Prishtinë, 21 qershor - Tash gati një muaj është në kryeqytetin e Kosovës. Në bazë të përvojave të mëhershme me Prishtinën, por edhe nga ajo që ka parë kësaj radhe, ka përshtypjen se në Kosovë njerëzit janë më paqësorë sesa në Shqipëri. Kjo është një nga mbresat që nxjerr në pah poetja nga Shqipëria, Luljeta Lleshanaku. Në një diskutim joformal në galerinë e librarinë “Monet”, si autore në rezidencën “Prishtina nuk ka lumë”, Lleshanaku ka folur për poezitë e saj, trendin e letërsisë shqiptare e, ndër të tjera, edhe për banalitetin letrar.
Në bashkëbisedimin e udhëhequr nga Agron Bajrami, kryeredaktor i “Kohës Ditore”, ajo ka thënë se poezia është biografia e saj. Sipas saj, një libër mund të përfshijë një histori të tërë. “Poezia ime është historia ime”, ka thënë Lleshanaku, e cila u lind e u rrit në Krujë në një familje të persekutuar nga ish-pushteti komunist, pa të drejtë arsimimi deri në fillimvitet ‘90, kur Shqipëria preku demokracinë. Sa i përket kësaj pjese, si autore e përkthyer në disa gjuhë, anglisht, gjermanisht, spanjisht e të tjera, ka thënë se jashtë vendlindjes e përshkruajnë si poete që vjen nga një familje e persekutuar. Bazuar në këtë kishte dyshime. “Fillova të them se a është poezia ime politike? Poezia politike është sikur t’i veshësh një palë xhinse përmendores. Por as tek poezia nuk mund të përjashtohet politika”, ka thënë Lleshanaku, rezidenca e së cilës në Prishtinë organizohet nga qendra “Multimedia” e mbështetur nga “Traduki” dhe “Goethe Institut” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.