Aty ka kujtime, shenja lufte, tjetërsim të njeriut nga natyra, dëshpërim, por mbi të gjitha optimizëm. Është një lloj parashikimi i së ardhmes. Tërhiqen paralele midis së kaluarës së Kosovës si thirrje që historia të mos përsëritet, diku njeriu përballet me teknologjinë
Tranzicioni prej luftës në Kosovë drejt një shoqërie të qëndrueshme, optimiste dhe të sigurt, është koncepti për “Kujtimet e së nesërmes”. Ekspozita vjetore e Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës sivjet ka qenë e veçantë pasi është angazhuar kurator për ekspozitën. Britaniku James Walmsley e ka ndërlidhur të tashmen në botë me të kaluarën e vendit. Me vepra tërhiqet një lloj paraleleje ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes duke prezantuar humbjen, rrënimin dhe rilindjen.
Veprat në përgjithësi janë moderne e abstrakte dhe të mediumeve të ndryshme. Pikturë, fotografi, skulpturë e instalacion janë format e artit pamor të prezantuara në ekspozitën vjetore të AAVK-së. Aty janë bukuria e natyrës e ndikimi i teknologjisë në shoqëri.
Ndërlidhja e gjendjes në botë me të kaluarën e Kosovës ka qenë një lloj mesazhi për stabilitet e paqe. Është vlerësuar se përpjekjet nëpërmjet ngjarjeve e zhvillimeve kulturore kanë forcuar e dëshmuar komunitetin dinamik e të rëndësishëm të artit të Kosovës. Janë përmendur edhe krijimi i skenave të artit dhe ndikimi e rëndësia në skenën ndërkombëtare.
Në ceremoninë e hapjes të premten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Walmsley ka thënë se është tejet pozitive të shihen këto nisma të reja në skenën artistike.
“Është kënaqësi të shohim standardin dhe kualitetin e artit në Kosovë, që njihet dhe respektohet në botë. Do të doja të falënderoja të gjithë artistët për pjesëmarrje, për besimin dhe bashkëpunimin”, ka thënë ai.
Në tekstin kuratorial ka shkruar se veprat e prezantuara i referohen natyrës së gjendjes njerëzore dhe se aty dëshmohet se si nëse nuk jemi të kujdesshëm, historia mund të përsëritet.
“Derisa Kosova po largohet nga lufta, fatkeqësisht luftërat aktuale dhe të tmerrshme në botë po shkaktojnë destabilitet të ri global. Këto konflikte na kujtojnë se sa e brishtë është jeta jonë e përditshme. Kërcënimi dhe realiteti i luftës dhe padrejtësisë janë ende gjithandej rreth nesh”, shkruhet në tekstin kuratorial.
Një pjesë të hapësirës në katin e sipërm të Galerisë Kombëtare të Kosovës e zënë veprat e skulptorit Ismet Jonuzi. Dy skulptura të mbuluara ngjajnë në buste e memorialë që përurohen në ceremoni të nderimit të figurave historike. Ngjyrat e ndryshme flasin për dallimin e një lloj ndarjeje shoqërore a politike. Artisti Jonuzi ka thënë se ato i ka quajtur “Monumente të pasluftës”.
Në një kornizë qelqi, në prapavijë më ngjyrë të kuqe janë rrënjët e një peme. Duket simbol i sakrificës për të ruajtur identitetin. Aty është edhe një lloj arkivimi i historisë që vjen nëpërmjet “përjetësimit” të kopshtit me bimë e gjallesa të fiksuara në material.
Artisti e profesori universitar, Ismet Jonuzi, ka thënë se veprat e tij kanë të bëjnë me të kaluarën e të ardhmen.
“Në këtë ekspozitë jam prezantuar me dy cikle. Njërin që e kam titulluar ‘Kopshti im i pasluftës’. Në këtë punim shihen gjurmët e luftës, por edhe një flutur që simbolizon një lloj optimizmi për të ardhmen. Kjo që ka ndodhur i takon veç së kaluarës, por që kanë mbetur gjurmët e luftës ku mund të vëreni armët, plumbat, dheu në një formë luan rol. Nga dheu kemi lindur dhe në dhe do të kthehemi, kjo është krejt filozofia e këtij punimi”, ka thënë Jonuzi derisa e ka vlerësuar ekspozitën në përgjithësi.
“Ka karakter optimist paraqet ngjyra, jetë, gjallëri, mendoj se kjo duhet të jetë edhe e ardhmja jonë. Jo e kaluara, dhuna, por gjurmët e së kaluarës, jo praktika”, ka thënë ai.
Faton Mazreku e paraqet rininë e vendit në veprat e tij. Portretet janë tejet realiste derisa përfshihet shoqërimi i moshave të ndryshme dhe ngjan në një lloj tubimi që përkujton të kaluarën.
Tri veprat me ngjyra të ndezura të Zake Prelvukajt janë poetike e me shumë ngjarje përbrenda. Trajtojnë ndikimin e teknologjisë në jetën e njeriut. E ardhmja vihet në pikëpyetje. “Njeriu teknologjik” bëhet kryefjalë në pikturat e saj.
“Këto shigjeta, këta njerëz, janë njerëz që nuk kanë gjini dhe që prodhohen e ndoshta nesër shiten në treg. Kështu i parashoh unë, kjo është teoria ime për t’u lidhur me konceptin se a do të jetë edhe kjo e ardhme e kaluar. Vitet shkojnë dhe nuk mund të kthehesh në ato vite, përpos nëpërmjet artit. Ne përmes artit i rikthejmë konceptet, i puqim dhe i prezantojmë këtu”, ka thënë Zake Prelvukaj, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.
Sipas saj, përfshihet e kaluara pa teknologji, gjendja e tanishme derisa parashikohet edhe e ardhmja e ndikimit të teknologjisë te njeriu.
“Jam marrë më shumë me zhvillimin teknologjik se si ka ndikuar te ne. Kam filluar nga vitet 1900 që emocioni është emocion, që fillon me zhvillimin teknologjik të asaj kohe, ka ndryshuar botën. Aty marrin hov fotografia, filmi, muzika, instrumentet e ndryshme. Natyrisht se ka pasur edhe kodime të ndryshme që nuk i dimë. Ka pasur një emocion që ka mbetur në të shkuarën”, ka thënë Prelvukaj.
Tejet estetike duken veprat e artistit Kamuran Goranci. Me përplot ngjyra japin efekte të peizazhit të natyrës e detektimit teknologjik, megjithëse janë abstrakte.
Goranci, që është edhe kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka thënë se në përgjithësi shprehja artistike është moderne.
“Këto janë forma krejt abstrakte, ka aty-këtu disa mediume më ndryshe, sidomos te skulptorët. Shprehja e artit është krejt moderne, abstrakte, të cilat ngërthejnë në vete shprehjen e secilit artist për të ardhmen tonë në përgjithësi”, ka thënë Goranci.
Sivjet është shënuar edicioni i pestë i ekspozitës vjetore të AAVK-së.
Fotografia si medium në ekspozitën “Kujtimet e së nesërmes” është prezantuar me shkrepjen e fotografit Burim Myftiu.
“Është një fotografi bardhezi, monokromatike, minimaliste. Është vajza ime në atë fotografi, sepse ajo çdo ditë priste kur do të kthehemi nga puna unë dhe shoqja ime. Në momentin kur ajo priste, hapte roletën dhe shikonte a është parkuar makina. Për atë arsye një ditë u afrova dhe fotografova pamjen e saj. Është një prej fotografive që kuratorit i pëlqeu dhe e mori për ekspozitë”, ka thënë Myftiu.
Projeksionet e skulptorit Adem Rusinovci me material druri janë si simbolikë e ringjalljes pas shkatërrimit. Në detaje duket se e cenojnë qëndrueshmërinë e objekteve dhe sfondin e shkatërrimeve të mëparshme. Ngjyra e zezë sjell në mendje djegien. Shtëpitë dhe kapelat janë elementet kryesore në relievet e tij, sikurse edhe mozaiku i copëzave të drurit në formë katrore. Shkatërrimi si pasojë e fatkeqësive natyrore e luftërave dhe rrënimi i tradicionales është perceptimi që japin veprat e Rusinovcit.
Veprat e Eshref Qahilit përfshijnë peizazhe natyre. Dy piktura me lule janë tejet estetike. Tjetra që duket më abstrakte, me plot ngjyra, i vë në pah bukuritë e imazheve që në jetë reale duket kaos. Janë kabllo e kamera që sikur ngujojnë dy pemë.
Dy skulptura të Arton Behramit e sjellin një “version” të ri të njeriut. Duket se flasin për pasojat e së kaluarës e ato të së ardhmes. Të formësuara prej guri dhe me vijat e gdhendura në to, vëmendjen e tërheq ajo që ngjan në pjesën e hundës me ngjyrë të zezë.
Pikturat e Agim Salihut kanë qenë kryesisht me hijezime, ku errësira e drita takohen dhe paraqitet dominimi i tyre te tjetra. Format ngjajnë se sjellin imazhin e objekteve të braktisura të cilat krijojnë opinionin për elementet të tjera minimaliste si detaje të tyre.
Mehmet Behluli e krijon komoditetin brenda dhomës me pikturat abstrakte dekorative dhe botës së gjallë. Vazo me lule qëndrojnë pezull, ndërsa ambienti kompletohet me karrige e tavolinë.
Në hapjen e ekspozitës “Kujtimet e së Nesërmes” e pranishme ka qenë edhe deputetja Saranda Bogujevci. Në ceremoninë e hapjes ajo ka thënë se nëpërmjet punës së artistëve vendorë është arritur të tregohet një pjesë e historisë dhe se ata janë frymëzim për gjeneratat e reja të artistëve.
“Ka qenë një rrugëtim për të menduar dhe për të parë një kontribut që secili prej jush keni dhënë jo vetëm në artin dhe kulturën e vendit, por përtej. Keni filluar veprimtarinë tuaj në kohët më të vështira të historisë së vonshme të vendit tonë. Përmes punës që e keni bërë keni arritur të tregoni një pjesë të historisë. E vazhdoni edhe sot. Ne që kemi qenë gjenerata më e re, por edhe ato tash, kemi mësuar dhe kemi për të mësuar shumë prej juve”, ka thënë Bogujevci, njëherësh artiste, në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes së ekspozitës vjetore të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës.