Kulturë

Kosova pa propozim për “Oscar”, humb ritmin me film

Pas propozimeve për nëntë vjet, Kosova ka hequr dorë nga propozimi i filmit për nominim për “Oscar” për vitin që vjen. Kësisoj ka vendosur Komiteti Seleksionues me arsyetimin se kandidatët “nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi”. Anash cilësisë, për ata që merren me këtë industri kjo është humbje e ritmit dhe jo vetëm

Kosova nuk e ka mbajtur ritmin sa u përket kandidatëve të saj për nominim për çmimin “Oscar”. Në vitin e dhjetë të mundësisë për të pasur kandidatë, Komiteti Selektues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka ardhur në përfundim se konkurrentët e sivjetmë nuk janë të denjë që t’ia mësyjnë garës së madhe. Si krahasim për këtë denjësi kanë pasur filmat e viteve të kaluara. Në anën tjetër, ky vendim shihet edhe si veprim që mund të lërë pasoja jo të vogla.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se për një dekadë të tërë Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve “Oscars” dhe komunitetin e tij vlerësues. Por, sipas QKK-së, pas trajtimit të aplikimeve të këtij viti, anëtarët e Komitetit Selektues kanë vendosur të mos propozojnë film për edicionin e “Oscars 2024”.

“Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këtij viti, Komiteti Selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë dëshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, Komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e ‘Oscars 2024’ të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova”, shkruhet në arsyetimin e dhënë.

Sipas QKK-së, në këtë vendim nuk u harrua të theksohet fakti se kualiteti i punëve të filmbërësve kosovarë të prezantuara në propozimet e filmave për “Oscars” deri tani ka ndërtuar reputacionin e kinematografisë në këtë platformë globale duke u afruar madje edhe deri te 15-shja e rrethit të ngushtë të filmave, siç ishte “Zgjoi” në vitin 2021.

Anëtarët e Komitetit, Veton Nurkollari, Kaltrina Krasniqi, Sevdije Kastrati, Doruntina Basha, Fatmir Spahiu, Kushtrim Hoxha dhe Yllka Brada kanë shqyrtuar aplikimet në përbërje të “The Land Within”, nën regji të Fisnik Maxville, “The Albanian Virgin”, nën regji të Bujar Alimanit, “I love you more” nga regjisori Erblin Nushi dhe dokumentari “Aktorët e Kanës” nga regjisori Mentor Spahiu.

Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka thënë për KOHËN se qëndron prapa vendimit të Komitetit. Sipas saj, Komiteti është i përbërë prej njerëzve profesionistë të industrisë së filmit, kredibilë dhe me përvojë të madhe në industrinë e filmit.

“Jurinë e kemi propozuar ne, ndërsa e ka aprovuar Akademia Amerikane e Filmit. Sa për krahasim: Edhe shtetet e mëdha evropiane shpesh nuk propozojnë filma, sepse besojnë se filmat që i kanë nuk janë të përshtatshëm për garën e ‘Oscar’. Nuk propozojnë çdo vit film, sepse dëshirojnë që të ruajnë mundësinë që kur të propozojnë film të jetë film i cili shkon larg në garë e jo të mbetet i pavërejtur apo të humbet fare në tregun e ashpër komercial amerikan”, ka thënë ajo. Ka shtuar se megjithëse nuk është i pëlqyeshëm për masat, beson se juria ka marrë vendimin e duhur.

Por krejt ndryshe mendon ish-drejtori i QKK-së, producenti Arben Zharku. Sipas tij, vendimi i Kosovës për të abstenuar nga paraqitja e ndonjë filmi për kandidim për “Oscars” është një vendim që vë në pikëpyetje shumë aspekte të rëndësishme të industrisë së filmit dhe potencialin e Kosovës për të fituar njohje ndërkombëtare.

“Ky vendim duket se është i nxituar dhe ka pasoja negative të dukshme, gjithashtu ka minuar shpresat e filmbërësve që kërkuan të përfaqësojnë Kosovën në këtë skenë globale”, ka thënë Zharku, i cili ka udhëhequr QKK-së për gati dy mandate dhe filmat e mbështetur gjatë asaj kohe kanë qenë më të suksesshmit në historinë e kinematografisë së Kosovës.

Zharku ka thënë se megjithëse nuk i ka parë të gjithë filmat kandidatë, është e qartë se të paktën dy prej tyre posedojnë cilësi të lartë dhe shfaqin me dallueshmëri pasurinë kulturore të Kosovës e në veçanti kualitetin e lartë të aktorëve.

“Nominimi i filmave të tillë jo vetëm që do ta kishte bërë Kosovën pjesë të vëmendjes ndërkombëtare, por gjithashtu do të vazhdonte praninë e saj, sado modeste qoftë, në peizazhin mediatik global”, ka thënë ai. Sipas Zharkut, është dashur që Komiteti të mendonte më ndryshe.

“Mbivlerësimi i dukshëm i Komisionit Seleksionues për gjykimin e tyre është pak shqetësues. Ngurrimi i tyre për të mbrojtur talentin kinematografik të Kosovës pasqyron një mundësi të humbur për të festuar dhe nxitur rritjen e industrisë së filmit në vend. Ky vendim mund të ngufasë shprehjen artistike dhe të kufizojë ndikimin kulturor të Kosovës në skenën botërore”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar “Në kërkim të Venerës”, me skenar dhe regji nga Norika Sefas, ishte filmi me të cilin Kosova synon çmimin e madh “Oscar” për vitin 2023. Filmi ishte vlerësuar si projekt që përfaqëson autenticitetin, por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Asokohe Komiteti Selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve “Oscars” ishte i përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Ukaj, Valmira Hyseni dhe Enis Saraçi.

Paraprakisht më 2021 ishte shënuar një sukses i madh. “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim. Rrëfimi për të venë Fahrije Hoti dhe betejat e saj për veten dhe gratë e tjera të një prej fshatrave më të goditura gjatë luftës në Kosovë kishte bërë që filmi të bënte bujë.

Më 2020, Kosova për çmimin e madh kandidoi me filmin “Exile” të Visar Morinës. Më 2019 propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit më 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015 dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscars 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër.