Kulturë

Katër zëra në jehonën e pakufishme të thesarit të Nexhmije Pagarushës

rliof

Me rreth 20 këngë, Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, Arbëreshë, si dhe Gala El Hadidi, kanë transmetuar emocione të thella tek audienca para Bibliotekës Kombëtare (Foto: RLIOF)

Me qasje të ndryshme njëri prej tjetrit, katër artistë janë bërë bashkë për t’i dhënë fuqi këngës së Nexhmije  Pagarushës. Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, “Arbëreshë”, si dhe Gala El Hadidi, secili me stilin e vet të muzikës i kanë kënduar këngët e njohura, me një kulmim të përbashkët në fund të koncertit me të cilin është hapur edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” i cili ka për moto “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”. Festivali është ëndërr e realizuar për të shembur mure, e pakufishme është edhe trashëgimia e ikonës së muzikës shqipe

Arti i Nexhmije Pagarushës nuk jeton vetëm në këngë, por edhe në mënyrën se si i frymëzon brezat për t’i kënduar shpirtit shqiptar. E si një jehonë e përhershme që i jep kuptim të ri këngës, fryma e saj është ndier në çdo varg e dridhje zëri në mbrëmjen që asaj i është dedikuar.

Të mërkurën, në hapësirat e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, është hapur edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” (RLIOF), me mbrëmjen që i ka sjellë kujtimet e pashtershme për Nexhmije Pagarushën.

Katër artistë me qasje të ndryshme njëri prej tjetrit, janë bërë bashkë për t’i dhënë fuqi këngës së moçme shqipe të ikonës Pagarusha. Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, “Arbëreshë”, si dhe Gala El Hadidi, secili me stilin e vet të muzikës i kanë kënduar këngët e njohura, me një kulmim të përbashkët në fund të programit.

Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, ky edicion ka nisur me koncertin që është shndërruar në një tribut të fuqishëm muzikor dhe vizual për artisten që e ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare. Mbrëmja është hapur me performancën e grupit muzikor “Gent Rushi Group” – i përbërë nga Gent Rushi në piano, keyboard Andi Kongo, Ermal Rodi në saksofon, Dritan Hekurani në bas dhe Emiljan Dhimo në perkusion – derisa në sfond kanë lëvizur imazhe arkivore të Pagarushës, të cilat e kanë shoqëruar koncertin përmes një ekrani të madh, duke e krijuar një ndjesi nostalgjie dhe respekti të thellë. 

Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, ky edicion ka nisur me koncertin që është shndërruar në një tribut të fuqishëm muzikor dhe vizual për artisten që e ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare (Foto: RLIOF)

E para e ka ngjitur skenën Edona Reshitaj, një nisje që menjëherë mbrëmjen e ka veshur me një tonalitet nostalgjie, duke e interpretuar këngën “Unë ty të kam dashtë”, e fill pas saj baritoni Adhurim Grezda e ka sjellë melodinë me elegancë, duke kaluar mes interpretimit klasik dhe një atmosfere intime me interpretimin e këngës “Perëndeshë e bukurisë”. Artistja e re “Arbëreshë”, e cila si zakonisht ka dalë në skenë me një instrument si def, me rrahje të lehta, e ka interpretuar përmes zërit delikat këngën “Ti mor djalë”.

Ajo që e ka kapur publikun në befasi ka qenë ngjitja në skenë e mexosopranos egjiptiane Gala El Hadidi, e cila filloi të flasë në shqip. Para se të kalojë mespërmes tingujve të këngës “E dehur jam”, ka shpjeguar se nuk e kishte ditur se kjo këngë është për dehje e për pije. Kombinuar me një natyrë të melodisë popullore, ajo e ka ndërlidhur përmes gjuhës shqipe zërin e vet operistik.

“Kur më del në derë” e ka rikthyer zërin e Edona Reshitajt, të përzier me tinguj jazz, e El Hadidi ka dalë sërish me tonalitete shpërthyese për ta interpretuar këngën “Vetë ke mbetë”. Grezda, që e kombinon muzikën klasike me tinguj të muzikës popullore, e ka interpretuar këngën “Kur më shkon si zog n’hava”, e publiku sikur donte të këndonte bashkë me të. Dëgjoheshin herë pas here sinkronizime zërash në fund të ulëseve përballë skenës e secila performancë përcillej me duartrokitje të lehta, por të zgjatura.

Me rreth 20 këngë, Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, Arbëreshë, si dhe Gala El Hadidi, kanë transmetuar emocione të thella tek audienca para Bibliotekës Kombëtare. Edhe këngët “O në atë fushë t’mejdanit”, “Zani i tij më thërret”, “O moj bukuroshe”, “Dashuro”, “Sytë për ty i kam të njomë”, “O dritë, sa të dua” dhe “E kujtoj atë takim” e kanë sjellë në stile të ndryshme muzikore ndjesinë përmalluese të zërit të Pagarushës.

Pas interpretimeve individuale, katër artistët janë rikthyer në skenë për t’i kënduar njëzëri edhe katër këngë. “Pranverë në Prishtinë”, “Mora testinë”, “Ani mori nuse”, e “Baresha” e kanë përmbyllur edhe natën hapëse të festivalit. E për këtë performancë, artistët kanë treguar se janë ndier të emocionuar.

“Pa dyshim ndihem shumë i lumtur, shumë krenar që po ripërtërihen këngët e divës së madhe të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Po vazhdon në këtë edicionin e pestë të vitit jubilar të ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ si hapje, besoj që do të shkojë edhe në koncertet e tjera të radhës shumë mirë. Kryesisht jemi bazuar te krijimtaria e Nexhmije Pagarushës, unë, për shembull, e kam pasur edhe një këngë tjetër që e kam marrë prej repertorit të Shkodrës, kam pasur qejf ta fus, ta bie si risi në këtë edicion, por kështu janë më shumë të caktuara këngët e repertorit të Nexhmije Pagarushës”, ka thënë baritoni Adhurim Grezda.

 Përtej aspektit muzikor, kjo mbrëmje e ka përfaqësuar përpjekjen për ta çuar më tej vizionin e RLIOF-it për ta bërë operën dhe muzikën klasike më të qasshme, pa kufij fizikë e institucionalë (Foto: RLIOF)

Mexosopranoja egjiptiane Gala El Hadidi ka folur dhe ka kënduar në shqip. Ajo ka kombinuar me një natyrë të melodisë popullore zërin e vet operistik. Kosovën dhe njerëzit e saj i ka lavdëruar pa masë, duke treguar befasinë e vet për trashëgiminë e pasur kulturore që ka Kosova.

“Prej këndvështrimit tim, ky shtet është i mahnitshëm, dua të vij sërish se më pëlqen shumë, dhe s’mund ta besoj se do të iki pas dy ditësh. Është ndjenjë e veçantë të këndoj për publikun kosovar, sepse janë shumë bashkëpunues, u pëlqen muzika dhe vërehet se ka një trashëgimi të pasur kulturore e muzikore, si dhe njerëzit janë të hapur dhe i ftojnë të gjithë, sot më lejuan të këndoj në gjuhën e tyre dhe i kënduam 20 këngë tradicionale, andaj ndihem e nderuar dhe e kam kënaqësinë të jem këtu”, ka thënë mexosopranoja egjiptiane Gala El Hadidi.

Ka treguar se me Rame Lahajn ka kënduar opera para disa vitesh dhe ka thënë se ai e përfaqëson më së miri Kosovën në skenat botërore të muzikës operistike.

“Rame Lahajn e njoh nga Gjermania, të dy këndojmë opera, dhe kam pasur kënaqësinë të këndoj me të në Gjermani para disa vitesh. Prej kur e ka themeluar festivalin, më ka ftuar disa herë të marr pjesë, por s’kam mundur të vij deri sivjet. Duke e njohur se sa shpirtmirë dhe i mrekullueshëm është si koleg, gjithmonë kam dashur të vij, e në të njëjtën kohë ai është një person që më së miri e përfaqëson Kosovën, andaj ky është një faktor i madh pse kam ardhur unë dhe shumë artistë të mëdhenj, sepse e duam Ramen dhe e respektojmë fondacionin dhe festivalin që i ka krijuar për profesionalizmin e tyre”, ka shtuar ajo.

Edona Reshitaj, që këngët e Nexhmijes i ka harmonizuar me tinguj jazz, ka treguar se ndonëse vendi paragjykohet për mungesë të muzikës së mirëfilltë, gëzohet kur sheh që ka koncerte artistike e aso të muzikës klasike.

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme, kam një nder të madh dhe një kënaqësi të madhe që marr pjesë në këtë festival fantastik dhe tjetra është që ky festival e ka bërë kthesën e muzikës, sepse gjithmonë është paragjykuar që Kosova nuk ka publik për muzikën e mirëfilltë dhe muzikën klasike. Domethënë, me këtë festival ne e kemi kuptuar që ka hala shpresë për vendin tonë, është një rikthim masiv i publikut, edhe në koncerte artistike, por edhe në koncerte klasike. Kjo është gjëja kryesore, sepse kohëve të fundit muzika dhe arti në përgjithësi ka devalvuar në të gjitha aspektet dhe tamam dëshpërohesh me gjithçka që ndodh, e sheh që ndodh diçka e bukur dhe e përmbledh një publik të tërë”, ka thënë ajo.

Artistja e re “Arbëreshë” përveç “Ti mor djalë”, “Dashuro”, e “O në atë fushë t’mejdanit” e ka kënduar edhe këngën “Oj lulija jonë”, me të njëjtën qetësi skenike.

Nga ana organizative, festivalin e kanë përshkruar si një ëndërr që është realizuar, duke e sjellë muzikën klasike të kombinuar me të tjera zhanre.

“Ne sapo e përfunduam mbrëmjen e parë të dedikuar të madhes Nexhmije Pagarusha dhe këtë vit e festojmë pesë vjetorin e Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj me moton ‘Ëndrra pa kufi, Opera pa mure’, sepse e gjitha nisi si një ëndërr dhe ja ku jemi sot që sjellim në Prishtinë dhe në disa prej qyteteve të Kosovës art të mirëfilltë, jo vetëm muzikë klasike, por edhe gërshetimin me ato që janë tingujt e kulturës sonë”, ka thënë Besmir Vokopola, i cili është koordinator artistik i edicionit të pestë të festivalit “RLIOF”.

Për këtë hapje ka folur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili i ka përshkruar si të mrekullueshëm artistët dhe performancat e tyre.

“Një ndjenjë e mrekullueshme, artistë të mrekullueshëm këtu sot, i patëm performancat e muzikës e këngës si tribut ndaj Nexhmije Pagarushës, me katër artistë të mrekullueshëm. Njëra prej tyre ishte prej Egjiptit, që nuk e njoha fillimisht, mendova që është shqiptare, po aq bukur këndonte shqip, saqë mendova se është prej këtu. U takuam tash e më tregoi që u kënaq në Prishtinë, po i pëlqen Prishtina dhe do që të vijë prapë të performojë në kryeqytet, sepse po e ndien atë energjinë e veçantë, të mrekullueshme, emocionin në Prishtinë”, ka thënë Përparim Rama.

Në këtë mbrëmje, dedikuar ikonës së muzikës shqiptare, këta katër artistë e kanë hapur rrugëtimin dhjetëditor të këtij festivali. Publiku i shumtë që ka qenë i pranishëm, e ka përshkruar si koncert mbresëlënës sidomos prurjen e këngëve të Nexhmije Pagarushës.

“E patëm rastin ta ndjekim një koncert mbresëlënës e të veçantë me interpretime shumë specifike dhe origjinale të këngëve aq të dashura, të adhuruara nga publiku ynë. Edhe ambienti para Bibliotekës Kombëtare ishte i jashtëzakonshëm sikur edhe vetë interpretimi. Artistët e mrekullueshëm, secili me ngjyrat karakteristike të zërit të tyre, i prunë imazhet e pasura tingullore të këngëve të yllit tonë të paharruar, Nexhmije Pagarushës, iu lumtë!”, ka thënë Lejla Pula, e cila është profesoreshë e muzikës.

Për të tjerë, rikthimi i këngëve të moçme e ngjall krijimtarinë e Pagarushës dhe i jep një frymë të re.

“Rikujtimi i këngëve të Nexhmije Pagarushës, në një mbrëmje vere me interpretime nga artistë të stileve të ndryshme, përfshirë edhe të huaj, e ringjall krijimtarinë e saj dhe ia jep asaj një frymë të re. Përmes çdo tingulli, këto interpretime sjellin nostalgji dhe emocion, duke ngjallur kujtime te gjenerata të ndryshme dhe dashamirës të muzikës. Një organizim i tillë është i mirëpritur për çdo qytetar që e vlerëson trashëgiminë muzikore shqiptare”, ka thënë profesori Festim Rizanaj.

Përtej aspektit muzikor, kjo mbrëmje e ka përfaqësuar përpjekjen për ta çuar më tej vizionin e RLIOF-it për ta bërë operën dhe muzikën klasike më të qasshme, pa kufij fizikë e institucionalë. Ky koncert në një ambient publik, me artistë vendës e ndërkombëtarë, e ka nënvizuar edhe një herë bindjen se arti mund të lulëzojë kudo, mjafton dashuria dhe përkushtimi ndaj tij. I njëjti do të vazhdojë edhe sonte në Pejë dhe nesër në Mitrovicë, duke e përçuar mesazhin e “Operës pa mure” në të gjithë Kosovën.

Koncerti, dedikuar ikonës së muzikës shqiptare, ka hapur rrugëtimin dhjetëditor të këtij festivali (Foto: Komuna e Prishtinës)