Një dezinfektues është vendosur në hyrje të lokalit “DECK Prishtina”. Kështu mendohet që të ruhet pastërtia dhe të parandalohet përhapja e COVID-19. Në muret e tij të veshura me dërrasa druri qëndrojnë të ekspozuara disa piktura. Lokali nuk është menduar që të shërbejë si hapësirë ekspozuese, ani pse të dielën është kthyer në diçka të tillë. Këtë rol do ta ketë për tri ditë, pasi që lokalet në rrugën “2 Korriku”, që njihet edhe si “Të kafet e rakisë” i janë bashkuar iniciativës “Ngujimi COVID-19” për të sjellë në këtë pjesë të kryeqytetit art, poezi, muzikë dhe performanca. Nga organizatorët, aktivitetet janë konsideruar si “një intervenim i lehtë artistik”. Synimi është që arti të përfshihet në kulturën e kafesë, por edhe që të ndihmohen artistët. Në anën tjetër kthimi i gjallërisë në kryeqytet, ani pse me aktivitete të zbehta dhe me përfshirje më të vogël, po shihet si shenjë shprese.
Ideja për diçka të tillë ka nisur nga një grup në “Facebook”, hapur nga artisti Veton Gusia, që ka më shumë se 500 anëtarë, kryesisht artistë e njohës të kësaj fushe.
“Momentin kur na është kërkuar që të qëndrojmë në shtëpi këtë ngujimin e kam lidhur edhe me ngujimin tradicional që e ka vendi jonë, por për arsye të tjera, duke filluar nga ngujimet për shkak të gjakmarrjeve e deri te mungesa e liberalizimit në ditët e sotshme”, ka thënë ai. Sipas Gusisë, qëllimi i aktiviteteve që po realizohen është që të shfrytëzohet kjo situatë për të futur një “mëlmesë” kulturore brenda kafeve.
“Ky është vetëm një intervenim i lehtë kulturor pa krijuar tollovi me njerëz. Qëllimi është vetëm që të realizojmë diçka të vogël, të recitojë dikush një poezi në këtë lagje, apo të këndojë dikush diçka. Pra, një intervenim që ua kujton njerëzve që edhe arti është i ngujuar, por në të njëjtën kohë i njëjti duhet që të jetojë”, ka thënë ai. Ka treguar se të gjitha veprat që janë të ekspozuara nëpër lokale janë në shitje si formë për të ndihmuar artistët dhe se intervenime të tilla po mendohet që të bëhen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
“Artistët janë të vetmit që nuk kanë përkrahje direkte, kështu që ideja është që t’i ndihmojmë edhe artistët gjatë kësaj periudhë”, ka thënë ai.
Betim Kadriu, pronari i lokalit “DECK Prishtina”, ka thënë se bashkëpunimi në mes të komunitetit është shumë me rëndësi dhe prandaj ka pranuar që artistët t’i ekspozojnë veprat e tyre në hapësirën e lokalit në dizajnin e të cilit dominon druri.
“Secila prej pikturave e ka zbukuruar vendin më shumë sesa tjetra. Lokali e ka një stil krejt tjetër dhe pikturat kanë ardhur dhe e kanë thyer pamjen e ambientit me ngjyrat e veta. Nuk është bërë ndonjë njoftim që më tërheq shumë vëmendje për shkak të situatës”, ka thënë Kadriu.
Edhe të lokali “Te shoku”, që është përballë lokalit të Kadriut, janë të ekspozuara disa vepra. Afër banakut qëndron edhe punimi “Simfoni e dashurisë” i artistit Refki Gollopeni nga Suhareka. Ai ka thënë se i është bashkuar kësaj iniciative pasi që gjatë kohës së pandemisë ishte shoqëruar me njerëzit që ishin pjesë e grupit të hapur në “Facebook”.