Nëse nuk do të mund të bëjë asgjë tjetër për investimin më të madh në kulturë, Komuna e Prishtinës sivjet planifikon të shpallë konkursin për projektin ideor të sallës koncertale. Por pavarësisht planifikimeve të Komunës, ky plan vazhdon të përballet me problemet e vjetra.
Vendi se ku do të zërë vend një sallë koncertale me 800 deri në 1 mijë ulëse nuk është caktuar ende. Ish-objekti i shtëpisë së mallrave “Gërmia” ende mbetet opsion, por s’është i vetmi. Përderisa menaxhmenti i Komunës është i prerë që sivjet të bëhet një hap konkret, për komunitetin artistik ky lajm është tejet i mirë.
Shkaku i mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal e atij qendror, Komuna e Prishtinës viti e kaluar kishte humbur mundësinë që të përfitojë 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.
Ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” ishte mollë sherri midis Ministrisë së Kulturës e Komunës së Prishtinës. E para e kishte marrë nën mbrojte si monument, kurse e dyta donte rrënimin e objektit për t’i hapur rrugë sallës. Komuna për këtë vit ka paraparë buxhet prej 1.5 milion eurosh për këtë projekt.
Të njëjtat shifra i ka paraparë edhe për vitin 2021 dhe 2022. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në diskutimet që kanë pasur me Komisionin Evropian para pandemisë, ata janë interesuar për të financuar ndërtimin e sallës koncertale.
“Mirëpo i binte që të përfundojë në vitin 2023, sepse ishte në pjesën e fondeve IPA të vitit 2021. Tash pas pandemisë duhet të shohim pasi edhe Komisioni Evropian i ka ridrejtuar fondet për ta ndihmuar Kosovën për të kaluar pandeminë”, ka thënë ai. Sipas Ahmetit, Komuna është e zotuar që të ndërtojë sallën koncertale.
Ka thënë se një hap i mirë është që Komuna ka të blerë ish-shtëpinë e mallrave në qendër të qytetit dhe ish-hapësirën e “Tulltores” që gjendet në lagjen “Tophane”.
“Kemi prona në qytet dhe mund të vendosim midis dy a tri lokacioneve. Prioritet i yni është salla koncertale me 800 deri në 1 mijë ulëse”, ka thënë ai. Sipas tij, sivjet definitivisht duhet të nisë diçka konkrete. “Nëse asgjë tjetër, atëherë konkursi i dizajnit pa marrë parasysh se ku do të jetë salla dhe zotimi i mjeteve që të fillojë ndërtimi nëse jo në fund të këtij viti, në fillim të vitit tjetër”, ka thënë ai.
Pianistja Besa Luzha, që është edhe ligjëruese në Fakultetin e Arteve, ka qenë një prej personave më të zëshëm në raport me ndërtimin e një salle koncertale. Ajo ka thënë se është lajm tejet i mirë që Komuna në këtë gjendje të mund të fillojë me projektin e sallës. Sipas saj, të gjitha festivalet e muzikës janë duke pasur probleme për shkak të hapësirave.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.