Kulturë

Kërkohen veprime institucionale në mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit

Shpalosja e raportit periodik të punës së Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës ka bërë që kuvendarët të kërkojnë veprime më energjike nga organet shtetërore për sundimin e ligjit në këtë zonë të mbrojtur

Aktorë të ndryshëm kanë shprehur shqetësime për zhvillimet në Qendrën Historike të Prizrenit gjatë vitit të shkuar. Sipas tyre, në këtë zonë ka mjaft sfida që duhet të adresohen nga institucionet përgjegjëse, me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore e historike. Madje shpalosja e raportit periodik të punës së Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrën Historike të Prizrenit në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës ka bërë që kuvendarët të kërkojnë veprime më energjike nga organet shtetërore për sundimin e ligjit në këtë zonë të mbrojtur.

Raporti për periudhën qershor 2020 – janar 2021 është prezantuar nga anëtarja e KTK-së, Igballa Rama, e cila ka dhënë hollësi lidhur me numrin e rasteve të shqyrtuara nga ky trup këshillëdhënës, bashkëpunimin ndërinstitucional, pastaj rrënimet brenda zonës, sikurse edhe për reagimet e KTK-së, konsultimet shtesë, punën gjatë pandemisë dhe kërkesat e Këshillit. Me këtë rast ka bërë të ditur se gjatë periudhës raportuese janë shënuar dy rrënime të ndërtesave të vjetra me vlera arkitektonike, dhe ka përkujtuar se KTK-ja ka vazhduar me reagime ndaj parregullsive në këtë zonë, siç ka qenë rasti për situatën kaotike të krijuar në Qendrën Historike, përkatësisht për shndërrim të saj në vendparkim publik, si dhe për parregullsi të tjera përfshirë intervenimet e papërshtatshme para lokaleve afariste.

Këshilltari nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj, ka vlerësuar se në raport janë dhënë shumë vërejtje. Sipas tij, disa prej vërejtjeve në raport duhet të adresohen te organet e drejtësisë. “Ky raport është skandaloz për këtë Ekzekutiv, ngase Ekzekutivi nuk i respekton as institucionet e veta”, ka thënë ai, duke shprehur gatishmërinë që raportin ta dërgojë në Prokurori.

Shukri Quni, asamblist i Nismës, është interesuar për rastet e ndërtimeve pa pëlqimin e KTK-së në Qendrën Historike, si dhe për masat lidhur me konstruksionet metalike para lokaleve afariste. Ai ka shprehur qëndrimin se Inspektorati nuk ka ndërhyrë lidhur me vërejtjet e KTK-së. “Kështu nuk ruhet trashëgimia kulturore”, ka shtuar ai.

Ilir Gashi i VV-së është interesuar për veprimet lidhur me lokalitetin arkeologjik në qendër dhe ka vlerësuar se “degradimi i trashëgimisë kulturore i ka tejkaluar të gjitha masat shqetësuese” dhe se po vjen “në pikën ku nuk do të ketë kthim prapa”.

Igballa Rama ka ofruar përgjigje për disa nga vërejtjet duke theksuar se KTK-ja ka reaguar publikisht për disa nga çështjet, sikurse që ka dërguar edhe kërkesa tek organet kompetente lidhur me lokalitetin arkeologjik. Në të njëjtën kohë ka theksuar se KTK-ja është trup këshillëdhënës.

Në anën tjetër drejtori i Inspektorateve, Edon Muçaj, paraprakisht gjatë seancës ka pohuar se ky organ ka vepruar në Qendrën Historike, ndërkohë që ka sqaruar se për konstruksionet metalike para lokaleve nuk ka intervenuar marrë parasysh situatën me pandeminë dhe vështirësitë e gastronomisë. “Por të gjitha kanë procedura të zhvilluara edhe mund t’i largojmë”, është shprehur ai.

Javë më parë edhe OJQ “EC Ma Ndryshe” përmes një komunikate pati konstatuar se asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren prej vitesh përballen me sfida të shumta, veçmas sa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të tyre. Sipas kësaj organizate monitoruese, të dhënat e institucioneve kompetente tregojnë se sfidat e kësaj natyre kanë qenë të pranishme edhe gjatë vitit 2020.

“Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka përmendur 4 raste të aktiviteteve pa leje e pa shqyrtim në këtë zonë, sikurse edhe ndërrimin e vitrinave të lokaleve. KTK ka konfirmuar se sfidat që identifikohen në Qendrën Historike janë të shumta, ‘duke filluar me ndërtimet, aktivitetet pa leje (mbyllja e tarracave para lokaleve me PVC apo qelq dhe konstruksion metali), vendosja e reklamave ndriçuese në ballore të lokaleve (më shumë se 1m katrorë dhe me dizajne të papërshtatshme), mosmenaxhimi i mirë i mbeturinave dhe vendndodhja e kontejnerëve e mbeturinave rrugore me numër të madh të cilat nuk largohen, parkingje ilegale dhe uzurpimi i trotuareve me vetura, qasja e automjeteve pa leje brenda Sheshit të Shadërvanit, ngasja me veturë mbi monumente (Urën e vjetër të Gurit) e shumë çështje dhe aktivitete tjera, të cilat mendojmë se duhet të diskutohen’”, shkruhej në komunikatën e “EC Ma Ndryshe”.

Aty gjithashtu theksohej se bazuar në të dhënat e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, në periudhën janar-dhjetor 2020 në Prizren, janë evidentuar 3 raste të dëmtimeve në ndërtesat e trashëgimisë kulturore dhe 12 raste të punimeve të paautorizuara apo tejkalim të kushteve të pëlqimit, ku në 2 raste punimet e paautorizuara janë realizuar nga organet komunale.

“Ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS ka njoftuar se në periudhën mars-dhjetor 2020, në 4 raste ka nxjerrë vendime për ndalim punimesh dhe obligim të palëve për kthim të aseteve në gjendje të mëparshme. ITK në këtë periudhë kohore ka paraqitur 1 kallëzim penal. Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020 ka identifikuar shkelje në 10 objekte në zonat e trashëgimisë kulturore në Prizren, me ç’rast ka shqiptuar 6 gjoba mandatore dhe 4 kallëzime penale, si dhe ka nxjerrë 3 vendime për rrënim”, thuhej në komunikatë.

“EC...” pati konstatuar se ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore në Prizren kërkojnë përkushtim dhe punë nga aktorët ndërsektorialë dhe se “institucionet përkatëse duhet të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të rritet efikasiteti në këtë drejtim”.