dalë hapur kundrejt tyre. I pamëshirshëm kishte qenë edhe kur bëhej fjalë për fotografinë.

“Ishte një njeri i dashur dhe fotograf i shkëlqyeshëm, shembull i njeriut të ndershëm, besnik i fjalës, i rreptë në debatet rreth fotografisë, por i sinqertë, i drejtpërdrejtë, i afërt e i dashur për miqtë e tij, mbrojtës i së vërtetës. Nuk ndodhte padrejtësi për të cilën Naimi nuk e ngrinte zërin. Natyra e tij e butë dhe miqësore e bënte atë një mik të zemrës”, është shprehur Myftiu për mikun e tij tashmë të ndjerë.

Përveç si fotograf me të cilin shkëmbente përvojat e tij në fushën e fotografisë, Myftiu do ta mbajë mend Shalën edhe si njeri përplot pozitivitet.

“I edukuar në një familje të ngritur dhe atdhetare, gjë që vërehej qysh në bisedën e tij përplot fisnikëri e virtyte, e njeri i cili qëndroi optimist deri në frymën e fundit. Ashtu do ta mbaj në mend Naimin. Ai shkoi në amshim, por vepra e tij do të mbetet për gjenerata që vijnë, si shembull i një jete përplot dashuri, përkushtim dhe krijimtari kolosale fotografike”, ka thënë Myftiu.

Në shtator të këtij viti, Naim Shala ishte shpallur fitues i çmimit të parë të edicionit të 13-të të konkursit të fotografisë “Fokus Award”, i cili ishte mbajtur në Tiranë e Fier të Shqipërisë.

“Lamtumirë kampioni i ‘Fokus Award 2022’. Lamtumirë i miri shok Naim Shala. Zemra e një artisti ndali, por vepra e tij do të mbeten gjithmonë! Lamtumirë artist! ‘Mos harroni me jetue o njerëz’”, kanë shkruar nga faqja zyrtare e “Fokus Award” në Facebook.

I pikëlluar me vdekjen e mikut të tij ka qenë edhe opinionisti Asdren Rrahmani, i cili Shalës ia ka thënë epitetin “Ikonë e qytetit të Prishtinës”.

“E rëndë të zgjohesh në mëngjes me një lajm të trishtë, duke kuptuar se ke humbur edhe një mik të mirë e të dashur. Mëngjesi në Prishtinë sot gdhiu duke na lënë edhe pa një ikonë të qytetit tonë, edhe pse Naimi i tejkalon shumëfish suazat e ngushta të Prishtinës. Naim të faleminderit që me ne ndave momente aq të bukura dhe të paharrueshme e të cilat nëpërmjet fotografive të shkrepura nga ti, e të cilat do të mbesin të pavdekshme. Deri në takimin tonë të serishëm do të më mungosh shumë dhe do të të kujtoj me mall miku im i çmuar, Naim Shala”, ka shkruar ai në Facebook.

Kur u shpall laureat i “Focus Award”, Shala tok me Burim Myftiun kishin qenë të ftuar në “Express” në KTV. Në bisedë e sipër ai ishte shprehur se në fotografi aparati nuk është aq i rëndësishëm sa është syri dhe mendja e atij që e përdor atë. Meqë fotografia me të cilën ishte shpërblyer në “Fokus Award” ishte në bardhezi, Shala kishte përmendur edhe disa veçori të fotografisë në këtë teknikë dhe asaj me ngjyra, si dhe arsyet se pse në disa raste përzgjedh njërën para tjetrës.

“Janë disa fotografi, disa pamje të cilat vërtet meritojnë të punohen në bardhezi, domethënë kjo fotografi po të punohej me ngjyra aty nuk ka shumë ngjyra: në atë moment, në atë mjegull, në ata drurë të zhveshur nga gjethet, ai prind aty, nuk ka shumë elemente që të bëhet një fotografi me ngjyra. Ndërkohë një perëndim dielli nuk mund të bëhet bardhezi sepse janë ngjyrat ato që e bëjnë atë fotografi dhe e bëjnë atë pamje, madhështore”, kishte thënë Shala. Kishte qenë i prerë nëse revolucioni teknologjik e ka cenuar fotografinë. Shala mendonte krejt të kundërtën e në shkrepje e dëshmonte këtë.

“Jo, jo, në asnjë mënyrë. Secili prej nesh e ka një aparat në xhep, një telefon në xhep dhe secili ka mundësi ta bëjë një fotografi të mirë. Sot vetëm duhet ta detyrosh veten të shikosh në mënyrë fotografike ose të vëzhgosh në një mënyrë ndryshe”, kishte thënë ai.

Sipas tij, mundësia për ta bërë një fotografi të bukur sot është shumë më e madhe sesa mundësitë që ai si fotograf i kishte pasur në rininë e tij.

“Ne dikur kemi mësuar nga librat, ndërsa sot mësojmë nga gabimet. Domethënë nëse e bën një fotografi me telefon aty e kupton nëse e ke bërë mirë apo keq. Nëse e ke bërë keq e bën prapë. Ne dikur nuk e kemi pasur këtë luks, por kemi tentuar në çdo mënyrë të bëjmë diçka më mirë. Domethënë sot teknologjia e ka shtyrë shumë përpara fotografinë”, kishte thënë fotografi i shquar, teksa i kishte inkurajuar të rinjtë që të merren me fotografinë, duke thënë se fotografia është një zhanër shumë i bukur dhe një fraksion i jetës, i cili mbetet i “bllokuar” në telefonin tonë.

Naim Shala u lind më 1954 ne Pejë, në një familje intelektuale. Shkollën fillore dhe gjimnazin i përfundoi në Prishtinë dhe diplomoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës. Sipas jetëshkrimit, fryma e tij artistike e shpiu në profesionin e fotografit, fillimisht për të siguruar ekzistencën, por me kohë puna e tij e vazhdueshme rezultoi në një fotograf të spikatur artistik, i cili deri në fund të jetës u dëshmua edhe me mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare, së fundmi si fitues i çmimit “Focus Award 2022”.

“Për fotografi artistike u shqua edhe me kontributin e tij në rrafshi akademik. Por, afiniteti dhe pasioni ndaj gjuhës nuk iu shua kurrë. Ai deri në fund të jetës u mor me përkthime dhe lektorim, duke i mbetur besnik traditës së tij familjare, të nisur nga babai i tij i ndjerë prof. Demush Shala, hulumtues i gjuhës dhe folklorit të gjuhës shqipe”, shkruhet në jetëshkrim.

Naim Shala rrëfente me fotografi. Vëzhgonte dhe këtë e shndërronte në art.

“Ne fotografët jemi vëzhgues dhe kemi aftësi që ta izolojmë një detaj nga krejt ajo çka na paraqitet përpara, ta bëjmë një fotografi”, kishte thënë ai.