Kulturë

Kultura në distancë

Prej vitit 2003, kur edhe është themeluar teatri “ODA”, asnjëherë nuk është përballur me krizë më të madhe. Pas 15 vjetëve punë, janë detyruar që ta njoftojnë njërin prej punonjësve se nuk do t’i vazhdohet kontrata nga ky muaj. Kësisoj, kriza e krijuar nga pandemia ka nisur që të ketë efekt të thellë te teatri “Oda”. Prej katër punonjësve të rregullt ose të stafit esencial do të kenë një më pak. I bie që ta shkurtojnë stafin e domosdoshëm për 25 për qind.

Por efekti i pezullimit të aktiviteteve të Teatrit tash e pesë muaj është shumë më i gjerë. Nuk janë angazhuar në projekte aktorë, kostumografë, skenografë, regjisorë, prodhues materialesh e të tjerë. Ky është veç një shembull që tatëpjeta financiare ka nisur të ashpërsohet gjithandej. Përderisa pandemia ka nisur të hapë vragë të thella në art e kulturë, shteti ka bërë vetëm premtime.

Është folur për pako emergjente që do të ndihmonin qëndrueshmërinë e organizatave kulturore. Por gjithçka ka ngelur në nivel muhabetesh. Në përballje e sipër me rrezikun artbërësit kanë nisur të gjejnë alternativa për të qenë afër publikut. Platformat online apo performancat që transmetohen virtualisht janë opsioni i vetëm që i mban gjallë. Kështu ka nisur njëfarë transformimi i mënyrës së qasjes ndaj publikut. Dy prej festivaleve më të rëndësishme në Kosovë e përtej saj, “DokuFesti” e “Anibari” këtë muaj do të mbahen virtualisht. Pasojat në ekonomi llogariten të jenë goxha në shifra të larta. Prizreni në kushte normale do të transformohej gjatë ditëve të “DokuFestit”. Por sivjet, bizneset e atjeshme do t’i kenë ditët krejt të zakonshme sa i përket klientelës.

Pezullimi i aktiviteteve

Më 13 mars Qeveria kishte vendosur që të pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore. Asokohe, institucionet shtetërore e organizatat kulturore janë gjendur para një udhëkryqi të vështirë. Nuk ishin të përgatitura që të mbajnë lidhje me publikun nëpërmjet ndonjë formë alternative. Ka prej tyre që ende ia kanë dalë të jenë afër publikut në kohë pandemie. Shpejt u mor vesh se binarët tradicionalë nuk bënin punë. Duhej gjetur rrugë të reja. Institucionet prestigjioze në botë, por edhe disa prej atyre të vendeve të rajonit prinë në komunikimin e ri me audiencën. Filarmonia e Berlinit aktivizoi “Sallën koncertale digjitale”, një projekt ky që kishte zënë fill para se pandemia ta vinte botën në hall. Platformat digjitale sidomos ato të muzeve të vendeve përreth Kosovës erdhën në shprehje me shpejtësi. Të përgatitura më herët ato u promovuan me intensitet më të lartë pandemisë.

(Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)