Kaherë është cilësuar yll në ngritje, shpejt edhe perfeksionist e gjenial në piano dhe Jakub Kuszlik (26) s’e ka zor ta dëshmojë këtë. I mjafton pianoja, salla nuk ka fort rëndësi. Recitali i tij në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kuadër të “Chopin Piano Fest” ka qenë një dëshmi e nivelit të tij me Debussy, Brahms e Chopin
Muzikaliteti e virtuoziteti në lojë e prezantim nga polaku Jakub Kuszlik ka qenë më se i veçantë në natën e shtatë të “Chopin Piano Festit”. Prejardhja e pianistit e programi me veprat e Frederic Chopint i janë përshtatur më së miri formatit të Festivalit. Me mjeshtëri ka interpretuar edhe vepra të Claude Debussy dhe Johannes Brahms.
Vetë rrëfimi muzikor me veprat botërore ka qenë i jashtëzakonshëm. Madhështisë i ka shtuar dozë interpretimi mjeshtëror i pianistit polak Jakub Kuslik. Koncerti ka nisur me “Fanstasie op.49” të kompozitorit emrin e të cilit e mban festivali, që sivjet shënon edicionin e 13-të. Ka nisur me tinguj të lehtë që shpalosin dinamikën çdoherë e rikthehen në pikën fillestare. Derisa me një dorë ka nxjerrë tingujt më të butë, me tjetrën ka projektuar ata më të vrazhdë e dominues.
Tinguj paralelë krijojnë një situatë tensioni që këputen prej vibrimit. Ovacionet e saj variojnë me tinguj të rrallë të cilët lënë jehona pas. Loja e Kuszlik krijon situatën paqësore të trazuar me ngjyra emocionale me kontrast të pjesëve të gjalla që vijnë me goditje të fortë të njërit buton në piano. Lëvizjet e gishtërinjve papritmas shpeshtohen dhe përshkojnë instrumentin nga fundi në fillim dhe anasjelltas. Sikur shumë tema të ngritura në vepër, bëhen një në interpretimin virtuoz të polakut Kuszlik. Tingujt minimalistë e përbëjnë gjysmën e dytë të veprës, e cila kur jep përshtypjen sikur ka mbarur, pasojnë pjesa dinamike. Tre tinguj me ton maksimal, por të vendosur në distancë, e përmbyllin pjesën.
Vepra e francezit Claude Debussy kanë filluar po ashtu lehtë, por që në përgjithësi, sikurse edhe në fillim, është dukur sfiduese kur dora mbi dorë është dashur të përshkojë tastet e pianos. Ani pse me tinguj të butë, loja dinamike krijon një tension përbrenda në “Reflets dans l’eau”. Derisa situata e tillë vazhdon, tinguj më dominues e veshin pjesën që tentojnë të lënë në sfond gjendjen paraprake. Por shuhen të dyja. Vijon interpretim i çiltër tingujsh që vijnë më rrallë, të kombinuar me disa që e rëndojnë atë. Me ndërprerjen e tingullit të cilët i lidh jehona e vibracioneve të saj, është hapur tjetër temë në interpretim, por që nuk ka ndryshuar rrjedhën e saj.
“Hommage a Rameau” ka qenë dinamikë në notat e para me tensionin e tingujve të shpejtë dhe atyre të çakorduar që tentojnë ta mbulojnë. Pavarësisht a bien a ngritën tingujt parësorë, prapavija mbetet e njëjtë dhe kjo e ka bërë tejet të veçantë pjesën. Atyre dytësorë u është ndërruar konteksti varësisht prej gjendjes së tingujve kryesorë. Në “Mouvement” lojë intensive është dalluar në tinguj me tone mesatare.
Në veprën “Piano Sonata Op.5 no.3” të gjermanit Johannes Brahms vepra ka qenë madhështore me pesë kohët e saj. Ka nisur me “alegro maestoso” ku melodia hapëse ka qenë në nivelin më të ulët dhe të errët në të cilën janë shprehur ndjenja pikëllimi me forcim të tempit, duke kaluar në një ritëm paksa më të shpejtë. Tingulli i njëjtë vjen çdoherë me versionin e serisë së tyre çdoherë në ngritje. Pikën ua vënë tingujt e dy notave paralele të larta me ndërprerjet e shpejta të vibracioneve. Në “andante” ka nisur me tinguj të butë e në këtë pjesë është ndjekur nga një lëvizje e ngadaltë që shkon duke u përfunduar relativisht e shpejt. Ka qenë si rrëfim muzikor edhe i vetë dashurisë së pianistit për pianon. Jo vetëm virtuoz, por edhe emocional. Figurativisht, tingujt edhe mund të shihen në këtë rast prej mënyrës se si pianisti Kuszlik e përjeton. Tempi në vepër ka qenë me luhatje krejt të lehtë deri në fund, por me ton të njëjtë. Për një moment del prej asaj linje, por kthehet në fillet e saj. Në “scherzo-trio” ka nisur gjallë. Kur harmonia e dinamizmi kulmojnë, në piano nis lojën me tinguj të qetë e të dyfishtë që vijnë paralelisht. Në “intermezzo” tema ndryshon dukshëm në çdo përsëritje derisa pjesa “finale” është më e shpejtë se të tjerat dhe më pak emocionale.

Duartrokitje disaminutëshe e kanë pasur përfundimin e koncertit e pianisti është kthyer disa herë për ta përshëndetur publikun. Jo një, por dy herë është kthyer në interpretim në shenjë falënderimi teksa ka zgjedhur veprat e Chopinit.
Kuszlik është pianist i vlerësuar dhe fitues i çmimeve të shumta për interpretimet e tij të jashtëzakonshme. Çmimi i Radios Polake i është dhënë për performancën më të mirë të mazurkave si dhe ka fituar garën e 18-të të “Chopin” atje. Kuszlik ka performuar në vende të ndryshme si në: Shtetet e Bashkuara, Japoni, Vietnam, Gjermani, Itali, Greqi, Norvegji, Kanada, Armeni, Bullgari, Lituani, Francë dhe Islandë. Ka luajtur në ambiente prestigjioze si “Lincoln Center” në New York, ku mori vlerësime të larta për performancën e tij.
Megjithatë koncerti i tij recital në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare i ka lënë përshtypje të paharruara.
“Nuk ka të bëjë çdoherë me skenën madhështore, ka të bëjë edhe me njerëzit. Ishin shumë mikpritës dhe po ndihem shumë rehat këtu. U kënaqa shumë duke luajtur për një audiencë kaq të mrekullueshme”, është shprehur pianisti Kuszlik. Muzikaliteti dhe virtuoziteti i jashtëzakonshëm i Kuszlik vlerësohet lart nga kritikët. E kanë cilësuar atë si një yll në rritje në botën e muzikës klasike.
Albumi i parë solo i Kuszlik “Brahms, Chopin”, u publikua në shkurt të vitit 2022 dhe përfshin incizime nga recitali i tij në Studion e Koncerteve të Radios Polake. Repertori i tij i pianos është i gjerë dhe i larmishëm, megjithëse ai është i specializuar në interpretimin e veprave klasike.
“Janë disa prej veprave më të dashura për mua. Për shembull ‘Fantasie’ e Chopin është pjesë e mrekullueshme me pjesë të muzikës ku ai ishte shumë kreativ duke shtuar ritme të famshme polake. Në anën tjetër kam luajtur edhe pjesë nga Debussy që është tejet shumëngjyrëshe dhe e thellë, sidomos pjesa e dytë”, ka thënë pianisti Kuszlik pas koncertit.
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, është shprehur e lumtur dhe e mahnitur me interpretimin e pianistit polak.
“Jakub Kuszlik na ka dëshmuar vërtet jo vetëm muzikalitetin dhe virtuozitetin e tij, por edhe magnetizmin e madh që kishte për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesve. Perfeksionuar deri në rastet më të hollësishme të shtjellimit të materialeve muzikore. Jam shumë e lumtur që audienca nuk është plotësisht profesioniste, por ka edhe prej atyre që janë adhurues të muzikës klasike, që janë kënaqur dhe e kanë shijuar në maksimum peformancën”, ka thënë profesoresha e muzikës Lejla Pula.
Drejtoresha organizative Besa Luzha e ka vlerësuar brilante lojën e Kuszlik, ndonëse në moshë të re.
“Për vetë faktin që ka fituar gjithë ato çmime, ato gara, edhe koncerton në moshë kaq të re. Publiku u kënaq me lojën brilante, teknikën fantastike, emocion e interpretim fantastik, krejt çfarë kërkohet prej një pianisti dhe performance pianistike. Vërtet ishim të kënaqur që me këtë koncert po e përmbyllim ciklin për muajin maj në këtë sallë”, ka vlerësuar profesoresha Luzha.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka qenë i pranishëm në koncert. Ka premtuar përkrahje të vazhdueshme për Festivalin.
“Koncerti ishte fenomenal, një performancë fantastike e artistit të madh, Jakub Kuszlik, shumë i ri në moshë, vetëm 26-vjeçar, mirëpo një gjeni i vërtetë që performonte vepra të gjenive të tjerë. Kemi nderin që e përkrahim këtë iniciativë dhe do të vazhdojmë ta përkrahim që të sjellin kësi njerëz gjenialë në kryeqytet”, ka thënë Rama.
Koncertin e radhës “Chopin Piano Fest” e mban me pianistin anglez Peter Donohoe dhe Filharmoninë e Kosovës në dirigjim të dirigjentit anglez Robert Guy në “KlanArena”, të hënën mbrëma.