Me homazhe e nderime i është dhënë lamtumira e fundit regjisores Burbuqe Berisha. Krijimtaria e saj është vlerësuar lart edhe nga krerët e institucioneve në vend, por edhe nga kolegët e miqtë e saj. Berisha, që në komunitetin artistik njihej si Buqja, është konsideruar si shembull i përkushtimit, aktiviste e person që bashkoi komunitetin artistik
Të pandashme e kishte dashurinë për teatrin dhe filmin. Në të dyja këto fusha, projektet që mbanin vulën e saj, dallonin. Kishin dy vizione të ndryshme. Si pikë të përbashkët kishin veç pasionin që tregonte ndaj tyre regjisorja Burbuqe Berisha. Si në skenën e teatrit, ashtu edhe në shesh-xhirim, çdoherë ishte e qetë. Durimi do ta shquante edhe në raport me studentët. Me butësi e çdoherë duke buzëqeshur do t’ua mësonte sfidat e fshehtësitë e zanatit të saj. Rrugë do t’u hapte veçanërisht regjisoreve, si prijëse e gruas në film. Këto ishin veç disa nga veçoritë e 51-vjeçares që ndërroi jetë të mërkurën. Një ditë më pas iu dha lamtumira e fundit mes lotëve që shfaqnin dhimbje, por edhe krenari për krijimtarinë që la pas.
Regjisorja Berisha u lind në Shkup, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prishtinë. Studimet për regji filmi dhe teatri i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Fjalët e fundit, shumë prej miqve të saj, ia shkruan në librin e zisë që u vendos në hyrje të Teatrit Kombëtar të Kosovë, ku u bënë homazhet para se të varrosej në varrezat e qytetit, në Prishtinë.
“Buq, të faleminderit për 23 vjet shoqëri, kolegialitet e bashkëpunim... Ike shpejt, por le shumë... Të fala Armendit, Arzanës e Luranit! Lamtumirë, pejanka jeme!”, ishin fjalët që i shkroi aktori Kushtrim Sheremeti. Shkrimi në faqen tjetër nis me atë se është shumë herët për t’i dhënë lamtumirë.
“Edhe tash që po shkruaj po më duket si një ëndërr e keqe, më fal nëse kurrë s’të jam falënderuar sa është dashtë. Buqe, profesoresha ime, regjisorja ime e mbi të gjitha shoqe e dashur. Përjetësisht do të të mbaj në zemër. Qofsh e dritës!”, vazhdonte tutje shkrimi i aktores Lena Kryeziu-Bokshi.
E aktorja Aurita Agushi kishte shkruar: “Sa shumë kujtime të bukura e sa shumë art ke lënë pas vetes Buqe. Do t’kujtoj gjithmonë”. Në të njëjtën faqe aktorja Shirine Morina shkroi: “E dashura Buqe, ike në kohën më të mirë. Do të jesh gjithnjë në zemrat tona”.
Sheremeti, Kryeziu-Bokshi, Agushi dhe Morina ishin veç disa nga koleget e miqtë e artistes, që të enjten vërshuan Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku nderuan regjisoren, e cila për një mandat ishte edhe drejtoreshë e përgjithshme e këtij institucioni.
Me dhjetëra ishin ata që bënë homazhe gjatë ditës së enjte. Kështu, Berisha edhe në ditën e varrimit, bëri atë që bënte çdoherë: bashkoi komunitetin artistik. Si një person i tillë, ajo do të kujtohet gjithmonë, ka thënë kolegia e mikesha, aktorja Arbnesha Grabovci-Nixha.
“Buqja ka qenë gjithmonë një mbijetuese e situatave, kohës, jetës. Nuk e ka pasur një jetë edhe aq të lehtë, mirëpo përmes veprave të saj artistike, shfaqjeve në skenën e madhe e të vogël, filmave të metrazhit të shkurtër e të gjatë që i ka lënë pas vetes do të mbetet përherë e pavdekshme”, ka thënë ajo.
Pos drejtoreshë, ajo ishte edhe anëtare e Këshillit Drejtues të TKK-së. Po ashtu ishte anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe e ansamblit “Shota”. Në karrierën e saj ishte po ashtu menaxhere në Kino ABC dhe ka qenë pro-dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Atje ishte edhe bashkëthemeluese e Degës së Dramës sikurse themeluese e udhëheqëse e teatrit “Faruk Begolli”. Pos anës estetike, Berisha artin e shihte edhe si luftë për ndryshim.
Krijimtaria e saj u veçua edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Qysh në kohën e okupimit të Serbisë me aparteid të egër e deri në ditët e fundit, Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi i saj dhe puna e saj për teatrin dhe filmin te ne lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë”, ka thënë kryeministri Kurti. Sipas tij, Berisha nuk ka qenë vetëm një artiste e talentuar, por edhe një artiste e angazhuar, e cila ka ndihmuar të tjerët dhe ka kontribuar edhe tek artistët e tjerë.
Lajmi për vdekjen e Berishës ka tronditur botën kulturore të vendit, por krijimtaria e regjisores së parë të filmit, është thënë se do të përcillet me kujdes të veçantë te gjeneratat e reja.
Sipas Hajrulla Çekut, ministër i Kulturës, komuniteti artistik i Kosovës ka humbur një punëtore të madhe e të palodhshme, kurse shoqëria kosovare një qytetare aktive e të zellshme, që nuk është ndalur së punuari e prodhuari në art dhe kulturë.
“Si Ministri e Kulturës, zotohemi se do të bëjmë çmos që puna e saj t’iu përcillet brezave të ardhshëm dhe në të njëjtën kohë do të bëjmë krejt çfarë është në dispozicionin tonë që artistët e mëdhenj, në këtë rast si Burbuqe Berisha, të vazhdojnë ta kenë vendin e merituar në historinë tonë artistike”, ka thënë ai, duke potencuar se ajo ka lënë pas një krijimtari të pasur filmike dhe teatrore. “Ka qenë një urë lidhëse në mes të artistëve të filmit dhe të teatrit. Ka qenë një grua aktiviste, e cila ka promovuar dhe i ka nxitur gratë e tjera dhe vajzat edhe në film, edhe në teatër, ka kontribuuar pothuajse në të gjitha institucionet e Kosovës edhe në Teatrin Kombëtar, Qendrën Kinematografike e institucione të tjera”, ka thënë ai.

Gjatë së enjtes, po ashtu për ta kujtuar e nderuar regjisoren është mbajtur edhe një mbledhje komemorative në Kolegjin AAB, ku Berisha ishte pro-dekane në Degën e Komunikimit Masiv dhe të Gazetarisë, themeluese dhe udhëheqëse e teatrit “Faruk Begolli” dhe festivalit ndërkombëtar të teatrove “Pristina International Theater Festival”.
Rektori i AAB-së, Bujar Demjaha, ka thënë se u mbetet për të kujtuar krijimtarinë e Berishës, e në veçanti tiparet e saj njerëzore.
“Me vdekjen e Buqes, studentët e humbën pedagogen me të dashur të tyre. Kolegji AAB humbi një mësimdhënëse të veçantë e komuniteti artistik humbi një regjisore kulminante dhe Kosova humbi një figurë unike”, ka thënë ai.
Ilir Tafa, aktor, mik dhe bashkëpunëtor i Berishës, ka thënë se për shkak të punës dhe angazhimit të saj kanë vendosur që në shenjë nderimi, Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove t’ia lënë emrin “Burbuqe Berisha”.
“Gjithmonë është njohur si regjisore shumë e mirë, shumë e talentuar, me një energji pozitive. Fati deshi që në 10-vjetshin e fundit ta kem bashkëpunëtoren më të afërt. Buqja ka qenë sinonim i forcës dhe i energjisë pozitive”, ka thënë Tafa.
Në anën tjetër, Hasan Salihu, dekan i Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, i cili me Berishën kanë ndarë të njëjtën zyrë në “ABB”, ka theksuar se ajo ka qenë çdoherë e hershme dhe e hareshme.
“Në punë ishte një uragan, punonte me pasion, integritet, energji. Asnjëherë e lodhur, madje edhe kur shëndeti nuk ia lejonte këtë”, ka thënë ai. Ka potencuar veçanërisht kontributin e saj në arsim dhe kulturë.
“Buqja ishte një njeri që dha. Ajo dha shumë nga puna e saj, i dha teatrit, i dha filmit dhe u dha studentëve. I dha arsimit universitar të artistëve, i dha Fakultetit të Komunikimit Masiv të ‘AAB-së’ dhe ne sot i duartrokasim kontributit të Buqes”, ka shtuar ai.
Ndërsa motra e regjisores, Trendelina Berisha, ka falënderuar kolegët dhe bashkëpunëtorët që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të regjisores dhe mbështetës të saj.
“Nga parafolësit u cekën të gjitha ato kontributet që i bëri për artin, kulturën e unë si motër nuk mund ta përshkruaj me fjalët e mia, pasi që kontributi ndaj familjes është shumë më i madh. Siç e dini shumica nga ju, ne kemi mbetur shumë të reja pa prindër dhe ajo ka qenë përkrahja jonë kryesore”, ka thënë ajo. Gjersa ka shtuar se ndihet shumë krenare për gjithë atë që ka bërë për familjen e saj, por edhe për vendin.
Në krijimtarinë artistike të Burbuqe Berishës, ndër të tjera, bëjnë pjesë produksionet televizive: “Lexi në qytet”, “Ashensori”, “Suxhuk Open”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000”, “Diçka po zihet”, “Gratë” dhe “Çelësi”. Nga filmat e saj dokumentarë shquhen: “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë”, “Kinematë” e të tjerë. Ka bërë disa shfaqje teatrore, prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” “Bryma e vdekjes” e “Bretkosat”. Regjisorja e ndjerë ka qenë fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe në vitin 2019 ishte fituese e çmimit kombëtar për kinematografi, për filmin ”Një tregim Prishtine”.