Kulturë

Kur nazistët dogjën së pari librat, pastaj njerëzit

Djegiet e librave nga nazistët ishin dëshmi e pamohueshme se fryma progresive e Republikës së Waimarit kishte marrë fund

Në vitin 2022 një pastor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dogji librat e “Harry Potterit”, duke zgjuar kujtimet e djegies së librave nga nazistët. Nëntëdhjetë vjet më parë, zjarret e mëdha nëpër qytetet gjermane u ushqyen me libra të cilat nazistët i konsideruan si “jogjermane”

Në një ditë me shi të muajit maj, shkrimtari gjermani Erich Kästner qëndron në mes oficerëve nazistë dhe shikuesve që rrinë përpara një turrë drurësh që ndriçon “Opernplatz” në Berlin, tani të quajtur “Bebelplatz”. Burrat në uniforma hedhin mbi zjarr grumbuj me libra.

Kästner dëgjon teksa emri i tij kumbon nga mikrofoni: “Kundër dekadencës dhe vdekjes shkatërruese! Për disiplinë dhe njerëzillëk në familje dhe në shtet! Ua dorëzoj flakëve librat e Heinrich Mann, Ernst Glaeser dhe Erich Kästner!”

Image
Erika Mann (majtas) dhe vëllai i saj Klaus Mann, fëmijët e Thomas Mann ishin ndër shkrimtarët e dënuar nga nazistët (Foto: akg-images/picture alliance)

Një akt barbar që jehon deri në ditët e sotme

“Nëse nuk do të kishte nazistë; nëse nuk do të kishte djegës librash, atëherë me siguri që diversiteti kulturor dhe shpirti inovativ që ishte zhvilluar në Gjermani gjatë viteve ‘20 do të vazhdonte”, ka thënë historiani Werner Tress, autor i disa veprave të rëndësishme që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Por rritja e numrit të nazistëve shënoi fundin e lulëzimit kulturor që Gjermania përjetoi gjatë kohës së Republikës së Weimarit (1919–1933). Djegia e librave më 10 maj ishte një tregues i pamohueshëm i saj.

Image
Skenë e filmit të vitit 1930 bazuar në romanin e Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” (me protagonistë Lew Ayres, majtas dhe Louis Wolheim), që u vu në shënjestër nga agjitatorët nazistë (Foto: akg-images/picture alliance)

Që nga ai moment shumë nga shkrimtarët dhe intelektualët të të cilëve u dogjën librat, ikën nga Gjermania. Emra si: Alfred Kerr, Bertolt Brecht, vëllezërit Thomas dhe Heinrich Mann, Erika dhe vëllai i saj Klaus Mann, Albert Einstein, Else Lasker-Schüler, Irmgard Keun, Ernst Toller qenë vetëm disa nga emrat e elitës kulturore të Republikës së Weimarit që ikën nga nazizmi. Me kalimin e kohës kur nazistët morën pushtetin dhe kur më 30 janar të vitit 1933 Hitleri u bë kancelar, ishte e qartë që ata nuk kishin të ardhme në Gjermani.

Armiqtë e nazistëve: hebrenjtë, të majtit dhe liberalët

Në vitet para marrjes së pushtetit, nazistët tashmë kishin treguar gatishmërinë e tyre për të luftuar kundërshtarët – ku përfshiheshin të gjithë hebrenjtë, por edhe çdo artist që nuk ishte dakord me ta politikisht. Kushdo që nuk përkrahte vijën ideologjike të nazistëve, përgojohej si “jogjerman”, emrat dhe veprat e tyre shtoheshin në listat e zeza të cilat përditësoheshin vazhdimisht.

Në maj të vitit 1933, më shumë se 200 shkrimtarë ishin futur në listën e zezë. Një vit më vonë, më shumë se 3.500 vepra të shkruara ishin ndaluar.

Image
Shkrimtarja e socialistja Helen Keller foli hapur kundër cezurës naziste (Foto: AFB)

Nazistët përçmuan posaçërisht romansierin Erich Maria Remaque. Novela e tij e vitit 1928 “Asgjë të re nga froni i perëndimit” është një përshkrim i pakursyer i hororeve të Luftës së Parë Botërore dhe për herë të parë ishte adaptuar në film në vitin 1930.

Nazistët dhe konservatorët gjermanë kishin sulmuar edhe më herët librin dhe mesazhin paqeruajtës të tij, duke e akuzuar për diskreditimin e ushtarëve gjermanë dhe kur filmi doli në Gjermani më 1930, SA (grupi fillestar paraushtarak i partisë naziste) e ndërpreu transmetimin dhe e ndaloi përkohësisht filmin.

Në maj të vitit 1933 në Gjermani nuk jetonte më as Remarque. Ai kishte emigruar në Zvicër vetëm pak para se nazistët ta merrnin pushtetin në janar të po atij viti.

Image
Pas Luftës së Dytë Botërore, shkrimtari Erich Kästner, i njohur për librat për fëmijë, mbështeti Bibliotekën Ndërkombëtare të Rinisë. (Foto: Inge Loeffler/Arkivi i qytetit të Münichut/Fondacioni Ndërkombëtar i Bibliotekës Rinore)

Një letër e hapur nga ikona amerikane

Përderisa me shumë gjasë Erich Kästner ishte shkrimtari i vetëm që pa me sytë e tij djegien e librave të veta në natën e 10 majit të vitit 1933, “New Tork Times” publikoi një letër të hapur drejtuar studentëve të universiteteve gjermane. Shoqata e Studentëve Gjermanë ka qenë e dominuar nga nazistët që nga viti 1931 dhe ka qenë instrument i organizimit të djegies së librave.

“Historia nuk u ka mësuar asgjë nëse mendoni që ju mund t’i vritni idetë”, shkruante në letër. “Tiranët janë përpjekur ta bëjë më herët shpesh një gjë të tillë dhe ideja është ngritur mbi fuqinë e tyre dhe i ka shkatërruar ata”. Këto fjalë janë formuluar nga Helen Keller, shkrimtarja amerikane shurdhmemece dhe e verbër, librat e së cilës “Si u bëra socialiste” ishte njëri prej atyre që ushqyen flakët e atij zjarri së bashku edhe me shkrimtarët e tjerë ndërkombëtarë sikurse: Jack London, Upton Sinclair, Ernest Hemingway, Maxim Gorky, Alexandra Kollontai, Jaroslav Hasek, Sholem Asch e shumë të tjerë.

Image
Shkrimtari antifashist Erich Mühsam në kampin në Orianenburg, disa muaj para vrasjes së tij (Foto: Photo12/Universal Images Group/Getty Images)

Njohja e Kästnerit në turmë

Pak para mesnatës më 10 maj të vitit 1933, një grua e re në “Opernplatz” të Berlinit ku po digjeshin librat thirri: “Ai atje është Kästner!”.

Erich Kästner u “shqetësua", siç shkroi më vonë. Ai u largua nga sheshi, por qëndroi në Gjermani, duke mbajtur disi kokën nën ujë viteve të ardhshme. Si johebre, ai mundi t’i mbijetonte periudhës deri në fund të diktaturës naziste në vitin 1945. Të tjerët nuk ishin aq me fat.

Image
Regjisori Fritz Lang (majtas, me aktorët Paul Hubschmid dhe Walter Reyer) ishte një nga të paktët emigrantë që vazhduan suksesin e tyre edhe pas migrimit nga Gjermania naziste (Foto: United Archives/picture alliance)

Gazetari dhe shkrimtari Carl von Ossietzky u arrestua më 1933 dhe vdiq më 1938, pas disa vjetësh burgu e torture dhe i shoqëruar nga policët edhe në spital. Gazetari antimilitarist Erich Mühsam u vra më 1934 në kampin e përqendrimit në “Oranienburg”.

Poeti gjermano-hebre Gertrud Kolmar, i cili qëndroi në Berlin për t’u kujdesur për babanë e tij, vdiq në vitin 1943 në kampin e shfarosjes në Auschwitz. Ata që ia dolën të iknin nga Gjermani iu desh të nisnin një jetë të re, shpesh në gjuhë të re. Për shumë kjo shënoi edhe fundin e karrierës së tyre. si për shembull Irmgard Keunautori i romanit të vitit 1932, “The Artificial Silk Girl” dhe Alfred Döblin, i cili shkroi “Berlin Alexanderplatz” (1929).

Të tjerët u shtynë drejt vetëvrasjes për shkak të vështirësive psikologjike apo financiare, ose nga tmerret.

Image
Skulptura nëntokësore “Biblioteka e zbrazët” është një memorial për djegien e librave nga nazistët (Foto: Susanne Spröer/DW)

Sukseset në mërgim

Vetëm disa emigrantë nga skena kulturore evropiane ishin në gjendje të vazhdonin karrierën e tyre, si: Fritz Lang, Billy Wilder, Bertolt Brecht dhe Thomas Mann.

“Fluksi i emigrantëve nga Gjermania ishte një përfitim i madh për universitetet dhe institucionet kulturore amerikane”, ka thënë historiani Tress, “një gjë prej të cilit ata përfitojnë ende edhe sot e kësaj dite. “Por unë do të thosha se ne në Gjermani ende nuk e kemi marrë veten nga humbja”.

Aty ku librat digjen, përfundimisht do të digjen edhe njerëzit

Ajo që është sot “Bebelplatz” në Berlin përmban një memorial për djegien e librave, një vepër e vitit 1995 e skulptorit izraelit Micha Ullmann, e titulluar “Biblioteka e zbrazët” – një dhomë nëntokësore e veshur me rafte librash të bardhë bosh, të dukshëm nëpërmjet një xhami të vendosur në trotuar. Në një pllakë aty pranë shkruhet: “Aty ku digjen libra, në fund do të digjen edhe njerëzit”.

Këto fjalë, të shkruara nga poeti gjermano-hebre, Heinrich Heine, më 1820, u bënë realitet tmerrues në Gjermaninë naziste.

“Në vitin 1933, nazistët dogjën libra, ndërsa në vitin 1938 dogjën sinagogat”, ka thënë Tress. “Dhe më 1942 e 1943, gjenocidin e organizuar mbi hebrenjtë evropianë në Shoah, ku u dogjën njerëzit”.

Image
Shkrimtari gjerman Heinrich Heine

Jo një shpikje naziste

Heinrich Heine nuk ishte parashikues; fjalët e tij i referoheshin djegies së librave në Spanjën mesjetare. Nazistët nuk ishin kurrsesi shpikës të këtij akti barbar, i cili ka një traditë të gjatë. Librat (dhe njerëzit) u dogjën gjatë historive shekullore të krishterimit dhe të islamit, si dhe në Greqinë dhe Kinën e lashtë dhe në kohët më të fundit, në Iran dhe Rusi.

Regjimet autoritare në të gjithë botën i frikësohen fuqisë së fjalës së lirë për të vënë në pikëpyetje dominimin e tyre – dhe në rastin e nazistëve, aq shumë sa ndër veprat që dogjën më 10 maj 1933 ishin ato të Heinrich Heines, më shumë se 70 vjet pasi që poeti kishte vdekur në Paris.

Marrë nga “Deutche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku