Prishtinë, 18 shkurt – Ishte 17 korriku i vitit 1912. Një grup patriotësh nga Kosova donin t’i mbanin të informuar me zhvillimet një pjesë tjetër të atdhetarëve, me të cilët i bashkonte synimi për një shtet shqiptar. Ishte koha kur Perandoria Osmane po numëronte muajt e fundit në Ballkan e vitet e fundit si alamet force në botë.
“Kryengritja e Kosovës, si po shifni vëllazën, sod ban nji hapë të madh e krejt këjo vise e madhe e Shqypënisë asht në dorë të kryengritësve”, shkruhet në letrën më të vjetër të ekspozitës që vjen si imazh. Aty sqarohet se Qeveria osmane ka dërguar një komision nga Stambolli duke aluduar që të bindë kryengritësit për të lidhur një marrëveshje. “...tuj i rrejtun disa shqipëtarë me të shpërndamit e Parlamentit e disa laika tjera”, shkruhet në letrën që është pjesë e ekspozitës së hapur të hënën në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, me rastin e shënimit të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Patriotëve të anës tjetër të Shqipërisë së asaj kohe, u tregohet se nuk do të bien pre e asaj që thoshin qeveritarët osmanë.
“Mir po nji shumic e madhe nga kryengritësit e prisat e tyre - ata qi janë shqypëtarë të vërtet - kërkojn’e dishërojnë qi të bahet nji mbledhje nga shqypëtarët e katër vilajeteve të Shqypënisë; e çka të shofin me udhë delegatët e krejt Shqypënisë, ato të drejta e privilezhe të kërkohen nga qeverija”, shkruhet në letër.
Ekspozita rrumbullakon disa prej momenteve interesante që kanë karakterizuar marrëdhëniet midis Kosovës e Shqipërisë nga viti 1912 deri më 1999. Pos dokumenteve e letrave të shkëmbyera përgjatë kësaj periudhe kohore, ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 22-të të këtij muaji përmban edhe fotografi. Sa i përket Luftës së Dytë Botërore pasqyrohen dërgimi i mësimdhënësve shqiptarë për të nisur shkollimin shqip në Kosovë, pastaj imazhet e asaj që njihej si Qeveria e regjencës. Një fjalim i Bedri Pejanit në Mitrovicë më 1944 është midis pamjeve e dokumenteve që flasin se si shqiptarët ishin të renditur në dy anët e fronteve të Luftës. Në këtë ngjarje del në pah se me bashkëpunimin midis shqiptarëve të të dyja anëve ishte i zbehtë nga përfundimi i Luftës deri në vitin 1966, kur pas rënies nga pushteti të ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandër Rankoviq, Kosova nis të zhvillohet me hapa më të shpejtë si pjesë e ish-Jugosllavisë. Më pas nisin marrëveshjet për shkëmbime të profesorëve universitarë midis Prishtinës e Tiranës, pastaj bashkëpunimet në fushën e kulturës e studimeve albanologjike, shkruan sot Koha Ditore.
Në hapjen e ekspozitës, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, ka thënë se sa herë që është kërkuar nga shteti shqiptar që t’i vijë në ndihmë pjesës tjetër që kishte mbetur jashtë kufijve të tij më 1913, nuk ka pasur hezitim, por gjithmonë ndihmë.
“Fillojmë me dokumentet për pjesëmarrësit në Kuvendin e Vlorës pastaj është një pjesë me të dhëna të personaliteteve të Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka nisur shkollimi shqip në Kosovë, pas përfundimit të Luftës dhe një liberalizim i jetës pas vitit 1966 prapë vjen ndihma e shtetit shqiptar me anë të pedagogëve të ndryshëm”, ka thënë Zyberaj. Sipas tij, është bërë përpjekje që të paraqitet një përmbledhje e shkurtër e asaj që posedojnë Arkivat e Shtetit Shqiptar në raport me marrëdhëniet me Kosovën.
“Jemi duke u munduar që të jemi sa më afër qytetarëve. Në të ardhmen planifikojmë që këto dokumente të bëhen botime të veçanta në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në këto dokumente”, ka thënë Zyberaj.
Elsa Saka, zyrtare për informim e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, ka thënë se bashkëpunimi me arkivat e Kosovës është i përhershëm.
“Jam e lumtur që Arkivi i shtetit ka sjellë një memorie të përbashkët. Të gjitha këto materiale që janë ekspozuar këtu mund t’i gjeni edhe në faqen tonë online”, ka thënë Saka.
E drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, institucionit nikoqir të kësaj ngjarjeje, Ajet Leci, ka thënë se jo rastësisht kjo ekspozitë është hapur në kuadër të 12-vjetorit të festimit të Pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, në këtë përvjetor do të kujtohen patriotë, si Hasan Prishtina, Isa Boletini e shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut në çlirimin e trojeve shqiptare.
“Nuk duhet të harrohet qëndrimi i shqiptarëve në burgjet jugosllave. Nuk duhet të harrohet komandanti legjendar, Adem Jashari, e qindra heronj e dëshmorë të tjerë”, ka thënë Leci. Ekspozita shpalos edhe një tjetër dimension të marrëdhënieve midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre në Shqipëri. Disa dokumente shpalosin se si bëheshin raporte të brendshme për vizitat e studiuesve nga Kosova në Shqipërinë e viteve ’70.
“Mbi vizitën e studiuesve kosovarë në vendin tonë”, është një prej raporteve të ekspozuara. Aty shpjegohet se me ftesë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dy studiues nga Prishtina po qëndronin në Tiranë në maj të vitit 1975. Ishin letrarët Ali Aliu e Ibrahim Rugova, i cili më vonë do të bëhej edhe presidenti i parë i Kosovës. Për dhjetë ditë qëndrimi do të vizitonin Vlorën, Fierin, Gjirokastrën, Sarandën, Durrësin, Elbasanin e Korçën. Do të shihnin “arritjet e pushtetit popullor” duke parë muze, fabrika e kooperativa bujqësore.
“Në mënyrë të veçantë Aliu Aliu tregohej aktiv. Bënte pyetje që kishin për qëllim thellimin e njohurive të tij për objektin e vizituar. Ndërsa Ibrahim Rugova në të shumtën e rasteve tregohej indiferent. Ali Aliu vazhdimisht, më rrallë, Ibrahim Rugova, fliste me admirim për sukseset tona”, shkruhet në këtë raport. Bile pas një vizite në një kooperativë në Korçë, akademiku Ali Aliu, sipas atyre që kishin hartuar raportin, ishte befasuar për të mirë.
“Atij i bëri përshtypje që fshati kishte 15 televizorë...”, shkruhet në raport. Në janar të vitit 1970 në Shqipëri për 14 ditë do të qëndronte akademik Rexhep Qosja. Po hulumtonte për disertacionin e tij të doktoratës. Interesimi i tij përshkruhet hollësisht në një raport të gjatë. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, marrëdhëniet midis dy vendeve kishin nisur të merrnin frymë më lirshëm. Ekspozita përfundon me disa deklarata të Kuvendit të Shqipërisë kundër agresionit serb në Kosovën e viteve të fundit të shekullit të kaluar.