Kulturë

“Kuarteti” në çakordimin e dy shekujve deri te lufta e tretë botërore

Kap 200 e ca vjet, koncepton edhe të ardhmen, është kohë e çakorduar, të tillë janë edhe personazhet e ndjenjat e tyre. Zhanri është i papërcaktuar, njashtu sikurse edhe rolet, por me papërcaktueshmërinë e vet synon të ilustrojë realen e imagjinaren. Por “Kuarteti” me tekst të Heiner Müller, nën regji të Alban Beqirajt, me Afrim Kasapollin e Aurita Agushin në role kryesore, çakordohet edhe në skenë. Nëse ky ka qenë edhe qëllimi i ekipit, është tjetër çështje

Në një kohë që shtrihet prej para Revolucionit Francez e deri te kapërcimi pas luftës së tretë botërore, pa rrethanë fikse dramatike, pa zhanër e personazh të definuar, me Afrim Kasapollin në skenë, nën regji të Alban Beqirajt, publikut i ngelet veç të këqyrë seri.

Janë mbi 200 vjet histori prej Revolucionit Francez e deri më sot. Por publikut i serviret edhe një histori imagjinare, duke e futur bunkerëve të pas luftës së tretë botërore.

Kufomat janë “personazhet” e para që si rekuizita zënë vend në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës në shfaqjen “Kuartet” me tekst të gjermanit Heiner Müller. Qe planifikuar për skenë të vogël, por përfundoi në të madhe.

Është historia e Marquise de Merteuil (Aurita Agushi) dhe Vicomte de Valmont (Afrim Kasapolli). Që të dy narcistë e dashnorë të dikurshëm. Por roli i Valmont nuk është një personazh fiks. Lëviz shumë në kohë e karakter. Ka disa monologë që dominohen nga përmbajtja filozofike. Publiku e ka më të lehtë që të kapë fragmente të monologëve pasi krejt bashkë dalin të jenë të papërballueshëm, sidomos në kohën kur teatri është më i drejtpërdrejtë se asnjëherë në temat që trajton.

Bazuar në romanin voluminoz “Lidhjet e rrezikshme” të francezit Pierre Choderlos de Laclos, gjermani Heiner Müller ka nxjerrë dramën “Kuartet”. Vepër goxha e njohur dhe e inskenuar në botën gjermanofolëse, por tejet e vështirë për t’u nxjerrë në skenë. Rreziku për të qenë patetikë gjatë lojës është shumë i madh, e sidomos kur del në pah edhe rrëshqitja nga koncepti regjisorial.

Image
Dialogu midis dy personazheve që shoqërohen edhe nga Ermal Sadiku e Agon Bala përfshin kujtime, epshe e marrëzi të njerëzve e grupeve shoqërore (Foto: Milot Tafili)

Dialogu midis dy personazheve që shoqërohen edhe nga Ermal Sadiku e Agon Bala përfshin kujtime, epshe e marrëzi të njerëzve e grupeve shoqërore. Ata kujtojnë kohët kur ishin të dashuruar, pastaj disa lidhje të tjera. Kritikojnë njëri-tjetrin, por njëkohësisht edhe tregojnë një fije dashurie që u ka mbetur gjallë.

Skena shpesh transformohet – megjithëse nuk lëvizin rekuizitat – në periudha të ndryshme. Më e vështirë del të jetë historia imagjinare. Kapet krejt pak nga publiku. Edhe nga pak ata që e kanë lexuar dramën.

“Duke e njohur këtë tekst e po ashtu edhe punën e regjisorit të ri, por shumë të talentuar, Alban Beqiraj, mendoj se solli një shfaqje me shumë dimensione të kuptueshmërisë. Por mbi të gjitha më e veçanta është patëm një protagonist të interpretuar nga aktori doajen, Afrim Kasapolli, i cili realizoi një rol kompleks, por edhe shumëdimensional në partneritet me aktoren Aurita Agushi”, ka thënë dramaturgu Arian Krasniqi.

Sipas tij, është një shfaqje që kërkon përqendrim e vëmendje për ta kuptuar jo vetëm tekstin, por edhe nënshtresat e tekstit dramatik dhe natyrisht që duhet të ndërtojë një raport të përjetimit estetik dhe filozofik me audiencën. Ka thënë se shfaqjet e kësaj natyre janë të nevojshme për teatrin dhe për t’iu dhënë rëndësi regjisorëve që të realizojnë konceptet e tyre.

“U ndava me përshtypje të mirë duke parë me një rol të këtyre përmasave aktorin doajen. Thjesht një shfaqje që i dha mundësi që ta bartë këtë rol shumë kompleks e shumëdimensional”, ka thënë Krasniqi, që ishte ndër të vetmit që ka pranuar ta komentojë shfaqjen që u dha premierë të martën mbrëma në TKK. Ishte përcaktuar të dalë para publikut në fund të muajit të kaluar. Por u shty. KOHA ka marrë vesh se edhe të martën aktori kryesor ka kërkuar që të shtyhet premiera, por pas disa insistimeve ka vendosur të dalë në skenë.

Siç ndodh rëndom në shfaqje të tilla, artistët e teatrit zakonisht me arsyetimin “jo se me vjen keq” dhe “e kam mik” refuzojnë të japin një mendim për inskenimin.

Në dy inskenimet paraprake në TKK, regjisori Alban Beqiraj ka qenë goxha më i hollë. Megjithëse preferon tekstet filozofike, kësaj radhe realizimi nuk mban tërësisht dorën e tij.

Ai ka thënë se drama “Kuartet” trajton fatin e dy personazheve në një relacion të gjerë kohor midis një salloni borgjez para Revolucionit Francez dhe një bunkeri të pas luftës së tretë botërore.

“Nuk ka rrethanë fikse dramatike, mirëpo shtrihet nëpër kohë e madje edhe nëpër të ardhmen”, ka thënë Beqiraj. Sipas tij, kjo u mundëson personazheve që ta trajtojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe koncepte të ndryshme, qoftë të historisë, qoftë të jetës sociale.

“Ky reflektim më ka mundësuar që të punoj me aktorin Afrim Kasapolli që sivjet ka 50-vjetorin e karrierës që në kuadër të një teatri të papërcaktueshmërisë ku nuk ka personazh të definuar tamam ose ai personazh transformohet në disa të tjerë, nuk ka as zhanër e shumë gjëra të tjera të papërcaktuara”, ka thënë ai. Në rrethana të tilla, sipas Beiqrajt, aktori fillon të zhytet në të kaluarën e tij e në rolet e tij dhe të reflektojë jo vetëm për përvojën e vet skenike, por edhe për ide të caktuara që lidhen me kohën rrethanat sociale.

Vetë Afrim Kasapolli nuk ka pranuar të flasë me një refuzim njohur për ata që kanë afërsi me të. Ka folur shumë në skenë e në disa raste ka bërë një lloj vajtimi për nivelin e teatrit. Ajo pjesë edhe mund të jetë më e kuptueshmja. E “Kuarteti” është pjesë e saj.