Kulturë

“Molla s’ka qenë aksident” sfidon dhimbjen për triumfin e dashurisë

Një performancë skenike, e cila ndërthur forma të ndryshme të ekspresionit artistik, thyen mure në hapësirën e “Grand Hotelit” teksa konkretizon çdo stacion të rrugëtimit me vuajtje e trauma të një çifti lezbikesh. Destinacioni final është dashuria e vërtetë

Me perfomancë dhe koncept nga Arlinda Morina – Liki dhe Uresa Ahmeti, zbërthehet rrëfimi i një çifti lezbikesh që vuajnë nga traumat e krijuara nga shoqëria shtypëse, që me trupat e tyre krijojnë një performancë që përbirohet prej dhimbjes deri në dashuri. Aty e gjejnë fuqinë. Ato i tremben dashurisë, sepse jetojnë në një botë që nuk mund ta kontrollojnë. Trupat e tyre krijojnë lëvizje dhe tek audienca vjen fuqia e mosdorëzimit. Kështu përshkruhet kjo performancë në njoftimin e “CSGD Kosovo”, organizatë joqeveritare e cila merret me mbështetjen, mbrojtjen dhe avokimin rreth çështjeve të komunitetit LGBTIQ. Titulli është simbolik: “Molla s’ka qenë aksident”. Performanca e dhënë të shtunën mbrëma, nën patronazhin e qendrës kulturore “Barabar” në Prishtinë, e shndërroi skenën e improvizuar në hapësirën e qendrës në “Grand Hotel”, në një vend të lirë. Është hapësirë boshe në të cilën u eksploruan emocione të shumta njerëzore nën hijen e sfidave shoqërore. Performanca fillon me përcjellje të tingujve të vokalit femëror me ngjyrime himnizuese e tendosëse si për të paralajmëruar dramën që do të vijë në minutat në vazhdim.

Uresa Ahmeti paraqitet krejt në fillim duke kafshuar një mollë, e cila transmeton hakmarrje në çdo kafshatë teksa Arlinda Morina – Liki zgjohet në një gjendje gjysmë të vdekur, duke u përpëlitur për të mbijetuar nga grushtat e shqelmat e jetës. Nëpërmjet lëvizjeve skenike mundohet t’i tregojë audiencës jetën e saj, vështirësitë. Nën një ndriçim minimal zgjohet dhe Uresa, e cila pasi fiton vetëdijen me sytë të cilët kërkojnë përgjigje, pyet se ku është.

Poezia e Uresa Ahmetit shton një dimension thellësie në këtë rrëfim performativ. Me vargje të fuqishme zbërthen kompleksitetet emocionale të personazheve, vetvetes dhe të Likit.

Moment i fuqishëm në performancë është dhe ballafaqimi i Likit dhe Uresës sy më sy teksa vrapojnë në kërkim të pranimit dhe njohjes së vetes. Por ato frikësohen nga njëra-tjetra, apo mësohen të frikësohen.

Inkorporimi i vokalit në performancë, përmes zërit të Likit kur këndon “A del për mua pranvera” nga Osman Shehu, shton një dimension tjetër emocional në narrativë. Ky interpretim bëhet një mjet i ndjeshëm shprehjeje, që sjell emocionet e papërpunuara dhe sinqeritetin e personazheve, duke bërë performancën jo vetëm një spektakël vizual, por edhe një udhëtim tingullor që rrëfen lëngimin për të jetuar një jetë të dëshiruar.

Performueset për ta dëshmuar dhe një herë se kjo performancë është si një homazh për jetët e tyre dhe të atyre që ndajnë fatin e njëjtë me to, kanë përfshirë edhe rrëfime personale në formë monologësh. Ndajnë fëmijërinë e tyre, familjet në të cilat janë rritur, pritshmëritë e shoqërisë e ballafaqimet me të vërtetat. Uresa “udhëton” në skenë me valixhe në dorë teksa përmend shtete të ndryshme të botës nëpër të cilat ka kërkuar një vend që ta quajë shtëpi. E partnerja e saj skenike numëron në të njëjtën kohë droga të ndryshme të përdoruara për t’iu shmangur realitetit të hidhur. Finalja arrin me një takim intim në mes të skenës teksa drita e kuqe i përshkon të dyja kur gjejnë dashurinë mes tyre.

Me vargjet e poezive të “Woman warmth, woman wrath”, Uresa u jep një goditje të fundit tabuve dhe patologjizimit rreth seksualitetit duke e përmbyllur performancën me duartrokitje e brohoritje nga publiku i pranishëm.

E se publiku e mirëpriti performancën u bind Arlinda Morina – Liki.

“Jam munduar të përçoj emocionet e mia te publiku dhe si duket e kam arritur, sepse kur u ndezën dritat pashë njerëz të përlotur e duke qeshur. Jam munduar që vështirësitë e jetës time me i kthy në komedi përmes rrëfimit në disa momente. Për mua komedia më e madhe është tragjedia”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Uresa Ahmeti ndau emocionet e saj duke theksuar momentin në të cilin u realizua performanca.

“Kjo shfaqje po ndodh në ditën kur u mbajt dhe konferenca rajonale për grate queer, andaj e vlerësoj si kohën dhe vendin e duhur. Jam gjithashtu e lumtur që ishim në gjendje të realizonim një performancë të tillë duke marrë parasysh rreziqet dhe sfidat për një shfaqje të tillë në vendin tonë”, ka thënë ajo.

“Molla s’ka qenë aksident”, sfidon pritshmëritë shoqërore dhe ilustron durimin si formë rebelimi duke e bërë të dukshme edhe një herë rolin e artit në raport me vetëdijesimin karshi çështjeve sociale.

Aktivisti Blert Morina e sheh artin si një medium të cilin kanë mundësi ta ndjekin vetëm një grup njerëzish të privilegjuar teksa e vlerësoi performancën si të guximshme dhe të domosdoshme.

“Shfaqja sonte përveçse ishte shumë emocionale ishte gjithashtu si një thirrje mbi sfidat që shumë gra queer i kanë në baza ditore”, ka thënë ai, duke dhënë mesazhin se dashuria është e vetmja gjë që nuk zvogëlohet kur të ndahet me të tjerët, por, përkundrazi, vetëm sa vjen e shtohet.