Kulturë

Logoja e Operës shkrin notat mesjetare me publikun, ndanë kritikët

Berin Hasi ia ka dalë që me ato që dikur luanin rolin e notave muzikore të përthekojë konceptin e tij për ta bërë Operën e Kosovës me logo. I kanë hyrë në punë neumet e mesjetës. Me konkursin e tretë institucioni i themeluar më 2021 tash identifikohet, por bërja publike e veprës së tij ka ardhur edhe me kritika e akuza. Grafisti Shyqri Nimani, i njohur për disa logo historike, ka kritikuar procesin e përzgjedhjes bashkë me logon

Shenjat nëpërmjet të cilave në mesjetë janë shënuar meloditë njëzërëshe gregoriane, janë përdorur për të prezantuar një institucion shtetëror që muzikën e ka bazë të lojës që zhvillohet në të. Opera daton në mesjetë. E logoja e Operës së Kosovës përbën një kompleks të neumave që simbolikisht lidhin publikun me muzikën. Është një logo goxha e konceptuar, e sjellë me frymë moderne, në shikim të parë, jo fort “lehtë e kuptueshme”, siç është njëri prej kritereve të konkursit.

Berin Hasi ia ka dalë që me ato që dikur luanin rolin e notave muzikore të përthekojë konceptin e tij për ta bërë Operën e Kosovës me logo.

“Kombinimi i muzikës, vallëzimit dhe poezisë në një është e pashmangshme midis nesh. Evoluimi përgjatë gjeneratave, stileve, shijeve jehon jetë e tregime. Këtu dhe tani, opera shënon një epokë të re, duke kompozuar të kaluarën e Prishtinës dhe jetën e tashme të natës në një tregim që nuk përfundon”, është përshkrimi i shkurtër që Berin Hasi kishte lënë në aplikacionin e tij me shifër në konkursin e tretë për logon e Operës së Kosovës.

Juria në përbërje të kryesueses Arlinda Hajrullahut e anëtarëve Alisa Gojani, Dhurata Ramosaj, Dardan Selimaj dhe Meriton Ferizi ka zgjedhur që pikërisht dizajni i Hasit të zgjidhet simbol i institucionit të themeluar në gusht të vitit 2021. Dy konkurset paraprake, vitin e kaluar, me të tjera përbërje jurie, ishin anuluar. I treti qe hapur në fundvit. Ministria e Kulturës të mërkurën e bëri publik vendimin, pa fort shpjegime.

Pas publikimit të logos, siç rëndom ndodh, ka pasur reagime. Procesi kritikohet nga disa prej konkurrentëve, por edhe nga ish-anëtar jurie.

Hasi: Logoja, një lojë e pafundme emocionale

Berin Hasi ka thënë se logoja shërben edhe e ka për detyrë të komunikojë me njerëzit sa më afër që është e mundshme.

“Nëse e gjen zgjidhjen që të bëhesh një me të në momentin që e shikon atë logo, atëherë ajo e ka arritur qëllimin e vet për nga funksionaliteti. Estetika është gjithmonë sekondare”, ka thënë Hasi. Sipas tij, ideja ka qenë që të bëhet një zbërthim që kur njerëzit e shohin neumen, ajo njëkohësisht të jetë notë, e po ashtu të ketë mundësi të jetë edhe njeri, një prej pjesëmarrësve në operë.

Hasi ka sqaruar se kur ka shkruar për të parë operë, hapësira i është dukur sikur fushë e ndarë në dy pjesë.

“Në këtë rast logoja duhet me të ngrehë brenda, me të shti në çfarëdo mendime që ke. Do të thotë bëhet njëfarë loje emocionale”, ka thënë ai, duke shtuar së bëhet fjalë për lojë të pafundme emocionale. Për logon që ka dizajnuar ka thënë se bashkon audiencën me operën. Në detaje zë vend edhe forma që ngjason me hartën e Kosovës, që është po ashtu edhe simbol i flamurit të shtetit.

Sa i përket fontit po ashtu ka dhënë përshkrim në detaje. KOHËS ia ka vënë në dispozicion krejt detajet e propozimet që ka bërë, tok me shpjegime të hollësishme. E ka provuar logon e tij edhe në shtyp e në brosh.

Midis të tjerash ka thënë edhe se në operë para se të fillojë loja, për nxehje i përdorin zanoret.

“OPERA E KOSOVËS mund të lexohet vertikalisht ku zanoret janë mbi njëra-tjetrën, që i bie ti veç je brenda operës”, ka thënë ai. Hasi ka shpjegime, për secilin detaj.

Dizajneri Lirjon Kadriu ka thënë se krijimi apo gjetja e një logoje të re, estetike dhe të paharrueshme është një detyrë mjaft e ndërlikuar dhe kërkon kohë. Sipas tij, gjatë analizimit të logos së Operës të krijuar nga Berin Hasi e pastaj kërkimit në të njëjtën temë për ta hulumtuar atë ose ndonjë dizajn modern, bindës ka filluar të vërejë diçka.

“Përpos autentikes dhe origjinalitetit e pashë edhe një të përbashkët me ato që ishin me të realizuarat. Kjo e përbashkët ishte aq e thjeshtë sa përkufizohet me një fjalë: minimalizëm modern”, ka thënë ai. Sipas Kadriut, nga gjërat më të rëndësishme që dalin nga kjo logo janë: dizajn i pastër, i lehtë për t’u kuptuar e mbajtur në mend dhe gjithashtu tërheqës e i paharrueshëm. “Logoja e Operës nga Berin Hasi duket që përmbyll listën e elementeve të nevojshme për kompletimin e Operës së Kosovës si institucion shumë i rëndësishëm kulturor”, ka thënë ai.

Por si zakonisht, kur bëhet fjalë për art, shijet dallojnë e jo rrallë kontestohen edhe proceset përzgjedhëse të një vepre.

Zhgënjimi dhe akuzat ndaj jurisë

I pyetur nga KOHA, profesori universitar Shyqri Nimani, i cili është autor i disa logove të institucioneve qendrore, ka thënë se në juri asnjë anëtar nuk ishte profesionist. Nimani, i cili ishte konkurrent, ka thënë se logoja ngjason shumë me atë të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

“Tipografia është kiamet. Nuk ndërlidhet pjesa vizuele me pjesën tipografike. Sikur ta kishte bërë dikush mirë, do të kisha thënë: ‘Po është mirë’. Unë kam dëshirë të jap kontribut. Por juria po bën punë diletante. Është e detyrueshme që një logo të mos i ngjajë një tjetre”, ka thënë ai. Sipas Nimanit, emrat e anëtarëve të jurive duhet publikuar bashkë me hapjen e konkurseve në mënyrë që profesionistët të shohin se kush do t’i vlerësojë e më pas të vendosin nëse duan të konkurrojnë. Nimani midis të tjerash është autor i logos së Universitetit të Prishtinës, “KosovaFilmit”, e asaj të Policisë së Kosovës. Edhe të hotelit “Grand” që konsiderohen në mesin e veprave mjeshtërore të dizajnit të logove. Është edhe kaligraf i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, shkruar në pergamenë.

Dizajneri Zeni Ballazhi, i cili midis të tjerash është autor i logos së 100-vjetorit të shtetit shqiptar, ka thënë se në konkurse paraqet disa variante dhe gjithmonë i përgëzon ata që fitojnë.

“Në art nuk ka të mirë apo të keq, kushedi çfarë mbiemri t’i vëmë, prapë është art, si çdo emocion i mirë apo i keq është prapë emocion. Por në këtë rast duke u nisur edhe nga emrat e komisionit, nuk prita një emocion më shumë se kaq. Serioziteti i një vlerësimi matet me profesionalizëm, gjë që na mungon”, ka thënë Ballazhi, i cili ishte konkurrent edhe në këtë konkurs. Sipas tij, arti është një çështje shijesh e shijet jo vetëm lindin, por edhe edukohen me kalimin e kohës.

“Kam pritur më shumë nga ky selektim ‘edukativ’ . E kam fjalën jo për ata që konkurrojnë, por për ata që selektojnë imazhin, sepse imazhi do të përfaqësojë një institucion të rëndësishëm kulturor”, ka thënë ai. Sipas Ballazhit, një imazh i cili përmbush kushtet dhe kriteret e parapara edhe me konkurs. “Lehtësisht e kuptueshme, të përçojë mesazh të qartë ta shprehë funksionin dhe mandatin e operës, e veçantë, kreative, kualitative, profesionale dhe prezantuese”, kanë qenë disa prej kritereve të konkursit.

“Duke u nisur nga veprimtaria e institucionit të artit, në këtë rast Opera, mendoj që është dashur diçka më serioze, më përfaqësuese dhe me shtetërore, si dhe të dilet me tri propozime në votime publike, por le të ushqehemi me ndjenja të mira dhe e vetmja matje për ne për të ardhmen, le të jetë Gëzuar”, ka thënë ai pas procesit të konkursit të tretë.

Dy konkurse kishin dështuar vitin e kaluar. Në të dy, pjesë e jurisë ishin dizajnerët Agi Haxhimurati, Bardh Haliti e Nita Salihu-Hoxha. Meriton Ferizi si ushtrues detyre i drejtorit të Operës e Dardan Selimaj nga Këshilli Drejtues i Operës po ashtu ishin pjesë e jurisë.

Në konkursin e tretë dizajnerët nuk janë përfshirë. “Nuk jam lajmëruar nga askush qe po ndërrohem si juri. Do të thotë aspak profesionale, pasi të paktën lajmërohet njeriu që juria do të ndërrohet për X arsye edhe mirupafshim, sepse kështu po duket sikur kanë dashur ta mbyllin një punë dhe në këtë rast ‘hajde po e ndërrojmë jurinë’”, ka thënë ai. Sipas tij, dy konkurset paraprake kanë dështuar shkaku i kualitetit të dobët.

“Asnjëra nuk ka përkuar me vlerën që mbart ky institucion edhe vendimi ka qenë në grup që të anulohen”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, njëherësh anëtar jurie, Meriton Ferizi, ka thënë se në dy konkurset e para ishin nga 90 aplikacione, kurse në të tretin vetëm 6.

“Tre anëtarë kanë qenë profesionalë dhe unë e Dardan Selimaj si vëzhgues nga institucioni i Operës”, ka thënë ai. Ka përmendur edhe arsyen e përzgjedhjes së logos që është publikuar. “Ka qenë më i miri dhe më i pranueshmi nga të gjitha aplikacionet e mëparshme dhe njëzëri e kanë pëlqyer tre anëtarët kryesorë të jurisë, duke e marrë edhe mbështetjen tonë që pajtohemi edhe ne për këtë version”, ka thënë Ferizi.

Shpërblimi financiar për vendin e parë që ka përzgjedhur juria është përcaktuar të jetë 5 mijë euro.

Dizajneri Berin Hasi ka provuar edhe shtypin e logos dhe, sipas tij, ruhet çdo detaj. E detajet i ka të shumta, ashtu sikurse edhe simbolikat pa u shpëtuar as kritikave.

Image
Hasi e ka provuar logon e tij edhe në këtë formë