Kulturë

Lamtumira Haqif Mulliqit, njeriu që guxonte e besonte në art

Është një opus i gjerë veprash që ka lënë prapa vetes, e prej krejt atyre nxirret një përfundim: ai qe njeri i guximshëm në art dhe i besonte fuqisë së tij. I guximshëm qe edhe në gazetari, e si mësimdhënës shembull për gjenerata të tëra. Haqif Mulliqit – i cili vdiq dy ditë më parë në moshën 63-vjeçare – të enjten i është dhënë lamtumira e fundit. Është kujtuar e nderuar si njëri prej dramaturgëve më të inskenuar në teatrot shqiptare, reporter lufte, profesor universitar e studiues i zellshëm

Holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka qenë i vogël për krejt të pranishmit që janë mbledhur në kujtim e nderim të dramaturgut, profesorit, studiuesit e gazetarit, Haqif Mulliqi. Në institucionin më të lartë bibliotekar të vendit, familjarët, miqtë e kolegët i kanë dhënë lamtumirën Mulliqit duke kujtuar kontributin e tij në disa fusha. Si njëri prej dramaturgëve më të inskenuar në teatrot shqiptare, gazetar i ditëve të vështira të luftës, profesor universitar e studiues i zellshëm, Mulliqi është nderuar nga të pranishmit të enjten. Ai vdiq të martën në moshën 63-vjeçare.

Në mbledhjen komemorative, kolegë të tij e drejtues institucionalë kanë rrëfyer kujtime, kanë vlerësuar veprimtarinë e Mulliqit dhe janë pajtuar njëzëri se veprat e tij janë pasuri për artin dhe studimet mbi këtë fushë.

Frymëzim për të ardhmen institucionale e akademike

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi ka thënë se rastet e ceremonive të tilla komemorative krijojnë një ndjenjë dhimbjeje, por edhe një ndjenjë të kujtimit e të nderimit.

“Sot qartazi është ditë zie e pikëllimi për Universitetin e Prishtinës dhe jo ditë fjalimesh. Megjithatë, në funksion të një tradite të çmuar institucionale dhe intelektuale, më lejoni që në emër të Universitetit dhe në emrin tim të shprehi ngushëllimet më të sinqerta me rastin e vdekjes së profesorit Mulliqi!”, ka thënë ai, në foltoren poshtë së cilës ka qenë portreti i Mulliqit, rrethuar me buqeta e kurora lulesh.

Përtej profesorit, rektori Qerimi ka thënë se janë mbledhur për të kujtuar dramaturgun, regjisorin, gazetarin e publicistin.

“I tërë stafi akademik, studentët, ish-studentët me pikëllim e morëm lajmin për vdekjen e tij. Gjatë gjithë kohës ai ka ofruar shembullin më të mirë të një profesori të kompletuar, të një punëtori të palodhshëm, si dhe të një figure intelektuali, të një krijuesi e studiuesi të shquar në fushën e dramës dhe të artit”, ka thënë rektori Qerimi. Sipas tij, profesor Mulliqi do të kujtohet për vite e dekada nga gjeneratat që do të ndërveprojnë me krijimet e tij artistike e studimet e tij të shumta.

Bazuar në krijimtarinë e Mulliqit, rektori Qerimi ka thënë se nga ajo mund të nxirret frymëzim dhe inspirim për të ardhmen institucionale e akademike.

“Për të ardhmen e ndritur e dinjitoze, dijen, krijimin dhe kërkimin që ai dhe ne e synojmë. Sot jeta kulturore e artistike e vendit tonë është më e varfër pa potencialin krijues të profesorit Mulliqi. Por vepra e tij do të lërë gjurmë të pashlyeshme”, ka thënë Qerimi.

Mulliqi krijimtarinë e tij do ta niste qysh herët.

I lindur më 6 maj 1960 do të diplomonte në dramaturgji më 1996. Sipas biografisë së tij, në vitin 2009, në Tiranë, me temën “Psikologjia e personazhit në veprën e Shakespeares”, përfundoi studimet master për psikologji. E dy vjet më vonë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me temën “Drama e shekullit XX në Evropë dhe Amerikë – nga Ibseni deri te klasikët e modernizmit, Beket dhe Jonesko” mori titullin master i shkencave të filologjisë. Në vitin 2015, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, doktoroi me temën “Drama, teatri dhe identiteti kulturor në Kosovë”. Prej vitit 2009 nisi ligjërimin për dramaturgji në Fakultetin e Arteve, për të arritur më pas deri në gradën akademike profesor i rregullt. Lista e dramave në autorësi të Mulliqit është e gjatë, ashtu si edhe e atyre që janë inskenuar.

Image
Në mbledhjen komemorative në nderim të Haqif Mulliqit, të enjten në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, kolegë të tij e drejtues institucionalë kanë rrëfyer kujtime, kanë vlerësuar veprimtarinë e tij dhe janë pajtuar njëzëri se veprat që ka lënë, janë pasuri për artin dhe studimet mbi këtë fushë

Dramat “Trenat”, “Për të vërtetën”, “Pas luftës”, “The Kosowars”, “Trenat”, “Parfumeria”, “Asgjë të re në jug”, “Një varr për majorin e Mbretit”, “Kaos atdhedashurie në Paris”, “Një përkujtim në kafe teatër”, “Komedia apo marrëzia njerëzore”, “Maksi dhe Kimi apo takimi pas 21 vjetësh”, “Komedia”, “Ruleti ballkanik”, “Si e mposhta Mussolinin”, “Katër epoletat” janë inskenuar në teatrot vendore e ato të rajonit. Kurse drama “Katër epoletat” qe inskenuar në Teatrin e Dortmundit në Gjermani, e “Komedia” në teatrin “Corona” në Zvicër.

Mulliqi gjatë krijimtarisë së tij ka shkruar e bashkëshkruar skenarë filmash dhe është regjisor i disa shfaqjeve teatrore. Qysh prej viteve ’80 ka punuar si gazetar, kurse më 1998 dhe 1999 edhe reporter lufte.

Kontribuuesi i pashoq në arte skenike

Dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, kolegun e tij profesor e ka vlerësuar si mësimdhënës të pashoq.

“Do të mbahet mend për edukimin e shumë brezave artistësh në arte dramatike. Ai kishte ushqyer për vite marrëdhënie të veçantë njerëzore dhe kolegiale. Atë e njoha siç edhe njihen njerëzit e kalibrit të tij, përmes veprave të një kontribuuesi të pashoq në arte skenike dhe si një njeri me virtyte të larta shoqërore e cilësi të jashtëzakonshme akademike”, ka thënë Haziri. Sipas tij, dhimbja e familjes dhe e krejt atyre që e njohën është tejet e madhe. Por ka thënë se njashtu është edhe krenaria për një personalitet si Mulliqi.

Në komemoracion janë luajtur edhe tingujt e “Këngës epike” të Çesk Zadesë, interpretuar nga Valton Beqiri në piano dhe Avni Krasniqi në trumbetë.

Kolegu i Mulliqit, dramaturgu e profesori Besim Rexha ka thënë se mikun e tij e ka njohur për më shumë se tre dhjetëvjetësha. Ka përmendur se e ka njohur nga afër si bashkëpjesëmarrës në grevën e urisë të vitit 1993. E ka përshkruar atë si publicist të guximshëm të ditëve të rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës në vitet 90-të.

“Njeriu i ditëve të rrezikshme e të ndritshme”

“Njeriu i ditëve të rrezikshme e të ndritshme të viteve të luftës 1998/9 kur luftën e raportonte, jo nga redaksia e nga Prishtina, por nga vendi i ngjarjes, dramatisti e editori i cili nuk ndalej as në vitet e pushtimit së shkruari e së botuari drama e publicistikë me motive e tema të guximshme, pedagogu, regjisori e dramaturgu i shekullit të shkuar e i shekullit tonë, është emër e figurë të cilën nuk ka nevojë posaçërisht për ta prezantuar”, ka thënë ai. Ka treguar se ai e luftonte lëngatën dhe rezultatin final të saj vdekjen. Ka përmendur studimin monografik të Mulliqit, “Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë” si një monografi e rrallë në kulturën shqiptare.

“Nuk mund të harrohen monografitë voluminoze për Ibsenin e madh, për Strindbergun e veçantë, të botuara njëra pas tjetrës, pikërisht në kohën kur lëngata po ia prekte rëndshëm trupin e tij, po jo edhe shpirtin”, ka thënë Rexhaj. E ka përshkruar Mulliqin si njeri të festivaleve kombëtare e ndërkombëtare, të dramave të përkthyera në gjuhë të huaja e prej tyre 25 të inskenuara.

“Sot nuk është posaçërisht dita kur duhet të fokusohemi në dimensione të kësaj natyre, por po ia lejoj vetes të theksoj disa nga këto aspekte me idenë që të vë në spikamë profilin e veçantë krijues, karakterin origjinal, zërin e tij të artikuluar artistik edhe atëherë kur kushtet shëndetësore nuk e favorizonin frymëzimin krijues, punën krijuese”, ka thënë Rexhaj.

Në emër të familjes, të pranishmëve u është drejtuar e bija e Haqif Mulliqit, Getoarba. Ka falënderuar krejt të pranishmit për vlerësimin. Ka thënë se do të donte që i ati i saj të shihte nderimet e vlerësimet që i janë bërë.

“Babi ka qenë një shqiptar i madh, bashkëshort, baba, gjysh, familjar i pashoq”, ka thënë ajo.

“I deshi lirinë, dijen dhe artin”

Të enjten, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen Mulliqi. Nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit ka thënë se me dhimbje të thellë morën lajmin për ndarjen nga jeta të krijuesit e profesorit universitar.

Si njeri që shkroi shumë drama e tekste të tjera artistike, kritika për teatrin, dramën e filmin e si person me angazhim të pandalshëm e ka përshkruar Mulliqin kryeministri Kurti.

“Ai e ndërtoi veten vazhdimisht duke ndërtuar dhe mirëmbajtur rubrika të reja në gazetari. Ai i studioi klasikët, e njohu mirë karakterin e tyre e krahas kësaj edhe qytetarët, të cilët i takoi nëpër skenat e shumta të gati çdo qyteti shqiptar. I deshi lirinë, dijen dhe artin”, shkruhet në telegram. Sipas Kurtit, këto dashuri “e ngrenë lart si qenie të angazhuar, për të cilat sot e nderojmë dhe kujdesemi që të kujtohet”.

“Prof. dr. Mulliqi, përveç kontributit në fushën e kulturës, u bë i njohur edhe si reporter i luftës, ku dha një kontribut të çmuar në prezantimin dhe mbulimin e ngjarjeve gjatë periudhës së luftës. Për këtë, ai do të mbahet mend si një njeri që, përveç si profesor, dëshmoi atdhedashurinë në të gjitha format e saj”, shkruhet në telegram. Sipas kryeministrit Kurti, trashëgimia në art, gazetari dhe universitet, që Mulliqi la pas vetes, do të jetë një shembull i mirë për gjeneratat e reja.

Të enjten, Mulliqi është varrosur në varrezat e kryeqytetit. Edhe gjatë asaj ceremonie është nderuar nga familjarë, miq e kolegë. I është dhënë lamtumira si njeri që besonte në art dhe mbi këtë besim edhe la prapa vepra që nxjerrin në skenë fenomene të ndryshme shoqërore. Përtej kësaj, studimet e kritikat e tij rrumbullakojnë profilin e një krijuesi të veçantë.