Kulturë

Mimoza Veliu i rikthehet Tetovës me rrëfim dashurie e shprese

Ishte viti 1999 kur do ta linte vendlindjen për të jetuar në Gjermani, por të mërkurën, një ditë pas Prishtinës, “Dallga e dytë” e ka kthyer Mimoza Veliun para lexuesve e kolegëve në Tetovë. Veliu është vlerësuar si poete e zonja e po ashtu edhe si romanciere që nëpërmjet një gjuhe të butë sjell për lexuesit një rrëfim i cili hap horizonte të brendshme të njeriut

Më shumë se dy dekada pasi kishte lënë vendlindjen e saj, Mimoza Veliu i është kthyer Tetovës si autore romani. Më 1999, kur edhe u zhvendos nga qyteti rrëzë Sharrit, Veliu kishte botuar librin e saj të parë. “Muret rrënohen pas teje” titullohet përmbledhja me poezi që Veliu e kishte lënë si trashëgimi në vendlindje.

Por të mërkurën, qyteti i saj qe nikoqir i librit të dytë – romanit “Dallga e dytë” botuar nga Botimet KOHA. Në ceremoninë e mbajtur në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tetovës, Veliu është vlerësuar si poete e zonja e po ashtu edhe si romanciere që nëpërmjet një gjuhe të butë sjell për lexuesit një rrëfim i cili hap horizonte të brendshme të njeriut.

Selajdin Salihu, në cilësinë e recensentit të librit, ka thënë se pasi Mimoza Veliu u zhvendos në Gjermani u duk sikur e braktisi pasionin e saj – letërsinë. Sipas tij, letërsia është ajo që nuk kishte ndërmend ta braktiste Veliun.

“Kur e provoi lidhjen fatale me letërsinë më nuk mundi të shkëputej nga kthetrat e mistershme të saj”, ka thënë Salihu.

Sipas Salihut, në veprën e saj Veliu sjell një rrëfim pa konflikte ndërmjet personazheve, pa ndonjë antagonist shpirtzi dhe mizor që të tjerëve u shkakton vuajtje për shkak të tekave, xhelozive e smirës. Ka thënë se nuk ka personazh që dashurinë fatale e kthen në urrejtje, por ka personazhe që pranojnë zgjedhjen e tjetrit edhe kur kjo zgjedhje u shkakton dhimbje.

“’Dallga e dytë’ nuk është rrëfim i gatuar me mëlmesa ofshamash, pasthirrmash dhe sentimentalizmash. Është një rrëfim i trishtë i shkurtër, i qartë, i kapshëm dhe me nënshtresa të fshehura kuptimore”, ka thënë Salihu. Sipas tij, autorja ka krijuar një realitet simbolik nëpërmjet magjisë gjuhësore. Ka thënë se ky realitet simbolik i krijuar me instrumentet e letërsisë e shpalos mesazhin se dashuria është forca e mistershme e pashpjegueshme dhe e papërkufizuar që ia rikthen kuptimin jetës së fshikulluar prej kamxhikëve të fatalitetit.

“’Dallga e dytë’ është rrëfim me fund ku ka shpresë, por edhe trishtim. Me një fund ku ndodh triumfi ndaj frikës, ndaj së kaluarës së errët. Asaj së kaluare që duam ta harrojmë, por nuk mundemi, që duam ta flakim nga qenia, sikur të ishte një copë e hidhur pështimë, por nuk kemi gjasë”, ka thënë Salihu, i cili është profesor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Berton Sulejmani, dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tetovës, ka përmendur faktin se më 1999 Mimoza Veliu botoi edhe përmbledhjen e saj me poezi “Muret rrënohen pas teje”. Sipas tij, promovimi i librit të ri është një rast i shkëlqyer për të krijuar një marrëdhënie të re midis shkrimtarit e lexuesve. Ka thënë se Fakulteti i Filologjisë krahas punës që bën, mbështet dhe do të mbështesë autorët e shkrimtarët. Sipas tij, kjo ngjarje ua mundëson studentëve që të njihen drejtpërdrejt me shkrimtaren Mimoza Veliu.

“Ajo me një pasion të madh iu rikthye shkrimit. Kur një libër sheh dritën e botimit, ai më nuk është pronë vetëm e shkrimtarit, por bëhet pronë edhe e lexuesit. Urojmë që libri që po e promovojmë sot të ketë një fat të bardhë e autores shëndet e suksese të reja”, ka thënë Sulejmani.

Vetë autorja Mimoza Veliu ka thënë se është shumë e emocionuar që vepra po promovohet në vendlindje. Ka falënderuar parafolësit, sidomos recensentin për shtytjen që i ka bërë që të shkruajnë.

Veliu, e cila në studion dhe galerinë e saj “JAMMIN” kuron ngjarje të ndryshme muzikore, të letërsisë dhe të artit vizual, sikurse në Prishtinë edhe në Tetovë ka thënë se në Ballkan ka shumë faktorë të jashtëm që e definojnë përditshmërinë dhe aspak kohë për t’u marrë me vetveten, ndërkohë që në vendet perëndimore mungojnë shumë faktorë të jashtëm dhe kjo bën që të drejtohet koka gjithnjë te vetvetja.

“Ne që jetojmë midis dy kulturave, gjendemi në mes”, ka thënë autorja që është edhe laureate e çmimit “Gjon Mili” për fotografi. Sipas saj, libri “Dallgë e dytë” është shkëputje nga përditshmëria dhe afrim te vetvetja. Sipas përshkrimit që i është bërë veprës, Julia si një grua e suksesshme në sipërmarrje, por shpirtërisht e shkatërruar rikthehet në Maldive për t’u përballur me të kaluarën e saj. Përhapja e koronavirusit do t’i ndërronte planet e saj dhe izolimi do të bënte që t’i hapej një dimension i ri.

“Në fund të librit do të hapet një dritare e re që do t’i sjellë asaj rreze dielli pa fund”, ka thënë autorja e veprës, që ishte në konkurrencë për shpërblimin vjetor për letërsi “Rexha Surroi” për vitin e kaluar.

Paraprakisht, në Prishtinë, nga botuesja Flaka Surroi e bashkëredaktorja Majlinda Bregasi romani është vlerësuar si një vepër e jashtëzakonshme.

“Pse libri është i veçantë? Kur e fut në kontekstin e asaj që shkruhet sot në letërsinë shqipe, ky libër vërtet dallon, sepse është larg atij patosit të atyre temave të mëdha heroike e patriotike. Jo përse këtu nuk ka një temë të madhe. Por ajo temë e madhe është e shkruar me një elegancë e butësi, që në fund të çon tek ideja që vërtet lumturia përbëhet nga gjërat e vogla e jo nga të mëdhatë”, kishte thënë Bregasi, që është redaktore bashkë me Ela Wamsler. Ajo kishte thënë se vepra është një dramë e fortë që lexuesi do ta zbulojë nëpërmjet një gjuhe të butë.

“Me një gjuhë sa elegante e të stilizuar, që e çon lexuesin deri te pranimi i të gjithë tregimit dhe në fund vjen tek ajo se jeta është e tillë dhe si e tillë duhet jetuar. Sensibilitetin e Mimozës si artiste do ta ndieni edhe në libër”, kishte thënë Bregasi.