Kulturë

Ministria zvogëlon mbështetjen e projekteve kulturore për 600 mijë euro

Vitin e kaluar me 1.5 milionë euro janë përkrahur 442 projekte. Sivjet gjërat kanë ndryshuar. Në total, sipas listës së publikuar të mërkurën, për këtë vit projektet kulturore do të kenë 614 mijë euro më pak. Kurse si numër sivjet janë përkrahur fiks 184 projekte më pak. Komuniteti artistik ka pasur pritje që mbështetja për atë që njihet si kulturë e pavarur të jetë më e madhe. Për këtë edhe janë bazuar në shifrat zyrtare të shtetit

Ministria e Kulturës sivjet ka vendosur që ta rrudhë goxha kuletën sa i përket mbështetjes së projekteve kulturore e artistike nëpërmjet thirrjes publike.

Me 886 mijë e 100 euro janë përkrahur 258 projekte kulturore e artistike të individëve dhe organizatave joqeveritare. Si shumë financiare, por edhe si numër projektesh janë shumë më pak sesa vitin e kaluar. Janë fiks 184 projekte më pak se më 2020. Publikimi i listës ka nxitur reagime. E Ministria e Kulturës nuk ka dhënë ndonjë sqarim të mërkurën mbrëma.

Vitin e kaluar me 1.5 milionë euro janë përkrahur 442 projekte. Sivjet gjërat kanë ndryshuar. Në total sipas listës së publikuar të mërkurën, për këtë vit projektet kulturore do të kenë 614 mijë euro më pak.

Komuniteti artistik ka pasur pritje që mbështetja për atë që njihet si kulturë e pavarur të jetë më e madhe. Për këtë edhe janë bazuar në shifrat zyrtare të shtetit, në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit. Janë 1 milion e 954 mijë euro si subvencione dhe transferime në kategorinë “përkrahja e kulturës”. Vitin e kaluar shifra ishte më e vogël, por përkrahja më e madhe. Sipas Ligjit të buxhetit të vitit të kaluar, te subvencionet dhe transferet në kategorinë “Përkrahja për kulturën” ishin vetëm 1 milion e 337 mijë euro.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me “Qendrën Multimedia”, ka thënë të jetë dëshpëruar me publikimin e listës nga MKRS-ja.

“Me fare pak përjashtime, por lista që u publikua, me projektet e ‘suportuara’, ishte skandaloze! Fjala e parë që më bie ndërmend tash për tash është: dëshpërim!”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, një gjë e tillë nuk është dashur të ndodhte.

“Pra, le që ka shkurtim radikal të buxhetit, ndërkohë që do të duhej të ishte e kundërta, por edhe me atë copë buxheti të sakatosur, janë mbështetur nisma e projekte të përgazta, dhe mjafton vetëm t’ua lexosh titujt për ta kuptuar këtë gjë”, ka thënë ai për KOHËN. Bile ka shkruar edhe më tej. Ka thënë se është penduar për besimin që ka pasur në ndryshim të gjërave.

“Po ndihem i turpëruar për entuziazmin që kam treguar në idenë e ndryshimit, në idenë e në besimin që gjërat kanë me rrjedhë ndryshe tash. Kështu që, entuziazmin tim për ndryshimin e deklaroj publikisht të sosur”, ka thënë Neziraj. “Qendrës Multimedia” nuk i është përkrahur fare programi vjetor teatror. I janë ndarë vetëm 5 mijë euro për festivalin ndërkombëtar të letërsisë “Polip”.

Në bazë të listës së publikuar, MKRS-ja nuk do ta përkrahë edicionin e 11-të me radhë të festivalit “Etno Fest”.

Ky festival planifikonte program të gjatë si asnjëherë më parë. “Kulti i tokës” është tema qendrore e festivalit. E paralelisht me të do të zbërthehet edhe “Kultin e ujit”.

Në kuadër të ekspozitave, në “Etno Fest” do të prezantohet krijimtaria e artistëve Adem Kastrati, Jakup Ferri, Zake Prelvukaj, Jeton Gusia, Vehbi Murati e Durim Neziri. E te shtylla e skulpturave janë ekspozitat e Agron Blakçorit dhe Burim Gashit. Po ashtu, do të ketë ekspozita etnografike dhe kostumografike. Shfaqjet e baletit, më pas disa shfaqje nga teatro të ndryshme janë pjesë e programit që “Etno Festi” ka nisur ta bëjë publik qysh në mars të sivjetmë, gati gjashtë muaj para mbajtjes së festivalit e pa rezultatet e MKRS-së për projektet fituese. Aty ishin paraparë edhe

koncerti i Inva Mulës, ai i "Oda Quartet", i familjes Qerimaj dhe një numër i madh koncertesh të tjera.

Themeluesi i festivalit, dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj të mërkurën ka thënë se nuk do të komentojë shumë derisa të marrë vesh se çfarë ka ngjarë me mospërkrahjen e edicionit të sivjetmë të “Etno Festit”.

“Nëse nuk mund ta mbajmë festivalin, atëherë publikut që kanë pritur Inva Mulën dhe krejt ngjarjet e tjera do t’u themi se në Ministrinë e Kulturës mund të gjejnë arsyet se përse u është mohuar mundësia që ta kenë këtë program”, ka thënë ai.

Por ndryshimet e konkursit kishin ndodhur sapo erdhi në pushtet Qeveria Kurti.

Ministria e Kulturës brenda 24 orëve, më 13 prill, kishte anuluar dhe rishpallur gjashtë thirrje publike për mbështetje financiare të organizatave dhe individëve në fusha të ndryshme. Ishin shtuar vetëm dy kritere. Krejt kjo ishte parë si një “blerje kohe në kurriz të skenës kulturore”.

Konkursi për projektet kulturore e artistike për sivjet ishte hapur në ditën e dytë të shkurtit. Ishte mbyllur më 4 mars. Ishin emëruar komisionet vlerësuese. Por krejt ka rënë në ujë me urdhrin për anulim nga kabineti i ri në krye me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sipas arsyetimit të MKRS-së për anulimin e thirrjeve publike, ky institucion ishte duke punuar në rishikimin e politikave e – në rrjedhë të kësaj – edhe të planifikimit për mbështetje financiare të programeve që janë brenda fushëveprimtarisë së MKRS-së, në përputhje me programin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Por krejt këto MKRS-ja dilte se i ka kryer për një ditë. Një ditë më pas kishin rihapur gjashtë konkurse, përfshirë edhe atë për projekte kulturore e artistike. Krejt çfarë ka ndryshuar me konkursin paraprak qenë dy kritere që janë shtuar.

Kërkohej që projektet të jenë me karakter “informativ, vetëdijesues e solidarizues në formë kreative artistike me rrethanat pandemike të shkaktuara nga COVID 19”.

“Aktivitetet të jenë të qasshme për publikun e gjerë, përmes formave digjitale të pjesëmarrjes”, ishte kriteri i dytë.

Sipas listës së projekteve fituese janë disa organizata që kanë marrë pjesën kryesore të buxhetit. “HardhFest” është përkrahur me 15 mijë euro, “Zambaku i Prizrenit” me 14 mijë euro, “Re Musica” me 14 mijë, “7 Arte” me 10 mijë, qendra për art bashkëkohor, “Stacion” me 12 mijë, “Hyjnesha në fron” me 15 mijë, “Pri Film Fest” me 20 mijë, “Doku Fest” me 20 mijë, teatri “Oda” me 20 mijë, “Autostrada Bienale” me 13 mijë, “DAM Festivali” me 12 mijë dhe Shoqata e Botuesve të Kosovës me 18 mijë. Për dallim prej viteve të kaluara, sivjet nuk është përkrahur asnjë prej bibliotekave komunale.

Në mbrëmjen e së mërkurës, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku i ka thënë KOHËS se nuk i di detajet e konkursit dhe përkrahjes së projekteve. Ka rekomanduar që KOHA të kërkojë sqarime nga Departamenti i Kulturës dhe këshilltarja e Çekut për media, Zana Fetiu.