Në këtë studim mendoj të mirrem pak me problematikën e studimit shkencuer të gjuhës shqipe, si degë e trungut gjuhsuer indoeuropjan. Me fjalë tjera, në ketë artikull due me tregue, në vija themelore, metodat e të studjuemit të gjuhës shqipe, mbassi ajo, për shkak t’individualitetit të saj shum të dalluem, u shtron shkenctarëve edhe metoda specifike, në disa raste mâ ndryshe se sa për gjuhët tjera. Për shembull: metoda e linguistikës shqiptare ndryshon shum a pak prej metodës, që përdoret në praktikë, kur studjohen, të thomi, gjuhët e fqîjve të saj: të Sllavëve (Serbëve e Maqedonasve) ose Grekëve.
Para se të tentoj me paraqitë këto parime, më duhet me u ndalë së pari në disa vrejtje të përparshme, të nevojshme për me mujtë me ndjekë mâ tutje parashtresën time, raporton KOHA.
E para. Kur thom se këtu do të flas për këtë metodikë, me këtê, përnjimend, nuk mendoj me thanë se ajo paraqet ndonji novitet në vjetët e fundit. Në të vërtetë, kjo metodikë âsht gatue gjatë disa dhetëvjetshave (marrë rrumbullak afër 50 vjet), dhe sod âsht në nji naltsí të dukshme. Mbas Gustav Meyer-it duelën dijetarë të përmendun si Pedersen-i e shum tjerë, kështu që kjo disciplinë shkencore kaherë âsht vû në baza të shëndosha. Por, këtu due – në nji formë aq të përshatshme sa ma lejon vetë tema (në të vërtetë mjaft e komplikueme) t’i tregoj publikut të gjanë në çka qëndron kjo metodë shkencore.
E dyta. Prap për shkak të publikut të gjanë, i cili nuk merret aktivisht me çashtje gjuhsore, por që interesohet për rezultatet themelore të shkencës – më duhet të theksoj ndryshimin ndërmjet gramatikës, nga nji anë, dhe filologjís e linguistikës, nga ana tjetër. Në të vërtetë ky âsht moment që egziston në të gjitha vendet e botës; por âsht e nevojshme me theksue sidomos ndryshimin kur âsht fjala për ata popuj, ku âsht gjuha e përgjithshme kombtare (letrare), krijesë e ré. E qe sepse. Mund të mirret si rregull ose deri edhe si ligj se interesi për gramatikën âsht i zhvilluem sidomos mû n’ambiente t’atilla, ku zhvillimi kombtar ka fillue në të kaluemen e afërme. N’ambiente të tilla ndodh që të marrin pjesë në zgjidhjen e çashtjeve të ngutshme, praktike të gjuhës kombtare, jo vetëm njerëz të degës, por edhe shtresa të gjana të kulturueme.