Kulturë

Muaji i edukimit në Galerinë Kombëtare për një imazh multidisiplinar

Qëllimi i programit të edukimit është që ta kthejë publikun në hapësirat e Galerisë pas një viti të vështirë pandemie. Në anën tjetër, ky program i jep Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe imazhin e një institucioni më multidisiplinar. E largon nga korniza tradicionale e një institucioni vetëm ekspozues, duke i dhënë edhe rol edukues

Tri ekspozita aktualisht janë të hapura në Galerinë Kombëtare të Kosovës. “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë”, “Ekologjitë e së ardhmes /Smogu i madh i vitit 2021” dhe “Reflektim” vazhdojnë të jenë të qasshme për publikun. E për të afruar më shumë publikun institucioni më i larë i artit pamor në vend ka organizuar programin e edukimit, në kuadër të të cilit fton shkollat, fakultetet, institucionet e ndryshme që t’i bashkohen gjatë këtij udhërrëfimi, ku mund të mësojnë më shumë rreth ekspozitave, të njihen me veprat e artistëve dhe konceptet e prezantuara nga ta. Qëllimi është që ta kthejë publikun në hapësirat e Galerisë pas një viti të vështirë pandemie. Në anën tjetër, programi i edukimit i jep Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe imazhin e një institucioni më multidisiplinar. E largon nga korniza tradicionale e një institucioni vetëm ekspozues, duke i dhënë edhe rol edukues.

Pritëse e vizitorëve është udhërrëfyesja e Galerisë, Vlora Hajdini-Hajrullahu. Në katin e dytë të Galerisë vend zënë ekspozita kolektive “Ekologjitë e së ardhmes /Smogu i madh i vitit 2021” dhe “Reflektim”. Ekspozita me artistë: Alban Muja, Blerta Hashani, Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson, Nimon Lokaj dhe Uriel Orlow, e kuruar nga Engjëll Berisha godet ndryshimet klimatike.

Hajdini-Hajrullahu ka thënë se si pjesë e programit publik të ekspozitës janë realizuar me nxënës të shkollave fillore punime të qëndrueshme, duke i ricikluar qeset të cilat ishin të destinuara për mbeturina. E po ashtu janë mbajtur punëtori, ku nxënësve u janë dhënë printime të fotografive në letër të peizazheve të qytetit me smog dhe u është kërkuar të përdorin hapësirën e smogut si një pëlhurë boshe. Sipas saj, kjo u ka dhënë nxënësve mundësinë për të riimagjinuar peizazhin e qytetit dhe për të eksploruar përtej smogut.

“Ky projekt përmban më vete një program mjaft të pasur edukimi, sidomos bashkëpunimi me shkolla fillore të Prishtinës, ku së bashku me fëmijët biseduam për mbrojtjen e ambientit dhe realizuam punime arti”, ka treguar ajo.

Në anën tjetër, hiperrealizimi është arma e artistit Zharko Basheski dhe skulpturat e tejkalojnë edhe veten. Por në fakt kjo është filozofia që zbërthen mjeshtërisht Zharko Basheski në ekspozitën personale, me të cilën debuton para publikut në Kosovë. Me “Reflektim” ai gjen njeriun që përballet me veten, e tejkalon atë. Si koncept në tërësi vjen në një lloj ekzistencializmi mbi njeriun e zakonshëm, që dialogon i zhveshur prej krejt të tjerave pos vetvetes. Kjo ekspozitë e tij qëndron e hapur në hapësirën tjetër të katit të dytë të GKK-së.

“Duhet theksuar se kjo ekspozitë, e cila është e një rëndësie të veçantë si për nga koncepti, prezantimi, teknika e punës dhe të gjitha këto na kanë bërë të bëjmë thirrje që të vizitohet kjo ekspozitë, sepse është një rast i cili nuk duhet humbur”, ka thënë Hajdini-Hajrullahu.

Ndërsa në katin e parë është e hapur ekspozita kolektive që bën bashkë artistët: Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli dhe Valdrin Thaqi. Secila vepër është situatë a rrëfim më vete, por kur bëhen bashkë, vijnë si mozaik që në esencë e ka kundërpërgjigjen e artistëve edhe në kohë të zorshme. Kjo, zaten është edhe fuqia e artit. Por shikuar në retrospektivë, “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë”, përveçqë ka një frakturë dokumentare, dëshmon edhe një realitet të ri, të imponuar.

Kështu, rreth këtyre tri ekspozitave, Hajdini – Hajrullahu ndërton tregimin për vizitorët. “Krejt kjo ka një sinergji sa të rastësishme aq edhe të menduar nga kuratorët e këtyre ekspozitave. Kështu, patjetër ne është dashur që të shpallim muajin e edukimit në Galeri, sepse ajo mision të rëndësishëm ka programin e edukimit krahas programit të ekspozitave”, ka thënë ajo.

Kështu, sipas saj, në këtë rast programi i edukimit potencohet edhe më shumë duke organizuar aktivitete bazuar në programin e ekspozitave.

Hajdini – Hajrullahu ka treguar se programi i edukimit është zhvilluar edhe më herët dhe është implementuar kohë pas kohë me disa aktivitete.

“Ndërsa që nga viti 2017, kur drejtore e GKK-së ishte Arta Agani, programi i edukimit është zhvilluar me një ritëm shumë të shpejtë, në kuadër të të cilit janë organizuar punëtori dhe bashkëpunime me organizata të te rinjve dhe institucione edukative, krejt këto krahas vizitave të organizuara grupore”, ka treguar ajo.