Kulturë

“Long Distance Relationship” pas Prishtinës në Gjenevë

Bashkëpunimi midis Kosovës e Zvicrës ekziston në shumë sektorë, sidomos nga lufta e fundit në shtetin më të ri të Evropës. Pos kësaj, janë mijëra shqiptarë të Kosovës që jetojnë me dekada në Zvicër, por marrëdhëniet midis dy vendeve janë “testuar” edhe nëpërmjet një projekti artistik.

“Long Distance Relationship” (Lidhjet në distancë të largët) ka bërë bashkë gjashtë artistë nga Kosova e Zvicra, të cilët me art e trajtojnë këtë temë. Muajin e kaluar artistët që kanë pasur në fokus zbërthimin e distancës në sensin politik, kulturor e historik midis vendeve, janë paraqitur me veprat e tyre në hapësirën ekspozuese “Motrat” në Prishtinë. Doruntina Kastrati në bashkëpunim me Lori Lakon, Nastasia Meyrat, GIina Proenza, Driton Selmani, Anais Wenger e Dardan Zhegrova në “Motrat” qysh prej 12 tetorit, kur është hapur ekspozita, zbërthejnë në forma të ndryshme se si distanca i bën njerëzit të kenë përshtypje të ndryshme, fantazi, imagjinatë e të ndajnë rrëfime, shkruan sot Koha Ditore.

E veprat e tyre prej 14 nëntorit janë zhvendosur edhe në hapësirën ekspozuese “Espace Témoin” në Gjenevë të Zvicrës. Kjo hapësirë ekspozuese prej 105 metrash katrorë ishte inauguruar në janar të vitit 2016. Është krijuar për të qenë një vend evolutiv e laborator transdisiplinar dhe vend i krijimtarisë.

Me kurator Yll Rugovën e Fanny-Alma Serée, ekspozita në Gjenevë, ku do qëndrojë edhe këtë fundjavë, është konsideruar edhe pikëtakim i shumë zviceranëve dhe shqiptarëve që për vite bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Artisti Driton Selmani ka thënë se çdo mundësi prezantimi e punimeve në kontekste të tjera ka rëndësi të veçantë, sepse shumë shpesh vetë vepra krijohet si refleksion edhe i vetë lokacionit gjeografik apo social ku krijohet hapësira për punë.

“Ekspozita 'Long Distance Relationship' specifikisht më ka dhënë mundësinë që të hulumtoj dhe reflektoj mbi lidhjet në distancë të dy realiteteve Kosovë-Zvicër, jo shumë të largëta në distancë, por me dallime të mëdha kulturore, sociale, si dhe në perceptimin e vetë rëndësisë së kohës dhe matjes së saj”, ka thënë Selmani.

Rezultat i hulumtimit të tij është vepra “Zig Zag, 2019”. “Nuk dua të kthehem prapa në realitet, dua të kthehem prapa në Zvicër”, është fjalia që shoqëron veprën e Selmanit, që ngjan me një pasaportë. Kjo fjali është shtypur edhe në një beze të kuqe në kuadër të ekspozitës.