Kulturë

“Mesjeta...” e Apollonit nxit përplasje qysh në përurim

Libri që vjen si vepër autobiografike dhe nëpërmjet eseve rrëfen se tashmë shoqëria ka hyrë në një mesjetë të re, është bërë sebep për një debat që ka shpërthyer fill pas përurimit.

Të mbledhur në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, disa nga të pranishmit e kanë lëshuar sallën gjatë fjalimit të autorit të “Mesjeta ime”, Ag Apolloni. Nga pikëvështrimi i tij, Kosova ka shumë institucione kulturore, por asnjë çerdhe kulturore. I ashpër ka qenë në fjalën që ka përmbyllur përurimin e librit të tij, shkruan sot Koha Ditore.

Ata që e kanë lëshuar sallën i takojnë një institucioni kulturor e shkencor. E të tjerët kanë reaguar më pas.

Sipas përshkrimit që i është bërë librit me dhjetë ese, “Mesjeta ime”, nxjerr Qeverinë si kishë mesjetare, mediet dhe rrjetet sociale si inkuizicion, intelektualin si pelegrin që kërkon të çlodhet në një vend të shenjtë, maskën si fytyrë të padenjë, skizmën si pasojë të shpërdorimit të lirisë e alegorinë si kuptim të fshehur të jetës. Rrëfimi e analiza e Apollonit prekin prejardhjen e tij, gjendjen aktuale të shoqërisë, e del deri tek konstatimi se ngjarjet e fenomenet e mesjetës janë të pranishme edhe tash por, thjesht, kanë ndërruar metodat.

Apolloni, që është profesor i letërsisë në Fakultetin e Filologjisë, ka thënë se ka ardhur në përfundim që asnjë njeri nuk është vetvetja derisa është trashëgimi e brezave. Kjo, sipas tij, sigurisht që i bën njerëzit të veprojnë shpesh kundër vullnetit të tyre....(Më Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")