Kulturë

Mentor Ejupi – Toro, artisti që reflektonte atdheun në veprat e tij

Njihej si artist guximtar që nëpërmjet artit godiste regjimin në të cilin po jetonin shqiptarët në vitet ‘90. Piktura e karikatura ishin mediumet në të cilat ai shprehej e shpesh rebelohej. Kur tek miqtë e tij përmendet Mentor Ejupi – Toro, përshkrimet e para vijnë për atdhedashurinë e afërsinë e tij me njerëzit. Të dielën atij i është dhënë lamtumira e fundit nëpërmjet ceremonisë së varrimit në vendlindjen e tij në fshatin Sekiraqë të Podujevës. Toro vdiq të enjten në moshën 56-vjeçare dhe u varros me nderime nga familjarët e miqtë.

Ditë zie ka qenë e diela për familjarë e miq të artistit Mentor Ejupi, karikaturistit e piktorit që nëpërmjet artit rrezatonte edhe vlerat shqiptare. Në praninë e shumë njerëzve i është dhënë lamtumira e fundit dhe pikërisht kjo gjë ka qenë rikonfirmim i asaj për çfarë e kujtojnë miqtë e tij – të dashur dhe të afërt.

Në fillim të viteve ‘90 ai e kishte takuar skulptorin Skënder Boshtrakaj, tek i cili imazhi i Toros ishte ndërtuar si guximtar që përmes artit të refuzojë pushtetin, ta ngacmojë e ta interpretojë me mediumin e tij. Saktësisht kishte qenë viti 1991 kur ishte organizuar Salloni i Karikaturës.

“Atë kohë e kam pasur një grup shokësh shumë të afërt që janë marrë me karikaturën. Ka qenë jo veç i dedikuar për artin, por edhe i angazhuar për artin. Aty edhe e kam pasur rastin ta shoh nga afër atë. Një takim të shkurtër e kam pasur edhe në Hamburg, ku kam pasur një specializim të të rinjve dhe e kam dëgjuar emrin e tij ku edhe kemi pasur një takim të shkurtër me një ndjenjë pozitive shumë të rrallë”, është shprehur Skënder Boshtrakaj. E ka vlerësuar si evropian tipik që jetonte plotësisht shqip por në dimension bashkëkohor. E ka vlerësuar të përbashkët mendimin se pos si artist i madh, Ejupi ka qenë edhe njeri i mirë e artist me vlera të larta për të cilin mburret vendi.

Temat sociale në përgjithësi, veçanërisht jeta nën okupimin e represionin serb, e bënin më të ashpër mesazhin që përcillej te publiku nëpërmjet veprave të tij. Një cikël punimesh do t’ia kushtonte Nënë Terezës, të cilat do t’i strehonte në ekspozitën e tij personale “The Year of the White Spirit” dhe do t’i ekspozonte në qytetin e Hamburgut.

Një prej kujtimeve të Boshtrakajt, ish-drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, është pikërisht përkushtimi i Ejupit ndaj figurës së Nënë Terezës. “Disa njerëz mendon se do t’i kesh përjetë, ani pse kemi qenë shumë larg, ndoshta takimet ishin sporadike. Ajo që kam dëshirë ta mbaj mend gjithë jetën është relacioni i tij me Nënë Terezën, ka qenë i admirimit, respektit, dashurisë, edhe pse njeri shumë krenar në raport me figurën e shenjtores shqiptare. Nëse para dikujt ai është ndier i përulur ka qenë Nënë Tereza. Edhe pse kontributi i tij ka qenë angazhim përmes artit, mendoj se emblematike është kjo pjesë”, është shprehur Boshtrakaj derisa ka shpalosur kujtimet për artistin e ndjerë.

I lindur më 1967 në Prishtinë, Ejupi, që me emrin artistik do të njihej si Toro, shkollën fillore e atë të mesme do t’i përfundonte në Prishtinë. Më pas, më 1989, do të përfundonte studimet për pikturë në Prishtinë. Dy vjet më pas kishte marrë pjesë në Sallonin e Karikaturës në Prishtinë. Asokohe ishte pikërisht karikatura që do ta bënte Toron të njohur e ato do të botoheshin nëpër të përditshmet e asaj kohe.

Fillimet e karrierës së tij i ka vlerësuar të vështira artisti Burim Berisha, i cili ka qenë i pranishëm të dielën në varrim

“Edhe pse ka pasur kriza të jashtëzakonshme ekonomike, në atë kohë të gjithë, suksesi i tij në Gjermani, ndjenja e patriotizmit, forma e punës, ndihma e tij që e ka bërë për ata që kanë dashur të ekspozojnë në Gjermani, e ka bërë atë njeri të veçantë. Afërsia e tij që ka pasur me komunitetin artistik dhe njerëzve përreth e ka bërë të jetë i respektuar nga të gjithë”, është shprehur Berisha, derisa për afërsinë e tij me njerëzit i është referuar numrit të madh të të pranishmëve në ceremoninë e varrimit si dëshmi.

“Ndjenja e patriotizmit është ajo që na ka bashkuar, si një lloj patriotizmi bashkëkohor për ta vlerësuar shtetin, artin e vlerat shqiptare, pa e banalizuar në patriotizma folklorikë. Ajo më është dukur si vlerë kryesore pos formës së artit që ai ka përdorur dhe komunikimi i tij me komunitetin artistik”.

Prej vitit 2013, Toro ishte pronar i galerisë për art bashkëkohor “My Toro“ në Hamburg. Në këtë hapësirë pos punimeve të veta kanë ekspozuar edhe shumë artistë me të cilët kishte arritur të krijonte komunitetin artistik përreth vetes. Hapësira kishte marrë vëmendjen e mediave gjermane shumë herë. Ai do të punonte e kontribuonte në avancimin e shqiptarëve në Hamburg si komunitet.

Sensibilizimin e masës e kishte një prej motiveve në krijimtari. “Arti nuk mund ta ndryshojë botën, por mund ta sensibilizojë atë”, thoshte Ejupi.

Një ditë pas vdekjes, të premten, në Hamburg të Gjermanisë u organizua mbledhje komemorative për Toron si shenjë nderimi për përfaqësimin e artit shqiptar në këtë pjesë të shtetit gjerman. “Ai iku e na la ne prapa, për ta kujtuar. Iku e la shumë për të diskutuar! Një jetë për vepra të filluara e të papërfunduara herë me përkrahje me gjysmë zemre, e herë pa përkrahje fare. Bile, ndonjëherë edhe me shpërfillje nga ata që kishin mundësinë por nuk kishin zemrën e guximin për ta mbështetur. ‘Kjo botë matet me vepra’, më tha Mentori herën e fundit që e takova”, ishte shprehur miku i Ejupit, artisti Shuk Orani, para të pranishmëve në mbledhjen përkujtimore.

Aty kishte ndarë kujtimet e momenteve të fundit me Toron. I ndjeri ishte shprehur i dëshpëruar me institucionet e artit, sipas Oranit. “Ishte i dëshpëruar keq nga mospërfillja e spektreve të caktuara vendimmarrëse në drejtim të artit e kulturës. Më tha që do të ndalet së krijuari. Më tha që kjo luftë artistike është e pakuptimtë nëse nuk ke kujt t`ia drejtosh krijimet tuaja”, kishte vazhduar fjalimin e tij Shuk Orani derisa kishte përmendur ekspozitën “Gloria – Hamburg” si të fundit projekt që e kishin realizuar bashkë.