Tri lista për përfituesit e buxhetit të shtetit, është bilanci i deritanishëm i “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. Lista preliminare me 36 projekte e 808 mijë e 510 euro u lansua para dhjetë ditësh. Të enjten vonë u rrit në 106 projekte e shuma arriti në 2.5 milionë euro, por lista u zhduk një orë pas lansimit. Të premten doli lista e radhës me “rezultatet përfundimtare”, me 117 projekte e në gati 2.8 milionë euro. MKRS-ja hesht njësoj sikurse disa përfitues që s’e komentojnë procesin, e nga njëra parti opozitare rasti cilësohet si skandaloz dhe thërret për auditim
Ministria e Kulturës e ka vazhduar lojën me lista projektesh fituese. Pa u bërë 24 orë, të premten ka dalë me listë të re për përfituesit e “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. Të enjten vonë e zhduku atë që e lansoi fillimisht dhe duket se e ka pasur një hall: lista e re e “rezultateve përfundimtare” është fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro. Janë shtuar edhe 11 projekte. Me listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit, ishin 106 projekte. Tash janë 116, plus një pa numër rendor. Te fryrja e shumës futen projektet e reja dhe rritja e buxheteve për disa prej projekteve fituese.
Krejt kjo histori me tri lista është zhvilluar brenda dy javësh. Më 16 qershor protokolloi listën preliminare të organizatave joqeveritare përfituese nga thirrja publike “Art dhe trashëgimi kulturore”. Aty figuronin 36 projekte, përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”. La pesë ditë afat ankesash, deri më 26 qershor, e nuk iu deshën më shumë se tri ditë që t’i shqyrtojë ato dhe prej 36 projekteve të bëhen 106. Dallimi në buxhet: 1.7 milion euro, kur prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë.
Lista doli të enjten vonë në ueb-faqe dhe në profilin zyrtar të MKRS-së në Facebook. U hoq prej aty për t’u zëvendësuar të premten me listën e radhës me 11 projekte shtesë dhe mbi çerek milioni më shumë buxhet.
“Përmirësimet” brenda natës heshtin Ministrinë e organizatat
Lista e re, e treta, ka nxjerrë edhe projekte të reja.
Tash, në mesin e 117 përfituesve janë edhe qendra për art bashkëkohor “Stacion” me 20 mijë euro, Organizata Kulturore e të Rinjve me 11 mijë euro, Sh.K. “Gjurmët” me 10 mijë e 760 euro, shtëpia teatrore filmike “AKT” me 25 mijë euro, shoqëria kulturore artistike “Malsori” me 27 mijë e 100 euro për “Hasi Jehon 2023”, galeria “Qahili” me 30 mijë euro, orkestra frymore “Prizreni” me 20 mijë euro, Fondacioni Kosovar i Arkitekturës me 20 mijë euro, shoqata “Qendra e Artit Muzikor DAM” me 20 mijë euro e po aq ka marrë përkrahje edhe qendra kulturore “Pre Art”. Pa numër rendor, në listën e së premtes figuron edhe festivali ndërkombëtar i teatrit “Prizren Fest” me 30 mijë euro.
Ministria e Kulturës ka “rihapur” kuletën edhe për disa organizata duke ua përmirësuar shifrat.
Një natë më parë “Artpolisi” u përkrah me 60 mijë euro. Të premten i janë shtuar edhe 20 mijë. Ka “përmirësuar” shifrat edhe për “DokuFestin” duke ia shtuar 10 mijë, prej 90 mijë sa ishte lansuar një ditë më parë. Buxhetin ia ka shtuar për 17 mijë e 745 euro edhe organizatës “Ec Ma Ndryshe”, duke e rrumbullakuar në 80 mijë. Gati po aq ia ka rritur edhe teatrit “Oda”. Në “listën e zhdukur” u përkrah me 62 mijë e 200 e me listën e rishfaqur me 80 mijë. Organizatës joqeveritare “Integra” për projektin “Dokumentimi i trashëgimisë artistike në Kosovë – edicioni i 4-t”, ia ka dyfishuar buxhetin nga 15 mijë të enjten pasdite, në 30 mijë të premten.
Për zhdukjen e listës Ministria e Kulturës ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e KOHË-s të enjten vonë.
Me llogaritjet e Ministrisë së Kulturës del se me “Thirrjen për projekt-propozimet kulturore 2023” do të përkrahë 116 projekte me 2 milionë e 765 mijë, por aty i mungon një projekt 30 mijë eurosh, në faqen e tretë.
Të enjten, KOHA ka raportuar për zhdukjen e listës, e cila ishte e dyta në krejt këtë histori për të njëjtën thirrje.
Në listën e projekteve të refuzuara në mesin e qershorit kanë qenë 313 sosh. Tok me ato që u përkrahën fillimisht, 36, i binte që përkrahje prej MKRS-së të kenë kërkuar 349 organizata joqeveritare.
Tash lista e përfituesve gati u trefishua dhe për këtë punë nuk janë dashur më shumë se tri ditë shqyrtime. Brenda 24 orësh u shqyrtuan e futën në listë edhe 11 projekte dhe buxheti lëvizi për mbi çerek milioni euro tok me përmirësimet në pesë organizata.
Komisioni vlerësues ishte përbërë nga Fatbardha Nasufi, kryesuese dhe anëtarët Milot Mustafa, Eronita Januzaj, Detjan Hulaj dhe Nafije Misini. Ai i ankesave ka pasur në përbërje kryesuesin Fidan Shatri, zyrtar për koordinim me Federata në Departamentin e Sportit në MKRS dhe anëtarët Ismet Haskaj, zyrtar për monitorim dhe vlerësim në Departamentin e Rinisë e Gresa Bytyqin, zyrtare administrative në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Milot Mustafa, udhëheqës i Divizionit për Trashëgimi të Luajtshme dhe shpirtërore ka qenë “anëtar rezervë”. Siç ua tregojnë pozitat, asnjëri prej atyre që figurojnë si anëtarë, nuk vijnë prej fushës së kulturës.
Lista e së enjtes ka heshtur edhe jo pak prej atyre që kur u refuzuan qenë të zëshëm. Ende s’e kanë komentuar as zhdukjen e saj dhe listën e re të së premtes. Në rrjete sociale kryesisht, ka pasur reagime të atyre që s’e panë projektin e vet në asnjërën prej listave, por jo për procesin.

“Vazhdoi avazi i vjetër…”
Dramaturgu Jeton Neziraj, është njëri prej zërave të paktë kritikë prej skenës kulturore. Kishte reaguar edhe të enjten kur u zhduk lista. Të premten nuk është befasuar fort.
“Fatkeqësisht, sërish edhe sivjet vazhdoi avazi i vjetër i paqartësive, i mos-transparencës, i konfuzionit e i vendimeve arbitrare”, ka thënë Neziraj.
Lista që u zhduk më pas, ishte lansuar disa orë pasi Qeveria, nëpërmjet ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, u zotua ndër të tjera për “politikën e re kulturore” e për “dinjitetin e artistit”. Zotime si këto janë dhënë kur ekzekutivi miratoi Projektligjin për artin e kulturën i cili në atë version, shfuqizon Ligjin për Institucionet e Kulturës, Ligjin për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, atë për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe për ansamblet e tjera, si dhe Ligjin për teatrot.
“Mijëra të përshirë në konsultime, kjo është reforma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë në fushën e kulturës. Jemi ambiciozë në politikën tonë të re kulturore. Kulturën duam ta shohim me financim adekuat, ndërsa artistin të jetojë dinjitetshëm nga puna artistike”, kishte thënë ministri Çeku.
Me zotime si këto, Neziraj e ka lidhur rastin e listave.
“E ndërkohë që bëhen gabime në hapa kaq të vegjël, siç është kjo e ndarjes së një buxheti, e ku përfillja e kriterit të meritokracisë e transparenca do të duhej të ishin gjëra bazike, MKRS-ja trumpeton ‘reforma radikale’ e ndryshime rrënjësore në skenën e artit e kulturës! Pra, para se këtë të dytën, ndoshta do të duhej të na jepnin shembuj se dinë t’i bëjmë mirë edhe këto punët ‘me të vogla’”, ka thënë Neziraj edhe pasi organizata udhëhequr prej tij, u përfshi në listën e përfituesve me 80 mijë euro mbështetje për programin vjetor. Në listën preliminare, “s’i kishte plotësuar kriteret”.
Thirrja për auditim të skandalit me lista
“Skandal”, ka thënë artistja Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës kur ka folur për zhdukjen e listës brenda natës. Krejt procesi sipas është i komprometuar për shumë arsye. Ka listuar katër. “Si e para: organizatat që kanë program vjetor dhe dihet se kush janë dhe çfarë i kanë dhënë skenës edhe sa duhet të dëshmohen?”, ka pyetur Hoxha. Sipas saj, ka organizata që janë regjistruar në mars të këtij viti kur edhe ka dalë konkursi.
“Dhe edhe pse pa ndonjë sfond të punëve, kanë marrë fonde të majme”, ka thënë ajo. Te arsyeja e tretë ka renditur se thirrjet për subvencione të fushave dalin veç e veç, e me këtë edhe listat preliminare ose finale.
“Por kur ato shqyrtohen, shqyrtohen të gjitha bashkë nga njerëz të sportit që vendosin për art dhe anasjelltas. Kush janë dhe çfarë kredo kulturore kanë akterët që brenda Ministrisë, ministri Çeku ua ka besuar ndarjen e 1.7 milionëve?”, ka thënë Hoxha, duke iu referuar përbërjes së “Komisionit për shqyrtimin e ankesave të aplikantëve OJQ-ve të cilët nuk janë kualifikuar nga komisionet vlerësuese të thirrjeve publike”. Dy burime të KOHËS kanë bërë të ditur se vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka takuar anëtarët e Komisionit një ditë pas shpalljes së listës preliminare me vetëm 36 projekte që i kaluan kriteret.
Hoxha te arsyeja e katërt e komprometimit të procesit ka listuar presionin.
“Ka pasur presion te komisionet për ta plotësuar listën, e që përben shkelje dhe ndërhyrje në pavarësinë e tij”, ka thënë ajo.
E hapur në mars, “Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2023” edhe sivjet ka vonuar rezultatet. Çështja e publikimit të mbështetjes vjetore për organizatat e kulturës e të trashëgimisë kulturore në gjysmë të vitit – kur disa prej festivaleve më reprezentative kanë përfunduar – është veç një kapitull i historisë së Ministrisë së Kulturës sa i përket “Thirrjes...” kryesore që mbështet financiarisht skenën e pavarur të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
Deputetja Hoxha e rendit si problem kryesor.
Gjëja e parë e rëndësishme të ceket është se thirrja që zakonisht bëhej në janar apo në shkurt, këtë vit është vonuar. Kjo bën që të gjitha aktivitetet që mbahen në gjysmën e parë të vitit të mbeten peng ose të realizohen me premtime se do të kalojnë. Të njëjtat projekte të cilat veç janë realizuar si mund të raportojnë për një subvencion që u është ndarë pas përfundimit të aktivitetit? Kjo është shkelja e parë”, ka thënë Hoxha. Eksperimentim e ka cilësuar sistemin e aplikimit të MKRS-së e për të cilin qysh vjet ankesat për telashe e dështim kanë qenë të shumta. Ka veçuar edhe një rast e që lidhet me organizatën “Ec Ma Ndryshe”. Vetë ministri i Kulturës, dikur ka qenë drejtor i kësaj organizate.
“Njëkohësisht e ka dëmtuar shumë skenën e pavarur, por edhe ka krijuar hapësirë për vete që në idenë e procesit të ankesave të kalojë projekte në interesat e ngushtë të akterëve të lidhur me pushtetin. Shihni rastin e OJQ ‘Ec ma Ndryshe’: Fillimisht nuk është në listën preliminare, më pas në listën finale – e cila u zhduk menjëherë pas publikimit – u shfaq me mbi 62.000 euro dhe sot në listën tjetër finale u shfaq me 80.000 euro”, ka thënë Hoxha.
Procesi i shqyrtimit nga aplikimi e deri te lista finale ka zgjatur tre muaj. “E ankesat e plotësimi i listës për tre ditë. Në bazë të cilave kritere? Më shumë para janë ndarë në listën e plotësuar se në të parën?”, ka pyetur Hoxha. Sipas saj, duhet të bëhet databaza e artistëve, organizatave të artit, e të ketë edhe një monitorim të projekteve mbështeten me paratë publike. Pa përmendur arsyen, i është rikthyer organizatës “Ec”. “80. 000 euro OJQ ‘Ec ma Ndryshe’ i merr nga taksat tona për ‘Zhvillimin e mëtejmë të organizatës me fokus në trashëgimi kulturore’ A po e kuptoni? Domethënë para për ta zhvilluar organizatën. A ka dikush që e mat ndikimin në jetën publike të një aktiviteti si ky p.sh. i ‘Ec Ma Ndryshe’”, ka thënë ajo.
Ka numëruar krejt këto, e procesin e ka cilësuar si krejtësisht të kompromentuar por ka thënë se nuk bën të anulohet. “Anulimi e dëmton më së shumti skenën kulturore të pavarur e me këtë edhe jetën tonë publike. Por kështu siç është, duhet të ketë një hulumtim, shqyrtim dhe auditim të krejt procesit”, ka thënë Hoxha.