Artistë, familjarë, dashamirë, autoritete lokale e ish-drejtues nga Shqipëria janë bërë bashkë në Prizren, me hedhjen tradicionale të luleve në Lumbardh, në nderim të Bekim Fehimut. Në 12-vjetorin e vdekjes është cilësuar si udhërrëfyes të cilin gjeneratat e reja duhet ta kujtojnë. Pas homazheve të bëra mbi lumë, teatri “Bekim Fehmiu” ka mbajtur edhe tubim përkujtimor në selinë e vet, ku krahas vlerësimit të figurës së aktorit të ndjerë janë adresuar kritika ndaj institucioneve për vonesat lidhur me prezantimin e vlerave që ka përfaqësuar
Hedhja tradicionale e luleve në ujërat e Lumbardhit të Prizrenit ka shënuar fillimin e aktiviteteve të organizuara nga Teatri i Qytetit në përkujtim të 12-vjetorit të vdekjes së aktorit me nam botëror, Bekim Fehmiu. Të mërkurën, në Urën e Marashit, krahas artistëve, edhe familjarë, dashamirë, autoritete lokale e ish-drejtues nga Shqipëria kanë nderuar figurën e aktorit që gjatë karrierës së tij të bujshme kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë botërore.
Ceremoninë e zhvilluar mbi lumë, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e ka cilësuar si prekëse, duke shtuar se figurat si Bekim Fehmiu duhet t’iu prezantohen gjeneratave të reja.
“Ka qenë i klasit ndërkombëtar dhe unë përgëzoj dhe teatrin 'Bekim Fehmiu' që organizon këtë punë, sepse ka shumë rëndësi t’i kujtojmë njerëzit tanë që kanë kontribuar, për arsye se duhet të mësojë dhe rinia t’i njohë se cilët kanë qenë paraardhësit e brezave të sotshëm”, ka thënë Moisiu.
Prania e ish-presidentit të Shqipërisë në këtë përvjetor është vlerësuar nga familjarët e aktorit të ndjerë, të cilët kanë theksuar se respekti është i ndërsjellë, meqë Bekimi e ka çmuar aktorin e madh Aleksandër Moisiu.
“Zotëri presidenti ka ardhur mysafir, është respektuar se edhe vëllai im ka respektuar Aleksandër Moisiun, aktorin me renome botërore, që është aktori më i mirë në botë në interpretimin e Hamletit”, është shprehur vëllai i Bekimit, Arsim Fehmiu.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë aktivitet është minimumi që mund të bëhet, dhe ka theksuar se Komuna në të ardhmen do të bëjë më shumë përpjekje për të ruajtur kujtimin për Bekimin.
“Bëhet fjalë për një kolos të artit shqiptar, i cili e ka promovuar jo vetëm Prizrenin, jo vetëm Kosovën, por tërë kombin. Prandaj ky ishte një minimum, natyrisht që s’kam mundur të mungoj në këtë event, për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Bekim Fehmiut për gjithë atë që ka bërë për artin shqiptar dhe për gjithë promovimin që ia ka bërë kombit tonë dhe për të gjithë vlerat që i ka treguar që ne i kemi si komb. Le t’u shërbejë gjeneratave të reja si udhërrëfyes se si duhet të veprojë dhe të sillet një artist”, ka deklaruar Totaj.
Pas homazheve të bëra mbi lumë, teatri “Bekim Fehmiu” ka mbajtur edhe një tubim përkujtimor në selinë e vet, ku ka pasur edhe recitale artistike. Në këtë tubim, krahas vlerësimit të figurës së aktorit të ndjerë, janë adresuar kritika ndaj institucioneve për vonesat lidhur me prezantimin e vlerave që ka përfaqësuar Bekimi.
Miqtë e Bekimit kanë theksuar se organizimi i aktiviteteve përkujtimore nga teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” është një kthesë, me shpresën që kjo traditë të vazhdohet dhe të zgjerohet.
“Fatkeqësisht nuk është organizatore ose bashkorganizatore Drejtoria e Kulturës, që i takon, sepse kemi të bëjmë me një emër shumë të madh që është krenaria jo vetëm e Prizrenit, e Kosovës, por edhe e shqiptarisë në përgjithësi dhe e kulturës shqiptare në përmasa ndërkombëtare”, ka thënë gazetari e publicisti Fahri Musliu.
Musliu ka pohuar se shpresëdhënës është edhe fakti që në këtë përvjetor po organizohen homazhe edhe nga Ministria e Kulturës nëpërmjet QKK-së, ndërkohë që niveli qendror ka shfaqur gatishmërinë për të mbështetur edhe realizimin e projekteve në nderim të Bekim Fehmiut, ide këto që sipas tij janë injoruar në Prizren nga pushteti lokal.
Miku tjetër i Bekimit, Milazim Salihu, ka pohuar se një grup punues në Prishtinë ka nisur angazhimet për zbatimin e disa projekteve, ku përfshihet edhe ideja për krijimin e një muzeu dedikuar Bekim Fehmiut në Prishtinë. Paraprakisht ai ka theksuar se figurat e tilla duhet të çmohen më shumë nga institucionet e shoqëria.
“Bekimi nuk vdes, dhe shumë Bekimë të tjerë do të lindin, kjo tokë shqiptare ka me dhënë, por ne ndoshta do të vetëdijesohemi ndonjë ditë ose të tjerët do të na vetëdijesojnë qysh ka ndodhur me Karl Gegën, e me emrat e tjerë të mëdhenj të kombit tonë”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtën ditë, në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, organizuar nga QKK-ja e MKRS-ja, është shfaqur filmi “Mbledhësit e puplave”, si dhe është diskutuar mbi “Kultin e punës në jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut”.
Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë në vitin 1936 nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 pikërisht me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filma si “Aventurieri”, “Të kuq dhe të zinjtë”, “Odisea” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës. Në vitin 1987 Fehmiu e braktisi në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku i luante Leninin dhe Stalinin, duke i dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.
Në vitin 2010 ai kishte kryer vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja, Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumbardhin e Prizrenit. Edhe bashkëqytetarët e tij patën nderuar figurën e tij me hedhjen e luleve të freskëta nga Ura e Gani Tadës. Dashamirët e Fehmiut edhe në përvjetorë të tjerë të vdekjes së tij patën hedhur lule në lumë në shenjë nderimi.