Besim e Haxhi Kelmendi ishin nxënës të shkollës fillore më 1999. I pari në klasë të katërt e vëllai i tij në klasë të gjashtë. Moshatarët e tyre tashmë numërojnë mbi tri dekada jetë.
Punojnë në profesione të ndryshme e disa prej tyre edhe kanë krijuar familje. Por e ëma e dy vëllezërve Kelmendi nga fshati Rakovinë i Gjakovës, Mejremja, i kujton të bijtë nëpërmjet një batanijeje të kaltër me të cilën i kishte mbuluar kur ishin të vegjël, shkruan sot “Koha Ditore”.
Fotografitë po ashtu i hyjnë në punë për t’u kthyer në kujtimet që i shoqëron me lot. Gjësendet janë eksponate të ekspozitës “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” që është hapur të hënën mbrëma në Qendrën për Dokumentim të Kosovës, që gjendet në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Ekspozita e realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, me kuratore Blerta Hoçian sjell rrëfimet për fëmijët e vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë. Qysh në hyrje janë emrat e secilit prej 1.024 të vrarëve e 109 fëmijëve të zhdukur gjatë viteve 1999 dhe 2000. Në mur përmblidhen të dhënat e datave të lindjes e të vdekjes a zhdukjes për gjithsej 1.133 fëmijë. Secili eksponat ka nga një rrëfim në vete. Krejt së bashku përbëjnë një histori kolektive të para dy dekadave.
Bekim Blakaj, që është drejtor ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se ka vite që mendojnë që të memorializojnë një pjesë të asaj çka kanë dokumentuar për krimet e luftës. Sipas tij, sigurisht që në rend të parë kanë pasur pjesën më të brishtë të shoqërisë, që janë fëmijët.
“Kemi vendosur që të bëjmë diçka që t’i mbajmë mend fëmijët me emra e mbiemra dhe fëmijërinë e tyre të ndërprerë për shkak të luftës”, ka thënë ai. FDH-ja tash e 20 vjet është në terren dhe ka intervistuar mbi 16 mijë familjarë të viktimave.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)