Kulturë

Ministria e Kulturës rrit honorarët, mbi çerek milioni euro për këshilla drejtues

Këshillat drejtues që në disa raste përbëhen nga 7 anëtarë e në disa të tjera nga 5 sish, deri tash kanë pasur të drejtë që të mbajnë mbledhje deri në dy herë në muaj. Secili anëtar është kompensuar me nga 100 euro për mbledhje. Kryetari, 125. Kurse sekretari i Këshillit paguhet 50 euro për mbledhje. Tash gjërat janë duke ndryshuar. Ministria e Kulturës ka vendosur që të lejohen deri në 4 mbledhje në muaj. I bie që të dyfishohen shpenzimet. Mbledhjet e këshillave drejtues nga dy herë në muaj shpesh janë parë si gjë e panevojshme. Për disa nga ata që kanë qenë pjesë e këshillave apo edhe e institucioneve që kanë këshilla drejtues, të mbahen mbledhje çdo muaj është fort e pakuptimtë

Ministria e Kulturës ka vendosur që ta hapë kuletën sa u përket këshillave drejtues të institucioneve qendrore të kulturës dhe atyre të trashëgimisë kulturore. Këshillat drejtues që në disa raste përbëhen nga 7 anëtarë e në disa të tjera nga 5 sish, deri tash kanë pasur të drejtë që të mbajnë mbledhje deri në dy herë në muaj. Secili anëtar është kompensuar me nga 100 euro në mbledhje. Kryetari, 125. Kurse sekretari i Këshillit paguhet 50 euro për çdo mbledhje. Tash gjërat janë duke ndryshuar. Ministria e Kulturës ka vendosur që të lejohen deri në 4 mbledhje në muaj. I bie që të dyfishohen shpenzimet. Mbledhjet e këshillave drejtues nga dy herë në muaj, shpesh janë parë si gjë e panevojshme. Për disa nga ata që kanë qenë pjesë e këshillave apo edhe e institucioneve që kanë këshilla drejtues, të mbahen mbledhje çdo muaj është fort e pakuptimtë.

Janë 10 institucione qendrore të kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Krejt bashkë kanë 54 anëtarë këshillash, plus nga një sekretar. I bie që në vit të paguhen 295 mijë e 200 euro vetëm për punën e këshillave drejtues.

Në rastin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Këshilli Drejtues përbëhet nga 7 anëtarë. Një mbledhje në javë buxhetit i kushton 775 euro. Për një muaj shpenzimet shkojnë në 3 mijë e 100 euro. Kurse në vit i bie që Këshilli Drejtues të paguhet me 37 mijë e 200 euro. Buxheti vjetor i institucionit për projekte ku hyjnë edhe mallrat e shërbimet është 320 mijë euro. I bie që më shumë se 10 për qind e buxhetit vjetor të shkojë në pagesë të Këshillit Drejtues. Te disa institucione të tjera përqindja është edhe më e lartë në raport me buxhetin vjetor. Në rastet ku puna e këshillave bazohet në rregullore, MKRS-ja është duke i ndryshuar rregulloret për të mundësuar mbledhje deri në katër herë në muaj.

Te Teatri, të paktën dy prej anëtarëve të Këshillit Drejtues kanë qenë kandidate të Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Shkurtë Aliu dhe Majlinda Bregasi. Anëtarët e tjerë janë: Ben Apolloni, Visare Aliu, Gresa Pallaska, Vlora Meroci e Donika Gashi.

Sipas Ligjit për teatro, Këshilli Drejtues aprovon politikat afatgjata të zhvillimit dhe politikën artistike, me propozim të drejtorit të përgjithshëm, miraton planin vjetor buxhetor të teatrit, me propozim të udhëheqësit artistik, dhe në përputhje me buxhetin vjetor miraton programin artistik vjetor të teatrit, shqyrton dhe miraton raportin vjetor financiar të teatrit. Pastaj harton dhe propozon statutin, rregulloret dhe aktet e tjera nënligjore të teatrit, të cilat i miraton ministri i Kulturës, interviston kandidatët dhe zgjedh drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik, si dhe inicion procedurën dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik.

Varësisht nga institucioni kulturor apo ai i trashëgimisë kulturore mund të ndryshojnë përgjegjësitë e këshillave drejtues. Por përgjegjësia bazike është e njëjta te të gjitha institucionet.

Jeton Neziraj ka qenë drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Më pas ishte edhe kryetar i Këshillit Drejtues.

Ai ka thënë se në rrethanat kur shumica e institucioneve publike të kulturës janë pa drejtues, ose me zëvendësues të drejtuesve, “ministri ka gjetur një rrugë të shkurtër për ta ‘fuqizuar’ menaxhimin e këtyre institucioneve”. Sipas tij, është fuqizuar një hallkë shtesë, një trupë e cila në fakt do të duhej të kishte shumë më pak kompetenca sesa që aktualisht ka.

“Dhe unë mendoj që kjo është rrugë e gabuar, dhe është krejt e kundërta e asaj për çfarë është zotuar në fillim ky ministër, se do t’i depolitizonte e do ta shkarkonte pushtetin e tij dhe të MKRS-së nga institucionet publike të kulturës”, ka thënë Neizraj. Ka ngritur disa pyetje se çfarë mund të bëjë një këshill drejtues që mblidhet katër herë në muaj.

“Tani, për çfarë mund të flasë një këshill drejtues që takohet katër herë në muaj? Do të hanë fara e do të pinë çaj? Ata thjesht, do të jenë pengesë për menaxhmentin! Natyrisht, tani, ndër të tjera, kemi edhe një Këshill Drejtues që Teatrit Kombëtar do t’ia hajë rreth 10 për qind të buxhetit vjetor, rreth 37 mijë euro në vit, dhe kjo është shpenzim i panevojshëm, për të mos thënë është abuzim!”, ka thënë Neziraj.

Agon Myftari ka qenë udhëheqës artistik i TKK-së. Për katër vjet, shkaku i detyrës ka punuar edhe me Këshillin Drejtues të atij institucioni.

Ai ka thënë se të qenit anëtar i një këshilli drejtues sipas Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, i bie të penalizohesh duke të pamundësuar të ushtrosh profesionin primar në rastin kur ky anëtar është artist.

“Pra, nuk ke të drejtë të marrësh projekte e të ushtrosh profesionin tënd në institucione nën vartësi të MKRS-së. Kjo i tremb artistët e emrat eminentë, i dekurajon të duan të jenë anëtarë të një këshilli duke i ditur pengesat dhe krejt kjo, fundja për një kompensim prej 200 eurosh në muaj (dy mbledhje), mendoj që është problem”, ka thënë ai.

Sipas tij, për këto arsye shpeshherë nëpër këshilla drejtues përfundojnë njerëz e figura jo eminente ndryshe prej qysh parashihet me Ligjin për teatro.

“Madje besa shpesh edhe njerëz qe nuk i njohin fare problematikat e specifikat e punës në teatër...”, ka thënë ai. Sipas tij, duhet shqyrtuar mundësia që të ndryshohet Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit. Ka numëruar përgjegjësitë e Këshilli Drejtues të Teatrit. Por, sipas tij, mbikëqyrja e institucionit nga KD-ja shpeshherë ka tendencë të keqkuptohet e të keqpërdoret nga anëtarët.

“Me shumë qejf përzihen në çështje që nuk ju takojnë me ligj. Pra, kompetenca menaxheriale, të shtyjnë përpara interesa të ngushta, me fjalë të tjera shpeshherë e kanë luajtur rolin e policit e të autoritetit ekzekutiv në çështje që fare s’kanë të bëjnë me kompetencat e tyre”, ka thënë Myftari. Ka shtuar se për kompetencat që kanë mjaftojnë dy mbledhje në muaj.

“Ndërsa për të shti rruza në pe e për ta luajtur policin nuk mjaftojnë as takime javore, e as në baza ditore”, ka thënë ai. Problemet e Teatrit janë të shumta, sipas Myftarajt, saqë edhe me takime të përditshme vështirë zgjidhen, por ato janë në të shumtën e rasteve probleme të menaxhmentit e jo të Këshilli Drejtues. “Tani me dyfishu numrin e mbledhjeve nuk me duket të jetë najfarë zgjidhje e problemeve të Teatrit”, ka përfunduar ai.

Ministria e Kulturës për më shumë se tri javë nuk ka kthyer përgjigje se mbi çfarë baze është vendosur që të dyfishohen mbledhjet, e njëkohësisht edhe buxheti për to. E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në fillim të muajit në emisionin “Java sonte me Rronin” në KTV ka thënë se konflikti i interesit është problem i madh në raport me anëtarët e këshillave drejtues. Ka përmendur se një artist që është anëtar i një këshilli drejtues nuk mund të fitojë projekte në institucionet e kulturës.

“Ne kemi thënë deri në 4 mbledhje në muaj, sepse me reformën në kulturë kemi nevojë për përgatitjen e institucioneve për ndryshime. Për ndryshim duhet bërë gati institucionet tona. Nëse nuk kanë punë nuk takohen. Besoj se një herë në javë takim me kompensim është kompensim i natyrshëm për punën e këshillave drejtues”, ka thënë ai. Sipas tij, këshillat do të kenë punë me përmirësimin e komunikimit publik te institucionet, me program edukativ, me mobilitetin institucional ose dërgimin e repertorit jashtë Prishtinës, e po ashtu me plane vjetore e strategji 5-vjeçare. Por sipas ligjeve aktuale, asnjë prej këtyre nismave nuk bien në domenin e këshillave. Këto organe nuk marrin iniciativa, por miratojnë ose jo programe e politika.