Kulturë

“Kosovo Theatre Showcase” me “Babai dhe babai” hap dyert e njohjes së teatrit e të realitetit

Ngjarja që shërben si hapësirë për shkëmbim përvojash teatrore, me theks të veçantë edhe njoftimin e audiencës së huaj me skenën vendore, është hapur me shfaqjen “Babai dhe babai” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Kushtrim Koliqit. Nëpërmjet saj publiku njeh edhe realitetin e vendit tek zbërthen çështjen e të pagjeturve

Hapja zyrtare e “Kosovo Theatre Showcase” me shfaqjen “Babai dhe babai” është përshtatur fort me esencën e kësaj ngjarjeje: njohjen e skenës teatrore të vendit, e nëpërmjet saj edhe të realitetit historik e aktual të vendit. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Kushtrim Koliqit, ka hapur zyrtarisht edicionin e pestë të “Kosovo Theatre Showcase”, e cila shërben si hapësirë për shkëmbim përvojash teatrore, me theks të veçantë edhe njoftimin e audiencës së huaj me skenën vendore.

Janë personalitete të shquara nga 20 vende të ndryshme – kritikë, gazetarë, dramaturgë e regjisorë, të cilët vijnë në këtë ngjarje organizuar prej qendrës “Multimedia”. Atë që kanë pasur mundësi ta shohin të martën mbrëma ka qenë shfaqja e cila reflekton pritjen e gjatë të familjarëve për të gjetur më të afërmit e tyre. Edhe ambienti ku është dhënë shfaqja ka qenë tejet unik: Muzeu Etnologjik në Prishtinë.

Në mbi një orë sa zgjat shfaqja me Ilire Vincën, Bujar Ahmetin e Kosovare Krasniqin, publiku arrin të shohë një familje prej tre anëtarësh: babai Dini, nëna Sara dhe vajza e tyre Lola. Për shkak të problemeve shëndetësore Dini është i papunë, por pret që shumë shpejt të dalë në pension dhe të fitojë disa të ardhura, kurse gruaja e tij, Sara, punon në një fabrikë për qepjen e uniformave, me të cilën mban familjen dhe siguron të ardhurat për studimet e vajzës së tyre, Lolës. Por tragjedia arrin kulmin kur publiku e kupton se Dini në të vërtetë është i vdekur dhe prania e tij vjen vetëm nëpërmjet halucinacioneve të gruas së tij, Sarës.

E tërë drama thuret nëpërmjet simboleve e metaforave të llojllojshme, të cilat shikuesit duhet t’i zbërthejë për ta kuptuar domethënien e saj. Së pari Dini ka një emër ironik, sepse është mu ai i cili në të vërtetë nuk di asgjë dhe është i paaftë për të kryer cilëndo punë. Por fakti se ai nuk di të bëjë asgjë lidhet edhe me atë se ai nuk ekziston, është i vdekur. Në anën tjetër, sa herë që Sara tenton t’ia japë ilaçet ato përplasen përtokë, duke dërguar kështu sinjale të mosekzistencës së tij. Ndërsa krejt në fund, sa herë që Dini ecën, nga supet e tij bie pluhur i cili asocion në dheun e varrit.

Loja në skenë krijohet edhe nëpërmjet dritave dhe këngëve popullore shqipe të cilat këndohet nga vetë aktorët. Në fund, për të qenë edhe më afër publikut, Lola e cila bëhet nuse me fustan të zi, ecën nëpër publik duke ua dhuruar atyre nga një mindil ku shkruhet “1600, na mungojnë”.

Aurela Kadriu, koordinatore e programeve në qendrën “Multimedia”, ka thënë se “Babai dhe babai” – e cila ishte dhënë premierë në majin e sivjetmë – për disa arsye ishte e përshtatshme për hapjen e “Kosovo Theatre Showcase”

“Mendoj që nuk ka mënyrë më të mirë për t’i prezantuar me realitetin e Kosovës një numër kaq të madh të mysafirëve sesa kjo shfaqje që, siç e dini, flet për personat e pagjetur, një realitet me të cilin ballafaqohen shumë familje të Kosovës edhe 22 vjet pas luftës, kështu që edhe pse në dukje mund të ketë qenë një vendim shumë praktik, mendoj që është njëfarë hyrje shumë e mirë dhe një prezantim i mirëfilltë i realitetit kosovar”, ka thënë Kadriu.

Ka treguar se edicioni i sivjetmë i “Kosovo Theatre Showcase” është më i madhi deri më tani.

“Këtë vit i kemi diku mbi 70 mysafirë nga e gjithë bota të cilët janë profesionistë të teatrit, duke përfshirë selektuesit e festivaleve, drejtorë të festivaleve e teatrove të ndryshme nëpër botë, me qëllim të rrjetëzimit dhe krijimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet skenës lokale të teatrit dhe asaj botërore”, ka thënë ajo, teksa ka theksuar fillimin e suksesshëm të kësaj ngjarjeje.

Kushtrim Koliqi, regjisori i shfaqjes “Babai dhe babai”, ka thënë se është i lumtur që ishte shfaqja e tyre ajo që bëri hapjen, përderisa ka çmuar rolin e “Kosovo Theatre Showcase”

“’Kosovo Theatre Showcase’ mbledh artistë të teatrit, producentë, gazetarë e të tjerë të vendeve të gjithë botës dhe është një lloj komunikimi mes njerëzve i cili është shumë e nevojshme m’u mbajt dhe me vazhdu qoftë me një bashkëpunim, qoftë me ndonjë ide të re përtej saj e të tjerë. Kështu që ne me të vërtetë jemi të lumtur që ishim ne që e hapëm sot ‘Kosovo Theatre Showcase’”, ka thënë Koliqi.

Por përshtypje kjo shfaqje i ka lënë edhe mysafirit nga Maqedonia e Veriut, Sasho Ognenovski, i cili u shpreh i lumtur që po merrte pjesë në këtë ngjarje.

“Çka më bëri më së shumti përshtypje ishte bukuria e aktrimit dhe në të njëjtën kohë në këtë vend fantastik i cili është i rrethuar me ngjyrat tradicionale ne gjetëm diçka që na shtyri thellë në një konceptim që lidh tradicionalen me më shumë lloje të shprehjes”, ka vlerësuar Ognenovski.

“Kosovo Theatre Showcase” që në ditën e dytë ka nisur edhe serinë e diskutimeve dhe i pari ka qenë të mërkurën në temën kritika teatrore mund ta shpëtojë teatrin dhe anasjelltas. Në program ka nëntë produksione vendore dhe nga një nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina, sikurse edhe performanca e prezantime të tjera. Disa prej tyre do të jepen edhe në Ferizaj e Gjilan. “Kosovo Thatre Showcase” zgjat deri më 30 tetor.