Fillimi i karrierës artistike për njëzet studentët e artit konceptual është shënuar me ekspozitën e parë në bagazhin e tyre të ardhshëm. Përpos zhvillimit e prezantimit të vlerave të tyre krijuese, ekspozita “Kthim”, me kuratore profesoreshën Majlinda Kelmendi, ka synuar të zgjojë interes, debate e dialog që tejkalon kufijtë personalë. Veprat janë punuar në kuadër të lëndës “Arte konceptuale dhe media të reja”.
Korridori i Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë ka qenë plot me vepra arti të ekspozuara në tri anët e mureve të improvizuara. Interesimi për të parë veprat e artistëve të rinj ka qenë i madh. Që në shikim të parë ekspozita sjell diversitet ngjyrash e marrëdhënie krijuese me botën e brendshme. Ani pse veprat zbërthejnë konceptin e artit modern, nuk mungojnë elementet kombëtare.
Disa nga veprat gërshetojnë edhe një botë jo pak të njohur abstrakte siç është “Imagjinata” e Erblina Mehajt me format e paraqitura si ikona të rrjeteve sociale të veshura me shumë ngjyra që vijnë si zhytje në këtë botë, çdoherë dominuese. Me “Lulet e verdha”, Diellza Hyseni paraqet dominimin në botën e vetmuar, përkundër errësirës që e rrethon, siç ndodh me rastin e luleve me ngjyrë të verdhë. Leonita Muja, studente në vitin e fundit të studimeve, në veprën “Digital Forest” nëpërmjet mediumeve të ndryshme ka formësuar formën e drurëve në versionin digjital, por instalacionit të saj ia ka bashkëngjitur edhe trupin real të pemës. Autorja e veprës ka thënë se punon më shumë me instalacione dhe piktura dhe se temat me të cilat merret janë e ardhmja, fantazia dhe natyra.
“Mesazhi që fshihet pas veprës është se sa e frikshme është e ardhmja, a do të ekzistojë natyra apo jo. Është pyetje që na frikëson të gjithëve, kështu edhe mua më ka frikësuar së pari dhe pastaj kam thënë se pse të mos punoj në këtë temë”, është shprehur Leonita Muja.
Ekspozita është vetëm një pjesë e punës së gjatë në hulumtimet e studentëve për veprat e tyre.
Profesoresha Majlinda Kelmendi ka thënë se ekzistojnë dilema në lidhje me njerëzoren e digjitalen dhe se pikërisht kjo temë i ka provokuar ata për të sjellë këto punime.
“Arti do pasionin, talentin dhe inteligjencën. Shumë studentë e kanë këtë dhe kjo është arsyeja pse unë u stimulova për të qenë pranë tyre derisa i realizojnë këto vepra”, është shprehur Kelmendi, ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Veprat herë-herë janë të trajtuara në mënyrë abstrakte, në anën tjetër përdoren edhe elementet digjitale.
Me “Paradoks”, Emine Dajaku paraqet të parit që konceptohet si depërtim në hapësirë nëpërmjet proceseve të jetës, ndërsa Krenare Sylejmani përdor ngjyrat dhe format abstrakte për të nxjerrë në dritë portretin e gruas në gjendje të kundërt në veprën “In Colours”.
Vepër ku instalacioni vihet më shumë në pah ka qenë ajo e Rinor Dautit. “Gjuha internacionale” është punuar në material të thasëve ndërsa në një anë është përdorur një shami e veshjeve tradicionale dhe jashtë tyre depërtojnë dy duart që kërkojnë të dalin jashtë kufijve të kornizave të cilat i rrethojnë. Vepra e Era Gogës është vendosur në dysheme e rrethuar në katër anë. “Dimension uni” projekton ngjyrat e zbehta që sa shkojnë e gjallërohen, si takim me forcën dhe lënie e gjurmëve të pashlyera.
“Punimi është pikturë instalacion që paraqet dimensionin ku i drejtohem vetes në vetën e parë, në dimensionin e artistëve që e kemi atë kreativitetin përrallor. Si punë është ndërtuar në pëlhurë, me ngjyra fosforike, ndërsa pjesa anash është punuar me dru dhe e gjithë vepra ka krijuar këtë vrimën për të mbërritur energjinë e një artisti”, është shprehur Era Goga, studente e vitit të dytë.
Arjeta Bislimi në “Feelings of the Sky” projekton qiellin e densitetin e tij që shpeshtohet në qendër të saj i ndarë në disa pjesë. “Embryos” e Besarta Hoxhës sjell planetin imagjinar unazor në hapësirën pa fund të blertë, ndërsa turbullirat që shkojnë duke u tërhequr paraqiten në “Kriza e shmangur” të Fitim Hazirit. Vepra ku më së shumti dominojnë ngjyrat e ngrohta është “Ditën poshtë diellit, natën mbi yje” e Arbreshë Qerimit. Ato sa shkojnë e zbehen për t’u përmbysur më pas në ftohtësinë ku gjejnë në tjetër formë për burim nxehtësie e drite. Në anën tjetër, ngjyrat e errëta zënë vend “N’dritare” të Antika Veselit që vjen si reflektim në dritare ku njerëzit paraqiten si silueta.
“Pieces of Memories” e Erleta Krasniqit e zhyt trupin në botën e kujtimeve për lojën e fëmijërisë.
“Kam paraqitur një person, jeta e të cilit është e zhytur në shumë ujëra, por që asnjëherë nuk janë aq të bukura sa ato të fëmijërisë. Ekspozita është eksperiencë e veçantë dhe mundësi e mirë që na është dhënë”, ka thënë Krasniqi, studente e vitit të tretë. “Realitet i abstraguar” e Jon Rexhajt me format që kanë pikat qendrore dhe shkojnë duke u zgjeruar në horizont bashkë me format e çrregullta, çojnë në mendje format e kufijve politikë. Diellza Berisha paraqet një labirint të botës imagjinare me figura mitike, misterioze dhe biologjike nëpërmjet veprës “Ne i takojmë një dimensioni tjetër”.
Ndër të paktat vepra, “Gratitude” e Reita Rrecaj formësohet prej elementeve tradicionale.
“Vepra mundohet të japë një lloj ndjenje të mirënjohjes ku gjenden disa lloj punësh që simbolizojnë diçka të ndryshme, pra secila e ka një simbolikë tjetër. Vajza me veshje kombëtare është vazhdim i disa punëve të tjera që i kam pasur, që paraqet diçka nostalgjike të njohur për një person”, ka thënë Rrecaj, studente e vitit të tretë.
Erion Kllokoqi paraqet portretin e një të riu në profil me duart e përgjakura si simbol për sfidat që shoqërojnë në jetë nëpërmjet “Onna Norimono”. “Portret” nga Azra Ibrahimi formëson deformimet e njeriut dhe thyerjen e lehtë të tabuve në shoqëri, ndërsa Donesa Zulfaj me “Mess” paraqet labirintin depërtues dhe konstruktin që fut thellësisht në mënyrën e konceptimit te shikuesi.
Ekspozita kolektive “Kthimi” e 20 studentëve të Fakultetit të Arteve do të qëndrojë e hapur deri më 17 dhjetor në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.