Premiera e operës “La Traviata” ka bërë që institucioni i Operës së Kosovës, i themeluar vjet, të sjellë para të pranishmëve jo vetëm një shfaqje, por, mbi të gjitha, një frymë të re të shpresës për artin e kulturën e vendit. Sopranoja e njohur, Besa Llugiqi, në rolin e Violettas, ka qenë kryepersonazhja e mbrëmjes, e krejt produksioni është vlerësuar madhështor, i cili ka dëshmuar se ka potencial për realizime të tilla e ndërtimi i sallës së shumëpritur është urgjent
Violetta e Kosovës ka shëtitur goxha. Është vlerësuar gjithandej me dhjetëra herë. I është dashur kohë, por si personazh është kthyer edhe në vendlindje për t’ia dhënë publikut rolin kryesor të realizimit skenik më të kompletuar që ka pasur ndonjëherë shteti më i ri i Evropës.
Hapësira e mbushur plot në sallën “1 Tetori” ka qenë përballë një shfaqjeje operistike që pavarësisht kushteve nuk ka pasur gjë mangët skenave botërore sa i përket interpretimit.
“La Traviata”, me Besa Llugiqin në rolin e Violettas, ka bërë që institucioni i Operës së Kosovës të sjellë para të pranishmëve jo veç një shfaqje por, mbi të gjitha, një frymë të re të shpresës për artin e kulturën e vendit.
{gallery}
Ndjesia si në skena evropiane
Të enjten mbrëma, në sallën “1 Tetori”, gjithçka ka qenë gati në kohën e duhur. Skena, si pjesë e një pallati evropian të shekullit 19, ka pritur fillimin e operës së një prej krijuesve më të mëdhenj në historinë e artit skenik, Guiseppe Verdi. E kur dirigjenti Nayden Todorov ka dhënë shenjë që Orkestra e Operës së Kosovës, e angazhuar për këtë produksion, të nisë interpretimin, është bërë hapi i parë për të shpalosur mozaikun operistik të produksionit të parë të Operës së Kosovës, e themeluar në gusht të vitit të kaluar nga Kuvendi i shtetit. Skena ka nisur të marrë jetë e Violetta e ka mbushur atë. Shfaqja me tri akte e Verdit me libret të Francesco Maria Piave, ka sjellë rrëfimin e gruas që jeta e përpëlit me një histori që është inskenuar gjithandej botës. Besa Llugiqi i ka dhënë jetë rolit të Violetta Valeryt. Për dallim prej asaj që ngjan në botë, ku sopranot fillimisht marrin role të rëndësishme në vendet e tyre e më pas depërtojnë nëpër shtete të tjera, historia e Llugiqit është tjetër. Këtë rol e ka luajtur dhjetëra herë nëpër shtete evropiane e më pas është kthyer në Kosovë.
Me interpretim kulmor si një aktore që e di se si merr frymë roli i saj, Llugiqi ka futur të pranishmit në botën e Operës. Me Emanuele D’aguannon në rolin e Alfredo Germontit e Gëzim Myshketën në rolin e Giorgio Germont, Llugiqi ka udhëhequr trupën prej 150 vetash në skenën e improvizuar për t’u luajtur opera. Por, loja ka bërë që kushtet të ngelen periferike në raport me atë që ka shpërfaqur bota e operës.
Historia e dashurisë midis Violettas dhe Alfredos në tri aktet e “La Traviatas” është një mozaik jetësor ku fatet përplasen kundrejt vullnetit të personazheve.
Orkestra është përshkruar si formacion që ia ka dhënë lojën dhe energjinë e duhur trupës që ishte në skenë. “Drama” me dy pauza prej nga 20 minutash, bashkë me krejt kompleksitetin që mund të ketë për një publik të ri në operë, ka bërë që të pranishmit të kenë ndjesinë e një shfaqjeje të teatrove evropiane.
Historia që përplas Baronin Douphol (Shaban Behramaj), që është rival i Alfredos në raport me dashurinë e tyre për Violettan, është kompletuar edhe me balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Mergime Morina e Fatmir Smani. Bashkë me krejt personazhet e tjera të Operës, kanë bërë që çastet festive të jenë sikurse ato të salloneve të Parisit në shekullin 19.
Me krejt këtë është befasuar akademik Rauf Dhomi, një prej kompozitorëve më të njohur shqiptarë e autor i tri operave.
“Kam ardhur me bukur skepticizëm duke menduar që janë mbledhur këtu disa orkestrantë. Por, isha i befasuar me këtë interpretim që kanë bërë, duke filluar nga dirigjenti, instrumentistët, anëtarët e baletit e gjithë të tjerët. Në veçanti Besa”, ka thënë akademik Dhomi. Sipas tij, Llugiqi ishte engjëlli i mbrëmjes.

“Për mua ishte një engjëll i mbrëmjes, një mësim për krejt gjeneratat se si me talent një shqiptare e Kosovës ofrohet me një Violette, një operë e Verdit që është një ndër rolet shumë të vështira dhe një muzikë e jashtëzakonshme. Besa e engjëlloi këtë mbrëmje”, ka thënë ai.
Emocionet kanë bërë që pianistja e profesoresha Lejla Pula të mos mund t’i mbajë lotët. Pas shfaqjes ajo, derisa e ka uruar Llugiqin, ka përjetuar një prej momenteve më të lumtura në jetë.
“Kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje madhështore. Jam shumë e emocionuar sonte pasi me Besën bashkëpunojmë dhe e kam parë edhe në Bullgari. Është bërë maksimumi që të bëhet në skenë ashtu siç ishte. Besa ishte vërtet e mrekullueshme. Kemi pasur një pasurim të ri në Prishtinë, opera, që është kulmi i interpretimit artistik”, ka thënë ajo.
Një vulë për të vazhduar tutje
Pas krejt situatave dramatike në dy aktet e para, në të tretin, kur ndizen dritat, Violetta është në shtrat. Kollitjet tregojnë se ajo po përballet me një sëmundje të rëndë. Kthimi i Alfredos bën që historia të shkojë në tjetër nivel. Dyshja pavarësisht dashurisë për njëri-tjetrin e sheh qartë se u ka ngelur pak kohë për të qenë së bashku. Porositë e fundit janë të vetmet që i mbesin Alfredos nga Violetta.
Ajo bie në skenë, bash sikurse përshkrimet që u bëhen tragjedive të vjetra. Violetta në këtë rast vulos potencialin e saj para publikut.

Llugiqi pas shfaqjes ka treguar se këtë rol e ka interpretuar dhjetëra herë. “Por si kjo që më dha publiku i Kosovës nuk mund të them që kam pasur përjetim të tillë”, ka thënë ajo pasi është uruar nga kolegët e familjarët e saj.
Ka qenë shpresëplotë për rrugën e institucionit më të ri të kulturës në Kosovë.
“Duhet shumë forcë e përkushtim dhe normalisht që është shumë e vështirë pasi nuk e kemi shtëpinë e operës. Kjo e ka bërë më të vështirë procesin, por që nuk është e pamundur, është dëshmuar sot. Ka pasur shumë pasion e entuziazëm nga secili për ta dhënë maksimumin. Ka qenë një vulë për të thënë se duhet të vazhdojmë tutje patjetër”, ka thënë Llugiqi.
Entuziazmi u ka rënë në sy krejt ekipit të përbërë nga Opera Shtetërore e Stara Zagorës në Bullgari, Teatri i Operës dhe Baletit në Shqipëri, Filharmonia e Kosovës dhe Baleti Kombëtar i Kosovës.
Dirigjenti Nayden Todorov e ka përshkruar krejt procesin e mbrëmjes si një eksperiencë të mahnitshme. Ka treguar se ka dirigjuar disa herë në interpretimin e kësaj opere.
“Por, performanca sonte këtu ishte shumë speciale për mua dhe mendoj për secilin këtu shkaku i krejt këtij entuziazmi të orkestrës e solistëve dhe krejt ekipit. Nuk kam parë asgjë që nuk ishte e mrekullueshme”, ka thënë ai. Sipas Todorov, Orkestra ishte entuziaste për të punuar gjithçka mirë, përderisa Kori e Baleti ishin të mrekullueshëm.
“Me Besën kam punuar në Bullgari disa herë. Jam i mahnitur me entuziazmin që kam parë këtu. Krejt ata që e kanë parë performancën sonte duhet të jenë krenarë me të”, ka thënë ai.
Regjisori Ognian Draganoff ka thënë të jetë tejet i lumtur që ishte pjesë e një ngjarjeje fort të rëndësishme, jo vetëm për shoqërinë e Kosovës. por edhe për gjithë qarqet e kulturës pasi, sipas tij, është shumë e rëndësishme që bota e operës të ketë në familje njerëz kaq entuziastë që ndërtojnë Operë në shekullin 21.
“Ndërtohet operë në kohën kur kemi shumë arte që janë më konkurruese dhe mund janë më lehtë të qasshme. Opera është diçka që është në zemër të njerëzve. Opera në italisht i bie punë. Kjo bebe sonte ka bërë hapin e parë. Uroj që bebja të nisë të vrapojë dhe të bëhet institucion i madh e i fortë që do të na bënte të lumtur të gjithëve që të vijmë këtu dhe të shohim perfomancat”, ka thënë ai.
Emanuele D’aguannon, i cili ishte në rolin e Alfredo Germont, e ka quajtur veten me fat që ishte pjesë e këtij produksioni.
“Unë vetëm lutem që ky të jetë vetëm fillimi, një gur i parë i traditës në jetën operistike të Kosovës”, ka thënë ai.
E Gëzim Myshketa, që ishte në rolin e Giorgio Germont, ka thënë t’i jetë dukur vetja i mbivlerësuar pasi duartrokitjet kanë qenë si në stadium, në kuptimin e mirë të fjalës.
“Jam shumë krenar që edhe unë jam nga gurët e vegjël në murin e madh që po ngrihet nga Opera e Kosovës”, ka thënë ai.
Mbrëmja ka bërë që publiku të krijojë një lidhje të veçantë me operën. Pas “Carmen”, që ishte inskenuar në vitin 2004, Kosova nuk shpërfaqi ndonjë produksion tjetër. Me një koncert inaugurues u festua themelimi i Operës në fund të tetorit të vitit të kaluar. Institucioni aktualisht ka veç staf administrativ e ushtrues detyre Meriton Ferizin. Realizim i “La Traviatas”, që do ta ketë edhe një reprizë të shtunën mbrëma, ka kushtuar rreth 200 mijë euro.

Ndërtesa e Operës së Kosovës është një histori telashesh e shpenzimesh të mbi një milion eurove kot. Shteti synon prapë një ndërtesë të re. Thirrje për të është bërë edhe të enjten mbrëma. Por, shpresa ka mbizotëruar.
“I kam numëruar ditët për të ardhur sonte këtu. Kjo është një pasqyrë e mirë për të gjithë ata që e studiojnë muzikën, për të parë se në vendin tonë ka ardhmëri”, ka thënë Memli Kelmendi, kompozitor, dirigjent e themelues i korit “Siparantum”, që në dy vjetët e fundit ka zënë vendet e para në disa konkurse ndërkombëtare.
Sikurse Kelmendi sigurisht që edhe të tjerët tashmë po i numërojnë ditët për të parë operën e radhës e po ashtu edhe ndërtesën e këtij institucioni.
Ekipi i “La Traviata”
Zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi; Këshilli iniciues i Operës së Kosovës: Merita Juniku, Inva Mula, Dardan Selimaj, Besa Luzha, Rreze Kryeziu-Breznica, Edon Ramadani, Mehdi Uka
Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës; Dirigjent: Nayden Todorov; Regjia dhe ndriçimi: Ognian Draganoff; Skena dhe kostumet: Boris Stoynov; As. dirigjentë: Chris McCracken, Edon Ramadani, Lirjona Sylejmani; Solistë: Violetta Valéry – Besa Llugiqi (soprano), Alfredo Germont – Emanuele D’Aguanno (tenor), Giorgio Germont – Gëzim Myshketa (bariton), Flora Bervoix – Fitore Gjonbalaj (mexosoprano), Annina – Kaltrina Miftari, Urta Haziraj (soprano), Gastone – Denis Skura (tenor), Baroni Douphol – Shaban Behramaj (bariton), Marchese d’ Obigny – Dragan Ampov (bas), Doktor Grenvil – Harris Bajraktari (bas), Giuseppe, shërbëtori i Violetës – Rizah Jahaj (tenor), shërbëtori i Florës – Jon Kosumi (bas), komisioneri – Arbër Maliqi, Etrit Nura (bas); inxhinier zëri: Aleksandar Stanchev, Dimitar Nevelinov
Korepetitorë: Melos Buza, Denitsa Petrova, Lekë Salihu; Mjeshtër skene: Krasimir Hristov; Menaxher skene: Plamen Nikolaev; Garderobiere: Gergana Yorgova Mineva, Flutura Dedinja; Balerinë: Mërgime Morina, Fatmir Smani; Koordinator të produksionit: Adrian Berisha, Patrik Mazreku, Simon Kurti, Rina Statovci, Izet Cuculj, Rreze Kurteshi; Koordinatorë gjeneralë: Meriton Ferizi, Rreze Kryeziu – Breznica, Dardan Selimaj; “La Traviata” është produksion i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës - Bullgari, Teatrin e Operës dhe Baletit - Shqipëri, Filharmoninë e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës.