Kulturë

Muzika në Kosovë midis triumfit përballë kushteve dhe komercializmit

Panelet e diskutimit kanë qenë një lloj ngacmimi i ndërgjegjes e ngritje e vetëdijesimit për mënyrën e të bërit muzikë, të premten, në ditën e parë të Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Domosdoshmëria e krijimit të hapësirave për muzikantë të rinj, edukimi muzikor, por edhe muzika si diplomaci e sfidat e saj në raport me famën e me shijen e masës, kanë qenë disa prej temave që janë hapur

Tamam sikurse një vepër komplekse muzikore, vjen edhe Konferenca e Muzikës në Prishtinë, e cila ka nisur edicionin e dytë të premten në Prishtinë me seri panelesh e takimesh me artistë, pjesëtarë të industrisë së muzikës e akterë të tjerë. Domosdoshmëria e krijimit të hapësirave për muzikantë të rinj, edukimi muzikor, por edhe muzika si diplomaci e sfidat e saj në raport me famën e me shijen e masës, kanë qenë disa prej temave që janë hapur. Përgjigje konkrete për shtegdalje, e natyrshme, nuk ka, dhe ky nuk është qëllimi i “Prishtina Music Conference”.

Kapërcimi i mungesës së hapësirave

Salla e “Kino Armatës” ka qenë nikoqire e paneleve që lidhen me industrinë e muzikës sot. Njëri prej tyre edhe ai në temën “Love of the Senses – Music on Film” me Veton Nurkollarin, bashkëthemelues i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe Nita Dedën, ish-menaxhuese e programit muzikor të programit “DokuNight”, si dhe ish-drejtoreshë e këtij festivali prej vitit 2016 deri më 2020.

Image
Nita Deda dhe Veton Nurkollari në “Prishtina Music Conference”, kanë sjellë përvojën me “DokuNighs” në “DokuFest”, që u bë hapësirë e fuqishme edhe e muzikës

Veton Nurkollari, bashkëthemelues i “DokuFest”, ka thënë se “DokuNights” është program që e kujton me ëndje dhe se shumë gjëra që tashmë janë pjesë e Festivalit nuk kanë qenë më parë.

“Mendoj se neve na janë dashur 10 vjet ta profilizojmë Festivalin, ta kuptojmë se çfarë bën e çfarë jo. Në dy-tre vjetët e parë madje nuk e kemi kuruar programin vetë, sepse nuk i kemi besuar vetes. Është dashur të sjellim dikë që di më mirë. Edhe me ‘DokuNights’ kemi filluar njëjtë, kemi filluar shumë në formë modeste, në një vend”, ka thënë ai, derisa ka përmendur edhe vështirësitë në sjelljen e artistëve të huaj.

Për Nurkollarin, të bërit e një festivali të muzikës për nëntë net është më problematike se të bësh një festival filmi për dyfishin e ditëve, pasi kërkon më shumë angazhim.

Para të pranishmëve ka ndarë edhe kujtimet që i kanë shoqëruar ndër vite në përgatitjen e edicioneve të festivalit “DokuFest”.

“E patëm ftuar një bend rom pa njoftuar se kush do të interpretojë, çfarë muzike bëjnë. Vetëm është lëshuar një gjysmë lajmi se do të jetë një bend, mirëpo askush nuk dinte se kush, përveç rreth njëzet njerëzve. Ishin mbledhur mbi një mijë njerëz. Por, u bë njëfarë histerie dhe pastaj kuptuam se ajo hapësirë nuk mjafton”, ka treguar ai.

Nita Deda, ish-drejtoreshë e “DokuFestit” është shprehur se programi muzikor në kuadër të Festivalit kishte filluar me drojën se publiku do tërhiqej nga muzika, duke lënë anash filmin, por, sipas saj, ato vetëm se kishin plotësuar njëra-tjetrën.

“’DokuFest’ është një lloj playgroung, jemi mësuar edhe duke gabuar, mandej ndërron edhe shija. Ka qenë një hapësirë që na ka dhënë mundësi të rritemi dhe të mësohemi duke e bërë atë punë. Aty ka pasur hapësirë pa fund të eksperimentojmë”, ka thënë ajo.

Ka përmendur se tashmë ka shumë festivale, por kur kishte filluar të vepronte “DokuFesti”, bashkë me programin e muzikës, kishin qenë si kryesoret atë kohë, ku ishte krijuar mundësi për shprehjen e talenteve, artistëve vendorë e grupeve të ndryshme. Siç ka vlerësuar Deda, ka qenë dritarja e parë që hapej në Kosovë, që e konsideron si vendin dëshmitar për vullnetin triumfues mbi kushtet e infrastrukturën e munguar.

Image
Jazz-muzikantët Elina Duni dhe Ilir Bajri, të premten, në ditën e parë të “Prishtina Music Conference”

Duni: E tashmja ka të bëjë me “entertainment”

Programi i ditës së parë të “Prishtina Music Conference” ka qenë intensiv. Ka nisur me performancën “Love a Jam: An Innate Local Sound” të “Agenda of Hope”, më pas me prezantimin “Music Business 101” nga Mirëlinda Cërvadiku, drejtoreshë menaxhuese e një agjencie marketingu dhe me panelin “Më sigurt për ne – Një zhytje në ngacmimet në skenë vallëzimi” me Alison Guberek, valltare nga Australia, me gazetaren Berna Caka, aktivisten Deni Sanxhaku dhe muzikanten Ruth Koleva.

“Situata globale e muzikës me avancimin e teknologjisë në lidhje me dhënien me qira të prodhimit dhe promovimi falas online përmes mediave sociale po e shtyn botën drejt një fenomeni shumë të veçantë; një fenomen ku sasia është cilësi e lartë. Ky fenomen, i mbajtur fort nga kapitalizmi modern, janë shoqëritë nga gjithë globi që çojnë në një cep shumë të ngushtë ku e vetmja perspektivë e muzikës është ajo komerciale – në një të ardhme jo aq të largët drithëruese, duke u shndërruar në një zhanër jo vetëm të larmishëm.”, thuhet në prezantimin e “Prishtina Music Conference”.

Në ditën e parë panelistë kanë qenë edhe Elina Duni, këngëtare e jazzit e kompozitore dhe jazz-pianisti e kompozitori Ilir Bajri. Biseda që ka filluar me kujtimet për fillet e tyre në muzikë, bashkëpunimet e tyre të para, ka ndërruar rrjedhën në problematikën e ditëve të sotme.

Sipas tyre, muzika merret si diçka e mirëqenë dhe se krijuesit e ditëve të sotme e shohin si diçka të lehtë për të depërtuar drejt saj.

Sipas Dunit, mënyra për të ndryshuar gjendjen mund të jetë përmes ndryshimit të hapësirës mediatike.

“Njerëzit që duan të ndihmojnë artin do të duhej të krijonin mundësi, do duhej t’u jepej hapësirë në televizione, në radio. Për jazzin është pak më e vështirë, është muzikë që ka lindur nëpër bordellot e New Orleans dhe nuk është në rrënjë ajo që është klasike. Është një mënyrë e jokonformizmit, është të mos e këndosh të njëjtën këngë çdoherë. Publiku i mirëfilltë i jazzit kënaqet që t’i e ke kënduar të njëjtën këngë në disa koncerte dhe çdoherë e ke kënduar në mënyra të ndryshme”, është shprehur Duni.

Më tej ajo ka thënë se të krijuarit këngë kërkon shumë kohë, këmbëngulje e pasion. “Kjo e tashmja ka të bëjë me atë që quhet ‘entertainment’ tashmë. Duhet të kesh shumë kohë dhe kureshtje, do të duhej të futesh në botën e dikujt që të jesh në botën e muzikës. Kjo ka të bëjë edhe me familjen. Kur ke prindër që kultivojnë e dëgjojnë artin e muzikën e mirë, atë rrugë do të zgjedhin edhe më të rinjtë”, është shprehur Duni.

Kryeministri Kurti: Artisti është edhe në front

I pranishëm në diskutimin me temën “Një profil i yni”, që edhe ka përmbyllur aktivitetet e ditës së parë të Konferencës së Muzikës në Prishtinë”, ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti. Në fjalën e tij para të pranishmëve ka thënë se roli i artistit ka qenë gjithmonë të hulumtojë mes kulturës për ta kuptuar atë, derisa për muzikën ka vlerësuar se nuk është vetëm ajo që përjeton dëgjuesi, por edhe ajo për të cilën duhet të mendohet. “Është një muzikë që edhe ka bërë transformimet e tilla çfarë i njohin njerëzit. Sot shohim këngëtarë të cilët, ta zëmë, e kanë veshur uniformën për të mbrojtur vendin e tyre, Ukrainën, pra artisti është edhe në fronte të ndryshimeve, të cilat i duhen shoqërisë e nuk janë thjesht shprehje e brendshme. Muzika e Kosovës e ka ndër të tjera edhe një fuqi të madhe të diplomacisë”, ka thënë ai derisa ka përmendur këngëtarët shqiptarë të njohur në botë.

Nga rreshti i parë i ulëseve në “Kino Armata” ka shfrytëzuar mundësinë për të adresuar pyetje për folësit Bajri e Duni.

Bajri: Strategji me parime, para famës

Derisa ka vlerësuar se është nevoja për leksione pedagogjike tek të rinjtë nga mësimdhënësit në shkolla dhe se mungon kritika publike, Ilir Bajri ka thënë se po aq me rëndësi sa edukimi është edhe edukuesi e niveli i tij.

“Po nis nga përvoja personale, pjesa më e madhe e informatave që fillojnë nga edukimi në shkolla janë të pavërteta dhe të panevojshme për mua. Pastaj ishte edhe problemi i grevës, cili ishte arsyeja: paraja, por nuk ka qenë niveli i arsimit. Duhet të jetë edukimi, por si?”, është shprehur Bajri.

Sipas tij, stimulimi dhe këmbëngulja janë mënyrat më të rëndësishme për të ngritur një nivel të vetëdijes tek shoqëria e moshës më të re.

“Qëllimi ynë është t’i fusim disa parime që me kohë i ndihmojnë shoqërisë. Mënyra më e mirë është që komuniteti të mblidhet dhe të bëjë një strategji të planifikuar më mirë, me aspirata më të mëdha sesa të bëhen të famshëm. Problemi më i madh në shoqëri është që nuk gjejmë më shumë kohë t’i diskutojmë më haptazi gjërat dhe t'i bëjmë ato pa pasur nevojë t'u tregojmë të tjerëve si duhen bërë, por t’i bëjmë vetë ato”, ka thënë Bajri.

Sipas organizatorëve të Konferencës së Muzikës në Prishtinë, fokusi i shoqërisë nuk është mbi teknikën dhe etikën e dukur të muzikës, si formulë përfundimtare e dështimit kolektiv ndaj brezit të ri, të lindur në një kohë digjitale të pakthyeshme.

“Konferenca nuk është bërë nga qejfi sa është bërë prej nevojës. Nevoja e parë është se masa është duke shkuar në një qorrsokak dhe është shumë më pak kurioze për gjithçka, si edhe për muzikë. Ky është një stopim jo i alternativës, por më shumë i masës. Deri më tash rreth 90 për qind që i kemi thirrur kanë ardhur, ata që nuk kanë ardhur kanë pasur arsye”, ka thënë Rron Kurtolli, drejtor i programit në PMC.

Konferenca sivjet vjen me tetë panele që përfshijnë bisedime e diskutime si dhe dy performanca, që të gjithat mbahen në “Kino Armata”. Programi i saj vazhdon edhe sot (e diel).