Filharmonia e Kosovës ka marrë përsipër që të shkojë përtej programeve të zakonta si nga aspekti përmbajtjesor edhe nga ai i organizimit teknik. Katër solistë në piano dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës ia kanë dalë që të realizojnë një koncert që rrallë shihet edhe në rajon
Prania e katër pianove në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë është “premierë” më vete. Ambienti, që për fat të keq shërben edhe si sallë koncertale, nuk ka qenë asnjëherë nikoqir i katër pianove. Por Filharmonia e Kosovës ka marrë përsipër që të shkojë përtej programeve të zakonta si nga aspekti përmbajtjesor edhe nga ai i organizimit teknik.
Katër solistë në piano dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës ia kanë dalë që të realizojnë një koncert që rrallë shihet edhe në rajon. Veprat e Johan Sebastian Bachut kanë nisur të interpretohen në Sallën ku të pranishëm ishin mbi 200 veta.
“Koncert nr. 1 në d-mol” me solist Menan Bërvenikun ka qenë introja e koncertit të së dielës mbrëma. Kjo vepër ishte vetëm një intro për të pranishmit e po ashtu edhe për dirigjentin bullgar, Svilen Simeonov.
Më pas ka qenë radha e “Koncert nr. 1 për dy piano në d-mol”, që veç ka nisur t’i japë formë edhe më madhështore mbrëmjes. Veprat e barokut të një prej kompozitorëve më të njohur të muzikës klasike janë goxha specifike. Tingëllojnë madhështore për instrumentistë profesionistë e publikun që muzikën klasike e kanë më të afërt. Jeta Dumnica e Misbah Kaçamaku si solistë, në shoqërim të Orkestrës Harkore kanë bërë që të pranishmit të vazhdojnë rrugëtimin me ngjyrat e barokut. Shumëngjyrëshe kanë qenë edhe veshjet e katër pianistëve në skenë, e kjo ka pasur simbolika të shumëfishta.
Moment në vete ishte dalja në skenë e tre solistëve. Mrika Sefa, Neritan Hysa e Menan Berveniku kanë vazhduar plotësimin e mozaikut të mbrëmjes. Treshja ka interpretuar “Koncert nr. 1 për tri piano në d-mol”. Me tri kohët e këtij koncerti mbrëmja muzikore veç ka shkuar në tjetër nivel. Në përfundim të interpretimit, publiku i kishte duartrokitjet më të gjata, jo veç për lojën, por ishte radha e asaj që konsiderohet perla e mbrëmjes.
Në koncertin “Bach Piano Extravaganca” i erdhi radha një prej veprave më të veçanta të kompozitorit, por edhe të krijimtarisë së tij. Me të dalë në skenë pianistët Mrika Sefa, Neritan Hysa, Menan Bërveniku e Misbah Kaçamaku, mbrëmja ka marrë tjetër pamje duke u plotësuar mozaiku i katër pianove me katër solistë. Kur dirigjenti ka dhënë shenjë të fillojë loja, shumica prej të pranishmëve për herë të parë kanë përjetuar interpretim në katër piano njëkohësisht. Për 12 minuta solistët bashkë me Orkestrën Harkore i kanë dhënë zë veprës “Koncert për katër piano në a-mol”.
Tri kohët e kësaj vepre kanë çuar publikun në një udhëtim muzikor që rrallë përjetohet në shtetet e rajonit e edhe në ato që kanë traditë të gjatë në muzikë klasike. Për shumë ndjeshmëria ka qenë e papërshkrueshme. Bile, mbrëmja ka qenë mjaft emocionuese edhe për vetë instrumentistët e dirigjentin.
Krejt bashkë janë munduar të japin më të mirën në një prej koncerteve më të rëndësishme edhe në karrierë.

Dirigjenti Svilen Simeonov ka thënë se bëhet fjalë për një koncert të mrekullishëm dhe se ai i do shumë veprat e Bachut.
“E kam dhënë më të mirën time për koncertin, orkestrën e solistët. Disa herë u kam treguar se Bach do të më mbysë, por ja, jam ende gjallë”, ka thënë ai. Ka falënderuar krejt stafin e Filharmonisë së Kosovës.
“Këtu ndihem sikurse në shtëpinë time në Bullgari. Jam këtu me miqtë e mi, të cilët ua japin zemrën artit dhe muzikës. Me të vërtetë njerëzit në Kosovë janë shumë të njerëzishëm. Do të vij prapë me shumë dashuri”, ka thënë ai. Dirigjenti është sjellë me pasionin e njëjtë edhe pas koncertit. Vazhdimisht ka thënë se bëhet fjalë për një mbrëmje tejet të veçantë.
Pianisti Misbah Kaçamaku mbrëmjen e ka përshkruar si madhështore. Ka thënë se madhështia e këtij koncerti është te fakti se e vë Prishtinën në kryeqendrat e kulturës në Evropë.
“Jam tepër i lumtur që Filharmonia ka arritur ta realizojë këtë koncert”, ka thënë ai.
E pianistja Jeta Dumnica ka thënë se një koncert i tillë organizohet shumë rrallë ose gati fare në kushtet e Kosovës.
“Jam shumë e lumtur që isha pjesë e këtij koncerti dhe një falënderim nga zemra për këtë kënaqësi që na kanë dhënë”, ka thënë ajo.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, koncertin e ka përshkruar si të veçantë e goxha të vështirë të realizueshëm teknikisht, pasi është dashur të bëhen bashkë katër piano.
“Sigurimi i katër pianove nuk ishte i lehtë. Kjo që ka ndodhur sonte nuk ndodh shpesh në rajon. Mund të shkojnë 20 vjet për të realizuar një ndërmarrje të tillë”, ka thënë ai. Ka treguar të jetë emocionuar me lojën e solistëve e të Orkestrës, por edhe me reagimin e publikut. Sipas Jasharit, baroku i ka karakteristikat e veta, andaj një mbrëmje komplet me Bachun ishte një përjetim më vete edhe për Filharmoninë, edhe për publikun.

“Vulë të madhe i kanë dhënë edhe solistët tonë. Të gjithë, kuadër vendor, që në mënyrën më profesionale i sollën veprat e Bachut, përfshirë dirigjentin me plot energji e vizion. Është shumë delikate të organizohet një koncert i tillë”, ka thënë ai.
Fatkeqësisht Filharmonia e Kosovës nuk mund ta përsëritë koncertin. Vendet për atë mbrëmje janë rezervuar brenda orës. E kushtet nuk ia japin mundësinë institucionit që sa më shumë njerëz të kenë qasje në programin e së dielës që është luajtur sikurse në ndonjë kryeqytet evropian, por realisht në një sallë që e ka të vështirë ta mbajë shiun kur ka reshje.