Kulturë

Kolegët e kujtojnë Bajrajn si poet të himneve për lirinë njerëzore

Në një ambient me tinguj të lehtë muzike, që ngjasonte me ndonjë hapësirë të vogël meksikane, në kafenenë “Soma Book Station” është kujtuar poeti Xhevdet Bajraj. Bajraj është kujtuar nëpërmjet poezive të tij.

“Jeto jetën/si plaku me flokë të thinjur që mund të ishte profet... janë vargjet e poezisë “Këshilla për nipin tim Arbenin”, që janë lexuar nga aktori e shkrimtari Shpëtim Selmani e që kanë hapur mbrëmjen kushtuar Bajrajt.

Familjar të të ndjerit, miq e adhurues të poezisë ishin bërë bashkë për të dëgjuar vargjet që Bajraj ia kishte kushtuar rrushit të Rahovecit, jetës dhe vdekjes, të kaluarës dhe të ardhmes e temave dhe motiveve të ndryshme.

Por, në këtë natë nuk munguan as poezitë me temë erotike e ato të dashurisë, që poeti, tashmë i ndjerë, ia kishte kushtuar bashkëshortes së tij, Vjollca Bajraj.

Nën tingujt e kitarës së Tringa Sadikut, poezitë “Këshilla për nipin tim Arbenin”, “Një mizë e majme”, “Ujku”, “Ca kokrra rrushi Rahoveci”, “Muza”, “Vagabondi” e të tjera ishin vetëm disa nga poezitë e recituara nga shkrimtari Shpëtim Selmani e aktorët Armend Smajli dhe Alketa Sylaj.

Por, përveç tyre, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe publicisti Shkëlzen Maliqi, i cili ka thënë se ndonëse Bajraj tashmë kishte vdekur, poezia e tij do të jetojë edhe për shumë kohë.

“Xhevdet Bajraj është njëri prej poetëve më të rëndësishëm në brezin që u paraqit në vitet ‘80 dhe ‘90. Deri para një jave ka qenë gjallë dhe poezia e tij do të mbetet gjallë për shumë kohë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, shkrimtari Shpëtim Selmani ka thënë se poezia e Bajrajt ishte një poezi e mallit për atdheun dhe se letërsia shqipe ishte shumë me fat që kishte pasur një shkrimtar të tillë.

“Në pjesën e dytë të krijimtarisë së tij poezia e Xhevdetit është një poezi e mallit për vendin e vet. Në pjesën e parë në vitet ‘90 poezia e Xhevdes është një himn për lirinë e njeriut, prandaj është shumë e rëndësishme që jemi këtu sot. Ne jemi shumë me fat që e kemi pasur dhe ikja e tij ka qenë pikëlluese”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se për të, si një shkrimtar i ri, Xhevdet Bajraj kishte shërbyer edhe si shkrimtar model.

Xhevdet Bajraj vdiq në Meksikë më 22 qershor të këtij viti, në moshën 62-vjeçare. Urna e tij është varrosur në ditën e fundit të qershorit në Rahovec.

Bajraj u lind më 1960. Familja e tij nga fshati Panorc i Malishevës ishte zhvendosu në Rahovec. Në vitin 1999 ai, sikurse afro një milion shqiptarë të Kosovës, do të detyrohej të merrte statusin e refugjatit shkaku i luftës. Nëpërmjet Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve dhe programit të tyre për shkrimtarët e përndjekur, atij iu dha azil dhe një bursë në Shtëpinë e Shkrimtareve Refugjatë në Mexico City. Në vitet e mëvonshme ai është bërë profesor i rregullt i shkrimit kreativ në Universitetin Autonom të qytetit të Meksikos. Sipas biografisë së tij të publikuar nga shtëpia botuese amerikane “Laertes Press”, “në një univers artistik paralel, ai u shfaq si një yll në filmin ‘Aro Tolbukhin – Në mendjen e një vrasësi’”, film i vlerësuar me çmimin “Ariel” dhe kandidat i Meksikës për “Oscar” më 2003. Veprat e tij poetike, mbi 25, janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, danisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht e polonisht. Është laureat i shumë çmimeve letrare, midis tyre edhe i atij ndërkombëtar “Goliardos”. Botimet KOHA prej veprave të tij ka botuar: “Copa ime e qiellit” dhe “Lëngu i trëndafilit”. Në mesin e veprave të tij janë edhe “Kafe me nënën”, “Ca kokrra rrushi Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni”.

Ai është vlerësuar si një kërkues kokëfortë i parajsës së humbur për të dhe një poet që prapa ka lënë goxha trashëgimi për gjeneratat e reja. Në ceremoninë e mbajtur para varrimit të tij në Rahovec, Bajraj është vlerësuar si krijues i papërsëritshëm.

“Profesioni i cili e zbuloi formulën e pavdekësisë është arti, ndërrimi jetë në këtë profesion nënkupton ringjallje të kamotshme. Sot këtë hipotezë po e vërtetojmë edhe një herë. Xhevdeti na bekoi me poezinë dhe artin tij, ne dhe shumë studentë sot nderojmë vetëm duke i përmendur veprat e tij pasi që ai është i nderuar”, kishte thënë ish-zëvendësministri në MKRS, Sejnur Veshall.

Për ditët në Rahovec shkruante me mallin e një mërgimtari që gjithmonë para syve e kishte vendlindjen.

“Xhevdeti thoshte se ‘Rahoveci është pjesë vitale e organizmit tim, e cila fatkeqësisht më dhemb gjithmonë. Zemra ime rrah bashkë me të rrahurat e zemrës së Rahovecit’”, kishte thënë bashkëshortja e tij, Vjollca Bajraj, në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Rahovecit.