Kulturë

“Monumenti i lules së parë” në kërkim të zanafillës së transformimit

Lulet e Astrit Ismailit vijnë si objekte përkujtimore. Zbërthimi kthehet 130 milionë vjet më parë, siç dëshmohet prej fosileve, se kjo është koha kur dëshmohet ekzistenca e të parave bimë të lulëzuara. Por përgjigjja që kërkon Ismaili është gjenealogjia e transformimit. Atë e përkthen në të tashmen, duke kundruar shoqërinë. Te “Monumenti i lules së parë” – siç e ka titullin edhe ekspozita e tij e parë personale në Kosovë – ai vjen edhe me “Miss Kosova” dhe tek të dyja gjen dashurinë si emërues të përbashkët

Sfidues ka qenë të hyrit në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, të enjten mbrëma. Aty tashmë është hapur një tjetër kapitull. Kanë zënë vend pesë skulptura të ndryshme si forma gjeometrike, por që janë simbol për petalet e luleve. Në disa prej tyre janë të vendosur altoparlantë që përcjellin edhe muzikë. Më tej, në mur, projektohen pamjet e artistit teksa këndon i rrethuar nga gra të moshave të reja e të shtyra. Është vepra e artistit Astrit Ismaili, “Love Research”, e vitit 2016.

Në thelb, vepra “Monumenti i lules së parë” e Astrit Ismailit është gërshetim audiovizual. Skulpturat prej betoni përcaktohen si monumente, ndërsa kënga, sikurse vjen nga titulli, është “Lulja e parë” e kompozuar nga Ismaili. Ato zbulojnë një këngë për lulet dhe janë si objekte përkujtimore. Ngjall kujtimin se si prania e luleve e ka transformuar tokën në çdo mënyrë të mundshme. Monumenti kthehet në metaforë, njësoj sikurse rruga e saj midis errësirës së thellë.

“Fosilet tregojnë se bimët e para të lulëzuara u shfaqën vetëm 130 milionë vjet më parë. Mrekullia vjen nga koha dhe nga numri i proceseve të përfshira që një formë e tillë jete të shfaqet më në fund. Titulli i ekspozitës ‘Monumenti i lules së parë” është marrë pikërisht nga kjo vepër dhe pyet se si realizohet transformimi?”, thuhet ndër të tjera në tekstin kuratorial për veprën. Për herë të parë, instalacioni është prezantuar vitin e kaluar në Bienalen e Athinës.

Për autorin e saj, Astrit Ismaili, vepra tregon historinë e bimës së parë që ka vendosur të bëhet lule.

Image
Artisti është shfaqur ekstravagant në skenë derisa ka performuar një pjesë të veprës së tij “Miss Kosova”, duke kënduar e parakaluar në pasarelën e improvizuar

“Mua më ka interesuar momenti i transformimit të lules, pasi faktikisht lidhet edhe më shumë situata në shoqëri nga të cilat unë gjithmonë jam inspiruar për këtë instalacion”, ka thënë Ismaili.

Mirëpo kjo nuk qe krejt çfarë u prezantua nga artisti për publikun e mbledhur. Pas një kohe të caktuar sa është konsideruar se tashmë publiku është ngopur me artin e prezantuar, radha i ka ardhur një tjetër vepre.

Artisti është shfaqur ekstravagant në skenë derisa ka performuar një pjesë të veprës së tij “Miss Kosova”, duke kënduar e parakaluar në pasarelën e improvizuar. Pamjet e projektuara të një tjetër vepre kanë qenë sikur sfond për prezantimin e bagazhit artistik para të pranishmëve.

“Dy projektet lidhen ndërmjet vete pasi kanë të bëjnë me dashurinë. Kuratorja e ekspozitës ka menduar se është ide e mirë të bashkohen këto dy vepra. Gjithashtu kam pasur edhe një performancë që e ka emrin ‘Miss Kosova’. Në fakt ajo është një fragment nga një performancë tjetër’, ka thënë artisti i cili ka kohë që ka depërtuar edhe në skenën ndërkombëtare. Qe pikërisht performanca e tij “Lynx” (Rrëqebulli) e cila mbrëmjen e 22 korrikut të sivjetmë në Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve do ta hapte bienalen nomade evropiane “Manifesta 14”, e cila zyrtarisht përfundoi të premten.

Kuratorja e ekspozitës, Donjetë Murati, ka treguar se përgatitjet për ekspozitën kishin filluar në muajin prill dhe se krejt boshti i ekspozitës ka të bëjë me lulen e parë.

“Për këtë shkak edhe ka ndryshuar pastaj krejt ekosistemi në tokë. Mandej kemi vendosur t’i shtojmë edhe disa elemente të punëve paraprake të cilat flasin për transformimin në nivele të ndryshme. Pra jo vetëm që glorifikohet një moment, por e gjithë puna tjetër që kërkon shumë kohë e shumë disiplinë në mënyrë që të krijohet një ndryshim qoftë në nivel personal apo politik e shoqëror”, ka thënë Murati.

Udhëheqësja e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, e ka çmuar ekspozitën e Ismailit.

“E kemi ftuar vitin e kaluar Astritin për të hapur një ekspozitë te ne. Ai e ka pritur me dëshirën më të madhe, gjithashtu edhe Donjeta. Kemi vendosur që bashkërisht të bëhet një punë e mirë si ka ndodhur sonte”, ka thënë ajo.

Ndërmjetësuesja kreative e edicionit të 14-të të bienales “Manifesta 14” në Prishtinë, Catherine Nicols, ka qenë po ashtu e pranishme. Ajo është shprehur se ka elemente të veprës që ndërlidhen edhe me atë “Rrëqebulli”. “Mendoj se këto vepra ndryshojnë dashurinë ndërmjet gjeneratave të ndryshme, ndërmjet trupave dhe njerëzve të ndryshëm. Pata mundësinë të shoh edhe skulpturat, por performanca m’u duk shumë e fuqishme. Jam shumë e lumtur që Ministria e Kulturës ka zgjedhur hapësirën e saj për këtë performancë, që ka të bëjë me ndryshimet në shoqëri dhe e kam shijuar deri në fund”, është shprehur Nichols.

Veprat e artistit Astrit Ismaili do të jenë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 1 dhjetor, derisa më 27 nëntor do të publikohet edhe katalogu i ekspozitës, ku do të përfshihen tekste dhe shpjegime për ekspozitën “Monumenti i lules së parë”.