E natyrshme, veprat janë pikëvështrime personale të artistit, por te universaliteti është fuqia e artit të Eshref Qahilit. Me ekspozitën e tij personale, “Muzeu i fëmijërisë”, ai shpalos kapitull pas kapitulli jo vetëm fatin e rrugëtimin e tij, por të krejt popullit. Punimet e tij rëndojnë edhe mbi sakrificën e së kaluarës. Secili i këtyre anëve dhe jo vetëm, në veprat e tij ta gjejë të dokumentuar fatin e vet
Piktori është i pashkëputur nga kujtimet e motivet e së kaluarës. Kjo hetohet që në takimin e parë me “Muzeun e fëmijërisë”, siç është titulli i ekspozitës së piktorit të njohur Eshref Qahili, e hapur të enjten mbrëma në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Është retrospektivë me punime që prekin periudha e cikle të ndryshme. Qahili sheh në pasqyrë motivet e së kaluarës. Kohët për të bëhen bashkë nëpërmjet veprave. Ato shoqërohen me skica të pafundme. Rrallë bindet që piktura e tij është përfunduar. Atyre u kthehet disa herë për të lënë gjurmë të reja nga rrugëtimi i tij artistik gjysmëshekullor. Me vija, ngjyra e teknika të ndryshme, Qahili dëshmon se bart ngjashmëritë nga cikli në cikël, por në secilën pikturë ka diçka origjinale e të re.
Me piktura që prej viti 1997 e deri në vitin 2022, Qahili tregon se është vigjilent ndaj rrethanave. Gjithçka ka gjurmët e kujtimeve të tij.
“Ka shumë elemente të fëmijërisë. Muzeu jo gjithmonë mund të konsiderohet me objekte, por unë e kam quajtur në mënyrë artistike duke e marrë parasysh sepse ka ide që i kam marrë kur kam qenë fëmijë dhe më i ri”, ka thënë Qahili për KOHËN.
Në rreth 20 punime ai ka përzgjedhur aso që përfaqësojnë gjashtë cikle të punës së tij. Ai me ngjyra në pëlhurë përshkruan edhe të kaluarën e vendit. Nëpërmjet kompozicionit dëshiron t’ia lërë hapësirën publikut ta përjetojë në mënyrën e vet. Në mes të punimeve që lidhin këto cikle punuese të Qahilit është piktura nga cikli “Shkollë e ndaluar” që piktori e kishte realizuar më 1997. Duke e përjetësuar atë periudhë në ngjyra, Qahili e përball publikun me vitet e vështira të popullit shqiptar.
“Besoj që publiku të shohë diçka më ndryshe. Nuk dua ta lavdëroj veten, por mendoj që kam një veçanti në art, sepse kështu ma kanë thënë”, ka thënë ai. Eshref Qahili, i lindur në vitin 1960 në Rahovicë të Preshevës, Shkollën e Mesme të Artit në Pejë e kreu më 1978. Studimet për pikturë i kreu në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në vitin 1983.
Me “Muzeun e fëmijërisë” kthehet me ekspozitë personale në Kosovë pas një dekade. Por, pikturat që janë shfaqur të enjten mbrëma në ASHAK deri tash kanë shëtitur në shumë galeri të Evropës e të botës.
Sipas skulptorit Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në disa piktura të Qahilit duket sikur ato kanë humbur gravitacionin. E kjo përballë pasiguritë e popullit të tij. Kur ato kanë gravitacion, sipas tij, dëshmojnë qëndresën.
Pjesë e ekspozitës është edhe cikli “Ende gjallë” i punuar në relief. Me simbole të duarve, Qahili zbërthen fjalinë “Kosova, gjaku im që nuk falet”, vargu emblematik i poetit Ali Podrimja.
Punimet e tij rëndojnë edhe mbi sakrificën e së kaluarës. Me “Ende gjallë” i flet rezistencës e mbijetesës në një periudhë të vështirë.
“Ajo m’i kujton vuajtjet e popullit shqiptar dhe idenë e tyre që Kosova gjithmonë të jetë e lirë dhe më kujton edhe Ali Podrimjen, të cilin kam pasur rast ta njihja”, ka treguar tutje Qahili për KOHËN. Me pikturën e tij me titull “Nëpër lumë”, Qahili krijon një teatër ngjyrash, ku gjithçka është e përqendruar në një vend. Me këto piktura në ekspozitën e tij retrospektive lidhet e gjithë krijimtaria e Qahilit që konsiderohet autentike.
Skulptori Mulliqi ka thënë se Qahili veçohet për faktin se të gjitha pikturat e tij janë përmbajtjesore dhe si e tillë hap rrugët për një komunikim të lehtë të kësaj krijimtarie me publikun.
“Ajo që është karakteristikë e Eshrefit, është se është ndër piktorët e rrallë përmbajtjesor. Pra, kur them përmbajtjesor përveç atyre shprehjeve ekspresive që mund të shihen, ndërton apo më mirë të them vizualizon pothuajse çdo temë e cila e provokon atë”, ka thënë ai para të pranishmëve. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij dëshmon që Qahili është fort i lidhur me rrënjët e tek e tuk hasen motive të popullit. Para publikut në këtë ekspozitë ai shpalos edhe punime të pashfaqura më parë, siç janë ato që i ka titulluar “Homazh”. Shkak për këtë u bë vizita e tij në Paris, kur vizitoi varret e disa prej piktorëve më të njohur. Mbi këto piktura të cilat edhe i ka dekoruar me lule, ai ka vendosur edhe gurë. Për to u inspirua nga vizita e varrit të piktorit e skulptorit italian Amedeo Modigliani, i cili veproi kryesisht në Paris.
“M’u dha rasti të jem në Paris te varri i Amedeo Modiglianit dhe artistëve të tjerë me famë botërore. Më la përshtypje ajo vizitë dhe fillova ta bëja një kompozicion të tillë me titullin ‘Homazh’ pa emër dhe mbiemër”, ka theksuar Qahili për KOHËN.
Në vitin 2020 ai është prezantuar me ekspozitë personale në Orléans të Francës. Atje çoi “Kujtimet e Kosovës”. Sipas skulptorit Mulliqi, këto vepra nga cikli “Errësira e Artë” janë një nderim ndaj piktorëve, të cilët nuk u shpërblyen sa ishin gjallë.
“Është një homazh kushtuar të gjithë artistëve, posaçërisht atyre të avangardës të fillimshekullit 20, të gjithë atyre artistëve që punimet e tyre po shiten me qindra miliona, por ata vetë kanë vdekur shumë të varfër”, ka thënë Mulliqi.
Piktori Musë Prelvukaj e ka përcjellë për shumë vjet punën e Qahilit. Ekspozitën e tij retrospektivë e vlerëson si përmbledhje të krijimtarisë së tij të frytshme artistike.
“Piktori Qahili është një piktor me kualitete, është i frytshëm dhe i takon artit bashkëkohor. Ka disa vjet që e përcjell krijimtarinë e tij, gjë që mund ta konstatoj që në këtë ekspozitë të organizuar nga ASHAK-u flet shumë për figurën krijuese të Qahilit”, ka thënë Prelvukaj për KOHËN.
Ekspozita “Muzeu i fëmijërisë” e piktorit Eshref Qahili do të qëndrojë e hapur deri më 16 dhjetor.