Projekti audio-vizual i Luan Durmishit vjen premierë
Uji që gurgullon është pamja që hap “Makthin”. Pak sekonda më vonë, nga ai ujë del Mbreti i Zi (Luan Durmishi), veshur në rroba të zeza e të ndritshme. Në anën tjetër, në një vend shkretinor shfaqet Shpirti i zi, portretizuar po nga autori i projektit, Durmishi. Në vend të kokës mban një katror plastike, ndërsa në duar ka ca si thika të zeza të cilat i zgjaten nga mesi i gishtave. Ngjarja bëhet interesante atëherë kur këto dy figura, lëvizin në sinkron.
Skena tjetër paraqet dy fëmijët, Udhëtaren dhe Udhëtarin të portretizuar nga Kanina Arifi dhe Apollon Arifi. Dy fëmijët janë të veshur komplet në të bardha. Shkretëtira ku shtrohet ngjarja merr simbolikën e nevojës për jetë.
I shtyrë nga etja e madhe, Udhëtari pranon të marrë një shishe uji nga Mbreti i Zi dhe qysh në momentin kur nis ta pijë, bie përtokë. Por ajo që bën kthesën e tregimit duke bërë që të triumfojë e mira mbi të keqen, është Udhëtarja e cila ka edhe një emër të dytë – Mbretnesha. Me ndihmën e një qaforeje të cilën ajo e këput nga qafa e Mbretit të Zi, Mbretnesha godet disa herë në gjoksin e tij, duke e lënë të vdekur me këtë rast edhe Mbretin e Zi dhe Shpirtin e Zi.
Në tetë minuta sa zgjat i gjithë ky projekt audio- vizual, publiku arrin të shohë një ngjarje e cila zhvillohet në dy botë paralele. E para zhvillohet në shkretëtirë me Mbretin e zi, Udhëtarin dhe Udhëtaren. Ndërkaq pjesa e dytë, e cila paraqitet në një ambient të brendshëm e tejet të errët është Shpirtin e Zi si dhe Valltaren e Zezë të portretizuar nga Agnes Nokshiqi dhe Valltari e Zi të portretizuar nga Don Shala.
“Makthi” (Ballkanik) shpërfaq një luftë midis së mirës dhe së keqes, së bardhës e së zezës, një luftë midis popujve të pushtuar dhe pushtuesve të tyre. Fëmijët janë simbol i qenieve më të çiltra dhe prania e tyre simbolizon ardhmërinë e një vendi.
Është një projekt në të cilin fillimisht bie në sy mënyra se si është punuar aspekti vizual i saj. Hiç më larg nuk mbetet as ana muzikore e tij e cila në skenë futet pak më ngadalë. Aty është loja mjeshtërore e tenorit Durmishi që ka realizuar edhe vokalet përcjellëse të këngës ndërsa është edhe autor i tekstit të saj.
“Është një projekt që më ka marrë kohë prej tre deri tre vjet e gjysmë domethënë prej muzikës deri te pjesa vizuale. Ky është një projekt që përmbledh krejt eksperiencën time në muzikë prej asaj pop e deri te muzika klasike aty ku e kam lënë pasionin tim të fëmijërisë në gjysmë”, ka shpjeguar ai.
Me “Makth”, koristi në Korin e Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se zbërthen realitet socio-kulturor që u përket shumë popujve të cilët janë të okupuar, luftojnë për t’u pavarësuar nga rrethanat politike deri tek ato sociale dhe kolektive.
“Për mua është projekti më i rëndësishëm në jetën profesionale dhe do të mbetet projekti më i rëndësishëm edhe përtej”, ka thënë Durmishi për KOHËN.
Skenaristi dhe montazheri i “Makthit”, Ilir Hasanaj, ka shpjeguar se si ka lindur ideja e këtij projekti.
“Luani kishte ardhur me këngë në kokë dhe më pat thënë se donte të bashkëpunonte me mua. Ai e ka pasur edhe kostumin e Mbretit të Zi. E ka ditur si dëshiron që të duket veshja e fëmijëve domethënë disa gjëra kanë qenë në vend e më pas detyra ime ka qenë ta gjej një botë përreth. Si mund të duket ajo botë, çfarë mund të ndodhë përreth saj, ku është konflikti e kështu me radhë. Më pas e kam shkruar skenarin”, ka bërë të ditur Hasanaj.
Nisur nga puna e tij si regjisori, Hasanaj ka folur edhe për vështirësitë e realizimit të këtij projekti.
“I jam qasur klipit, duke e parë si një film të shkurtër. Mirëpo, pak problematik ishte fakti që muzika zgjaste tetë minuta. Pra, ishte shumë e gjatë dhe sidomos është shumë e gjatë për ta mbajtur ngjarjen interesante dhe për të bërë një realizim të mirë. M’u duk që mënyra e vetme ishte ta kisha një ngjarje dhe ta trajtoja tamam si një tregim”, ka thënë ai.
Producenti muzikor dhe inxhinieri i incizimit, Tomor Kuçi ka thënë se puna ka filluar qysh në vitin 2019 për të vazhduar me intensitet gjatë pandemisë, në vitin 2020.
“Ideja e parë ka qenë kur kompozitorja Irena Popoviq e ka shkruar muzikën në një shfaqje teatrale në të cilën Luani ka qenë pjesë e shfaqjes. Kjo si këngë nuk është përdorur për shfaqje por mandej ajo i ka pëlqyer tepër Luanit dhe i ka mbetur në kokë. Më pas ai ka folur me Irenën dhe prej aty kanë zhvilluar atë që e dëgjuam sot. Pra, ka qenë punë e gjatë dhe kemi eksploruar gjithashtu zhanre të ndryshme brenda saj”, ka bërë të ditur Kuçi teksa ka shtuar se tani që e ka parë të finalizuar “Makthin”, ndihet shumë mirë dhe i përmbushur.
E pranishme në sallë ishte edhe aktorja Alketa Sylaj, e cila e ka çmuar “Makthin” dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me artistë të cilët e duan me të vërtetë artin.
“Ky ishte një prej projekteve shumë të veçanta, për shkak se kemi edhe një bashkëpunim të artistëve të shumtë dhe rrallëherë e shohim një trajtim të tillë, sidomos kur ka të bëjë me një këngë që domethënë kompozohet prej artistëve dhe punohet shumë në detajet si të videoklipit. Pra, edhe për detajet më të vogla angazhohen profesionistë. Edhe Luani është njeri që i bën gjithmonë bashkë artistët që e vlerësojnë artin gjë që është shumë e nevojshme dhe me qenë kaq profesionist është kënaqësi me pa punë të tilla”, ka thënë Sylaj.