Kulturë

“Më duhet një mjek!” – arti cipëplasur, i rrëmbyer dhe dëfryes

Edhe çastet më të qeta janë trazuese në debutimin e artistes norvegjeze Vanessa Baird në ekspozitën britanike, që gëlon nga skena groteske të jetës klaustrofobike në shtëpi

Duke i kundruar detet gjigante me pastel, vetëportretet e saj dhe skenat e jetës së çdoditshme – disa prej të cilave të përfunduara gjatë izolimit në Oslo – një pjesë e imja dëshiron të shkëputet tutje. Groteske, alarmuese, klaustrofobike dhe shpesh poshtëruese, ngjyrat e ujit të Bairdit, vizatimet dhe veprat e pastelit purteken mes humorit dhe ligësisë, konfesionales dhe burleskës. Ekspozita e saj e parë britanike në Drawing Room të Londrës, i braktisur dy herë gjatë pandemisë, do të shpaloset vitin e ardhshëm në Glasgow Women’s Library.

Tinejxherët dërdëllisin, u hedhin një sy telefonave dhe tabletëve, të fandaksur pas pajisjeve, zënë rrugën dhe mbushin shtëpinë me rrëmujën e tyre. Një grua plakë ulet në tavolinë, mes paketave me kornfleksa dhe kutive të picave, fanella e saj që shpall se është “Rubislaw Girl”, një aberdonase, rreth të nëntëdhjetave, në shtëpi në Oslo, ku jeton me të bijën e saj dhe nipat.

Ajo është një prani që përsëdytet në veprën e Bairdit. Këtu është përsëri në fustanin e saj të kuq, duke dremitur me gojën e hapur, duke i shëmbëllyer fytyrës në “The Scream” të Edvard Munchit. Dhe tani zonja e vjetër shkon drejt mureve me një fshesë, e bija e saj adoleshente përpara saj, brekët poshtë, mes bishtave të cigareve dhe pastave të dhëmbëve e një zot e di se çka tjetër në dysheme, të pasmet e gruas së re janë të skuqura nga e rrahura, me sa duket nga ajo fshesë.

Pashpjegueshëm, ose për fat të keq, ajo është e veshur si një lloj Lolite e porsalindur apo Dorothy nga “The Wizard of Oz”. Prindërit tanë e bëjnë veten tonë adoleshente të regresojë. Ne jemi në Norvegji, jo në Kanzas, dhe tornadot janë që të gjitha brenda. Duke zier nga pezmi ndërbreznor, tërbimet, frustrimet, fjalosjet dhe incidentet e brendshme të një lloji ose tjetri, Baird paraqet jetën e një tenxhereje me trysni: e mërzitshme, e përsëritshme dhe e jashtëzakonshme, mot emocional i rrëmbyer dhe i paparashikueshëm. Është një jetë e potershme, muret duke u mbyllur.

Image

Madje edhe momentet e qeta janë trazuese...në të majtë: “There’s No Place Like Home”, 2019; në të djathtë: “A Room With My Daughter”, 2019. Foto: Eva Herzog)

Ka disa kufizime të pakta apo kufij në artin e Bairdit, që kronikon përvojën e saj të përditshme, fantazitë e saj, frustrimet, dinamikat e jetës artistike dhe familjare. Sikundër familja e saj, shtëpia e Bairdit – ku ajo ka lindur dhe është rritur – duket të jetë e zënë nga fantazmat e Munchit dhe dramaturgut Henrik Ibsen dhe nga shembujt e veprave performative të regjisorit Vegard Vinge dhe dizajneres gjermane Ida Müller (që përfshijnë edhe ribërje të dramave të Ibsenit).

Në një vizatim alarmant, Baird referencon Vingen dhe Mullerin, dhe paraqet sytë duke dalë. Karl Ove Knausgaard, rrëfimet vetëfiksionale të të cilit janë të pamatura deri në tepri, është diku aty. Nuk do të befasohesha sikur të mësoja që ajo është adhuruese e Chekhovit, Pina Bauschit dhe Paul McCarthyt. Ajo ka bërë ilustrime edhe të përrallave norvegjeze dhe të Vëllezërve Grimm, duke i rrëmihur në thellësi psikologjike. Personazhe përrallash, si “Smurfs” dhe SpongeBob kanë përshkuar veprat e saj – SpongeBob duke u zbavitur mbi jashtëqitje, Little Red Riding Hoodi duke bërë seks me Big Bad Wolfin. Marina Warner do të argëtohej me gjithë këtë, ndaj edhe ne mund ta bëjmë këtë.

Arti i Bairdit është i mbushur me skena parake, parodi, erëra kutërbuese, çaste që të përziejnë barkun. Gjithçka është e shtypur del jashtë: njerëzit hidhen mbi ushqime. Dhe këtu artistja, që duket e çmeritur, afrohet mbi nënën e saj të venitur. “MË DUHET NJË MJEK” këlthet mbishkrimi i vizatimit.

Siç është i pacensuruar dhe i llojllojshëm, arti i Bairdit është i shfrenuar sa psikikisht, po aq edhe fizikisht. Ajo dikur sugjeroi edhe shkrimin e një libri me titullin “Thordy Shades of Brown”. Më kujtohet thënia e piktores Marlene Dumas: “Unë pikturoj sepse jam grua e ndyrë”. Të pastrosh e të pastrosh janë veçse dy aspekte të punës dhe kujdesit ende kryesisht femëror, rraskapitja e përsëritur e të kujdesurit për të tjerët. Puna emocionale dhe ajo e amvisërisë kanë vendin e tyre në veprën e Bairdit, dhe ajo e përnjeh tërbimin që kjo zgjon në artin e saj shpesh të rreptë e urgjent, shumë prej të cilit është rrumbullakuar në shtëpi, duke pastruar vendin për vete në tavolinën e kuzhinës apo në dhomat e fëmijëve.

Ka momente të qeta, por duke marrë parasysh kontekstin ato janë thuajse gjithnjë trazuese. Baird ka lindur nga një nënë skoceze dhe baba norvegjez, duke kaluar një pjesë të fëmijërisë në Skoci, dhe ka studiuar ilustrime nën Quentin Blakein në Royal College of Art në vitet ’80. Ajo ka fituar çmimin më të rëndësishëm artistik të Norvegjisë dhe ka dizajnuar diploma të Çmimit Nobel për Paqe.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Salih Mehmeti