Këshilli iniciues për muzeun e artit bashkëkohor është duke punuar në koncept-dokumentin, dhe lokacioni është bërthama e tij. Janë tri opsione në tavolinë: hoteli “Grand”, hapësira e dikurshme e shtypshkronjës “Rilindja” dhe ish-fabrika e tullave që ende njihet si “Tulltorja”. Ka 15 vjet që shteti merret me këtë projekt, dikur e kishte edhe në letër e kishte ndarë edhe lokacion për të
Janë tri ndërtesa publike të cilave Ministria e Kulturës ua ka vënë syrin si hapësira potencialisht të favorshme për të zënë vend një institucion i ri: muzeu i artit bashkëkohor. Ish-“Tulltorja”, hapësirat e shtypshkronjës së “Rilindjes” e hoteli “Grand” janë opsionet që po shqyrtohen. Kësisoj, 15 vjet pasi pagoi një projekt, shtati ka nisur të marrë në shqyrtim lokacione të reja sa i përket muzeut të artit bashkëkohor.
Këshilli iniciues për muzeun e artit bashkëkohor është duke punuar në koncept-dokumentin ku pos lokacioneve të propozuara do të dalin në pah edhe detaje të tjera për synimin që shteti të bëhet me një institucion që nuk e ka pasur asnjëherë.
Përbërja e Këshillit iniciues ka zhvilluar disa takime prej kur janë emëruar në ditën e fundit të majit të sivjetmë.
Kryesuesi i këtij organi, Yll Rugova, ish-drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Prishtinës dhe ish-zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, ka konfirmuar për KOHËN lokacionet e mundshme për muzeun e artit bashkëkohor.
“Janë tri lokacione: ‘Grandi’, ‘Rilindja’ dhe ‘Tulltorja’, ka thënë ai të enjten vonë pas takimit. Sipas Rugovës, pritet që për dy javë të jetë gati koncep-dokumenti.
Këshilli ka për detyrë të bëjë hartimin e planit të punës, të organizmit dhe takimeve të anëtarëve. Më pas, konceptin programor e artistik të muzeut. Do të marrë veprime formale për themelimin e institucionit, hartimin e drafteve të aktit të themelimit, statutit, rregulloreve të brendshme dhe vendime të tjera. Ky organ do ta bëjë planin për ngritjen e strukturave të përhershme të institucionit, përfshirë zhvillimin e organogramit, përzgjedhjen e trupave drejtues dhe të menaxhmentit.
“Trajtimin e çështjes së ndërtesës së MAB-it, përfshirë përgatitjen e konceptit ndërtimor, arkitektonik dhe hapësinor”, shkruhet në vendimin nëpërmjet të cilit janë emëruar Yll Rugova si kryesues e anëtarët Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha-Salihu, Valdete Pacolli e Fisnik Abazi.
Përbërja e këtij këshilli, sipas vendimit, po ashtu, do ta bëjë vendosjen e kornizave për ndërtimin dhe pasurimin e koleksionit, e po ashtu, mund të kryejë edhe detyra të tjera sipas nevojës dhe kërkesës së ministrit të Kulturës.
Sa i përket sallës së ish-shtypshkronjës “Rilindja”, prej tetorit të sivjetmë hapësira është shpallur aset i trashëgimisë kulturore duke u renditur në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme. Është vlerësuar pjesë e ndërtesës që u takon viteve ‘70, që paraqesin vitet e zhvillimeve të rëndësishme në fushën shoqërore-politike të Kosovës. Pallati i Shtypit u projektua në vitin 1971 nga arkitekti maqedonas, modernisti Georgi Konstantinovski. Pas luftës së fundit brutalizmi që shpërfaqej në krejt ndërtesën është shpërfytyruar nëpërmjet një rinovimi që e ka “veshur” ndërtesën me pllaka të metalta. Aty shtypej gazeta “Rilindja” bashkë me krejt botimet e asaj që ishte Krahinë Autonome në kuadër të Ish-Jugosllavisë. Shtypshkronja punonte me porosi edhe për vende të tjera.
“Rilindja” ishte gazeta e parë shqipe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. Hapësira sivjet është përdorur nga bienalja nomade “Manifesta”.
Hoteli “Grand” i ndërtuar në vitin 1978 si pjesë e arkitekturës moderne ka pësuar ndryshime pas luftës. Është modifikuar një pjesë e konsiderueshme e tij. Më 2006 i ishte shitur një biznesmeni. AKP-ja e kishte rimarrë nën menaxhim hotelin, pasi që nuk ishin përmbushur obligimet që kanë dalë nga kontrata e blerjes. Prej tetorit të vitit 2016 është nën mbrojtje të përkohshme nga shteti si aset i trashëgimisë kulturore. Gjatë periudhës socialiste qe jo veç imazh i urbanizmit, por edhe një prej aseteve të rëndësishme ekonomike të Prishtinës. “Manifesta” deri në fund të tetorit e ka shfrytëzuar një pjesë të madhe të hapësirës për të shpalosur veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë. “Grandi” sikurse ish-ndërtesa e “Rilindjes” janë nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në janarin e vitit 2021, prej “Grandit” u bartën 121 vepra që kishin qëndruar aty për dekada të tëra. Koleksioni qe shpronësuar dhe prej atëherë është i fondusit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Ish-Fabrika e Tullave është një nga objektet më të rëndësishme post-industriale në Prishtinë. E ndërtuar në vitin 1974, Fabrika e Tullave ishte pjesë themelore e organizimit të infrastrukturës në Kosovë. Kjo fabrikë procesoi qeramikë dhe materiale të tjera të pastra për të prodhuar tullat që ndërtuan një seri ndërtesash në Prishtinë. Për dallim prej dy ndërtesave të tjera, ish-“Tulltorja” është pronë e Komunës së Prishtinës, e blerë nga AKP-ja. Para disa vjetësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte propozuar që aty të zërë vend një muze i gjenocidit.
“Lokacioni është bërthama e konceptit”, ka thënë Rugova.
Muzeu i artit bashkëkohor është një nga projektet e Ministrisë së Kulturës që qëndron në sirtar për një kohë të gjatë. Krahas kësaj, janë bërë 15 vjet prej kur institucioni më i lartë kulturor në vend çdo vit ndan buxhet duke e renditur këtë si projekt kapital. Janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar muzeun e artit bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro.
Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Sa i përket lokacionit, Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 akuzojnë njëra-tjetrën.
Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, Kishës Ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.
Më 2011, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte thënë se e kishte marrë seriozisht idenë që ndërtesa e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor. Shqyrtimi i mundësisë që ish-objekti i “Gërmisë” të bëhej muze i arteve bashkëkohore qe hedhur qysh në vitin 2006. Ka qenë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i cili e kishte dhënë këtë ide në kohën kur komuniteti artistik po protestonte në mbrojtje të ish-hotelit “Union”, të cilin shteti e kishte privatizuar, ani pse një herë i ishte premtuar Galerisë së Arteve të Kosovës. Por ish-“Gërmia” në planet e Komunës do të jetë sallë koncertale.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, Ministria e Kulturës kishte ndarë 200 mijë euro për projektin kapital të muzeut të artit bashkëkohor. Për vitin që vjen janë ndarë vetëm 10 mijë euro.