“Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë në Fier është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.
“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi, që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.
“Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorfit, raportojnë mediat në Shqipëri. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, Katrin Vohland, ka thënë se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës” përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor. Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschnikeri dhe Arnold Schoberi, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.
Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, citohet të ketë thënë se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.
“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa, në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane.