Me kritikën kryesore se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka vepruar deri më tani si ministri e skemave sociale, ministri Hajrulla Çeku ka shpalosur si vizion të partisë së tij zhbllokimin e potencialit zhvillimor të fushave që mbulon ky institucion. Nëpërmjet një konference për media të mbajtur të martën paradite, ai ka shpalosur programin dhe prioritetet e kësaj ministrie për këtë mandat.
Fillimisht, Çeku ka bërë me dije përbërjen e ekipit të tij me zëvendësministrat Daulina Osmani e Sejnur Veshall, Klodeta Krasniqin, shefe e kabinetit; si dhe këshilltarët Nora Arapi-Krasniqi, Dorotea Deshishku, Onur Canhasi dhe Liburn Jupolli.
Në fillim të adresimit të tij, ai ka thënë se MKRS-ja ka funksionuar si ministri e skemave sociale ku, sipas tij, “me skema të subvencioneve, të gjithëve nga pak e askujt mjaftueshëm, për dy dekada është mirëmbajtur mjerimi”.
“Vizioni ynë është të zhbllokojmë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës e sportit. Ta trajtojmë kulturën si kontribuuese në mirëqenien shoqërore dhe ekonomike; trashëgiminë kulturore si promovuese të vlerave; sportin si zhvillues i imazhit shtetëror dhe mirëqenies sonë; dhe rininë e Kosovës si pjesëtar aktiv në jetën ekonomike dhe sociale të vendit”, ka thënë ministri Çeku.
Duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga gazetarët për të sqaruar alternativën ndaj konceptit të skemave sociale, ai ka thënë se problemi kryesor ka qenë shpenzimi i buxhetit të Ministrisë që, sipas tij, e ka mirëmbajtur mjerimin.
“Janë harxhuar mjetet dhe nuk është krijuar një efekt i shtuar nga ky financim. Kjo mënyrë e të financuarit duhet të ndjekë një logjikë tjetër: atë të kthimit ekonomik e shoqëror. Kur shpenzojmë mjete, ne duhet të shohim se çfarë dobie i sjellin ato vendit”.
Ministri Çeku ka theksuar se fokusi në kulturë përfshin institucionet kombëtare të kulturës dhe skenën e pavarur kulturore. Me këtë rast, ai ka shprehur zotimin për reformim administrativ, autonomi financiare e qëndrueshmëri institucionale të institucioneve kombëtare të kulturës.
“Do të rishikojmë kornizën ligjore dhe aktet e brendshme, do t’i sigurojmë llogaritë bankare, kodet buxhetore dhe zyrtarët financiarë”, ka thënë Çeku teksa ka shtuar se do të bëhet kujdes që në krye të institucioneve të zgjidhen profesionistë.
Duke shpalosur prioritetet në vazhdim, ai po ashtu është zotuar për të ndërmarrë “ndërhyrje rinovuese” në disa ndërtesa të institucioneve kulturore. E po kështu, sipas tij, do të bëhet edhe konceptimi dhe themelimi i institucioneve të reja kombëtare të kulturës si Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri i ri Kombëtar, Muzeu i Artit Bashkëkohor e Rrjeti i kinemave të Kosovës.
“Ndërsa, institucionet dhe krijuesit e skenës së pavarur kulturore do t’i trajtojmë si partnerë strategjikë. Në bashkëpunim me skenën e pavarur do të themelojmë Fondin Kulturor si instrument më efikas për rritjen e mbështetjes financiare dhe zhvillimin e skenës së pavarur. Do të kujdesemi për njohjen ligjore të skenës së pavarur kulturore dhe definimin e statusit të krijuesit”.
Në vazhdim të shpalosjes së programit, Çeku ka thënë se në kuadër të nismave për edukim artistik është zbatimi i programit shkollor për pjesëmarrje të rritur dhe të rregullt të nxënësve në ngjarjet kulturore. Sipas tij, Qeveria do të investojë në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në fusha deficitare, me fokus të veçantë në dokumentim kulturor dhe menaxhim kulturor.
“Do të mbështesim programe për shndërrimin e hapësirave të pashfrytëzuara publike në hapësira kulturore. Do të mbështesim promovimin ndërkombëtar të artit dhe kulturës së Kosovës, si dhe do të fuqizojmë qendrat kulturore të Kosovës në diasporë. Do të përmirësojmë praktikat për mbrojtjen e së drejtës së autorit përmes zbatimit të tarifës së ritransmetimit dhe bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale”.
Duke folur për trashëgiminë kulturore, ministri Çeku është shprehur se puna e parë do të jenë ndërhyrjet emergjente në rreth 200 monumente në rrezik. Ai ka thënë se do të fuzionohet me resurse Inspektorati i trashëgimisë kulturore, si dhe do të nisë procesi i licensimit të entiteteve profesionale për resaurime për të pamundësuar kryerjen e punëve restauruese nga kompani joprofesionale. Në planet e MKRS-së, sipas tij, janë edhe rishikimi i kornizës ligjore, udhëzuesit për menaxhim të aseteve, planet e menaxhimit, mekanizmat për monitorim sistematik të gjendjes së monumenteve.
“Kujdes të veçantë do t’i kushtojmë rregullimit të statusit të mbrojtjes së përhershme ligjore për të gjitha kategoritë e trashëgimisë kulturore. Menjëhere pasi ky Kuvend të zgjedhë anëtarët e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ne do të procedojmë dosjet për shpallje të aseteve në mbrojtje të përhershme ligjore”.
Ndërkaq sa u përket restaurimeve, ministri Çeku ka thënë se programi i ri synon revitalizimin e aseteve përmes metodës së ripërdorimit përshtatës që e integron kriterin e qëndrueshmërisë financiare në menaxhimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.
“Qeveria do të hartojë edhe planet e hollësishme rregulluese për qendrat historike dhe zonat e veçanta të mbrojtura, për të vazhduar me ndërhyrje restauruese dhe revitalizuese në qendrat historike të Kosovës. Me përkushtim të veçantë do të trajtohet përcaktimi i zonave mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe përfshirja e tyre në dokumente të planifikimit hapësinor”, ka thënë ai.
Tutje, ministri Çeku ka përmendur edhe synimin për krijimin e inventarit shtetëror të trashëgimisë shpirtërore, zhvillimin e muzeve ekzistuese dhe lansimin e projekteve të reja muzeale, ashtu sikundër edhe angazhimi për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të shërbyesve civilë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.