Kontributi i Irena Sawickas në albanologji është çmuar me peshë, sikurse edhe në organizimin e studimeve për gjuhën shqipe në Poloni. Të martën asaj i është dorëzuar fletëdëshmia e pranimit anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku ajo mbajti ligjëratën në temën “Izokronia në gjuhën shqipe”. Para se të niste ligjëratën e saj inauguruese, Sawicka ka thënë se Kosova ka një vend të veçantë në zemrën dhe në mendjen e saj
Albanologia polake, Irena Sawicka, edhe zyrtarisht është bërë pjesë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në ceremoninë, kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja, ia dorëzoi Sawickas fletëdëshminë e pranimit si anëtare e jashtme e AShAK-ut. Pos kësaj Sawicka mbajti ligjëratën inauguruese me temën “Izokronia në gjuhën shqipe”.
Për kontributin e saj në fushën e studimeve albanologjike ka folur akademik Rexhep Ismajli.
“Në fund të vitit 2020, Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në bazë të propozimit të raportit të seksionit të gjuhësisë dhe të letërsisë, të hartuar nga anëtari i kryesisë, profesor Bardh Rugova, dhe akademik Eqrem Basha, për meritat e saj në studimet gjuhësore, me theks të veçantë për studimet albanistike, e zgjodhi profesor doktor Irena Sawickan, profesoreshë e gjuhësisë nga Polonia, anëtare të jashtme të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, ka lexuar para të pranishmëve akademik Ismajli. Sipas tij, ndihmesat e profesoreshë Sawickas, për organizimin e studimeve për gjuhën shqipe në Poloni, kanë qenë dhe vazhdojnë të kenë rëndësi shumë të madhe.
Para se ta niste ligjëratën e saj inauguruese, Sawicka ka thënë se Kosova ka një vend të veçantë në zemrën dhe në mendjen e saj. Në ligjëratë, fillimisht ka dhënë shpjegimet dhe nocionet që kanë të bëjnë me ritmin gjuhësor.
“Në përshkrimin e gjuhës, koncepti i ritmit është nga rëndësitë themelore. Ne e përkufizojmë ritmin gjuhësor si përsëritjen e fragmenteve ekuivalente në strukturën e gjuhës. Qendrat e këtyre fragmenteve, qendrat e rrokjeve, theksimet e fjalëve, theksimet e frazave, ata e ndajnë të folurit në fragmente izokronike. Ritmi gjuhësor realizohet kështu nga një grup karakteristikash kohore, melodike dhe dinamike. Organizimi i saktësisë në kohën e të gjitha komponentëve fonetike është një tipar i rëndësishëm i ritmit”, ka shpjeguar Sawicka. Ka konstatuar se ritmi në të vërtetë ka lidhshmëri edhe me qendrat kognitive të trurit të njeriut, teksa si rezultat i kësaj, gjuhësia krijon lidhje të ngushtë me psikolinguistikën.
“Sot, falë përparimeve të mëdha në kërkimin e trurit, shume ide rreth ritmit mund të futen në një kontekst të ri. Njohuritë e marra lejojnë të supozohet se ritmi i gjuhës është i kushtëzuar neurobiologjikisht. Sipas disa studiuesve, struktura kohore e gjuhës mund të parashikohet më lehtë në bazë të të dhënave nga psikolinguistika sesa fonologjia”, u shpreh ajo.
Lidhur më këtë, ballkanologia nga Polonia ka ofruar edhe disa dëshmi të cilat e forcojnë edhe më shumë studimin e saj.
“Rregullimi përfundimtar kohor i njësive gjuhësore nuk vendoset nga ritmi i gjuhës, por nga ‘ritmi kognitiv’, i rregulluar nga operacionet mendore. Si dëshmi përmenden veçanërisht motivimet neurofiziologjike të disa defekteve të të folurit. Forma prozodike e shprehjes është rezultat i bashkëpunimit të shumë qendrave në tru. Kështu, ritmi i të folurit ka një aspekt gjuhësor dhe biologjik”, ka bërë të ditur ajo.
Sawicka, e cila njihet për studimet tejet të rëndësishme në fushën e fonologjisë, ka përmendur edhe qëndrimet e dyanshme të studiuesve të gjuhësisë në raport me kualifikimin fonologjik të konceptit të mësipërm.
“Në literaturë, për këtë temë, ka një polemikë lidhur me kualifikimin fonologjik të këtij koncepti. Disa gjuhëtarë janë të mendimit se ritmi është pasojë automatike e dukurive thjesht fonetike dhe perceptuese, si për shembull reduktimet, theksimi i fjalëve dhe theksimi i frazave. Kjo do të thotë se ritmi është një fenomen thjesht sipërfaqësor. Sipas shumicës së gjuhëtarëve, kjo qasje është e pamjaftueshme: fakti që perceptimi i ritmit nuk bazohet në korrelatat fonetike, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai nuk bazohet në mekanizmin fonologjik”, ka thënë ajo. Ka shtuar se, sipas tyre, ritmi gjuhësor është një rrjet i pavarur që i imponon disa kërkesa tekstit të folur. Por, përveç këtyre dy grupeve, sipas Sawickas, ka edhe gjuhëtarë që mohojnë plotësisht ekzistencën e izokronizmit në gjuhë dhe e trajtojnë atë si një fenomen të rastësishëm.
Në rolin e njohëses dhe studiueses, e cila ka dhënë kontribut të madh në thellimin e studimeve gjuhësore të shqipes, Sawicka ka folur edhe për ritmin në kontekstin e gjuhës shqipe.
“Unë e kam bërë një sondazh të shkurtër dhe e kam kontrolluar ritmin shqip, duke krahasuar manipulimet e kohëzgjatjes së kronemave në ritme të ndryshme të të folurit. Rezultati ishte vëzhgimi se në shqip ekziston një tendence për t’i barazuar gjatësitë e njësive theksore – pra gjuha shqipe do të ishte një gjuhë e tipit stress-timed. Elementi i detyrueshëm i këmbës metrike (ose i taktit) është rrokja e theksuar, e cila përfaqëson majën ritmike të njësisë së ritmit”, ka konstatuar ajo.
Ajo ka folur edhe për mënyrën se si e kishte segmentuar të folurit dhe këmbët metrike të fjalëve të gjuhës shqipe.
“Natyrisht midis rrokjeve të theksuara mund të ketë numër të ndryshëm rrokjesh. Në gjuhësi, në praktikë, ekzistojnë dy mënyra për ta segmentuar të folurit në këmbë metrike. Unë zgjodha këtë, në të cilën gjatësia e këmbës metrike llogaritet nga zanorja e theksuar deri të zanorja tjetër e theksuar”, ka shpjeguar Sawicka.
Irena Sawicka është gjuhëtare polake, ballkanologe, sllaviste me interesime të theksuara edhe në albanistikë. Kontributi kryesor i saj në albanistikë është në fushën e fonologjisë, sidomos në diskutimet për strukturën e rrokjes shqipe. Ajo është ndër gjuhëtaret më autoritative botërore që është marrë edhe me shqipen dhe që ka kontribuuar shumë në përhapjen, kultivimin dhe studimin e shqipes në Poloni, por edhe për promovimin e albanologjisë në botë.
Sawicka ka lindur në vitin 1944, në Varshavë. Që nga viti 1968 deri më 1992 ka punuar në Institutin për Studime Sllave në Akademinë e Shkencave të Polonisë, kurse më 1992 është punësuar në Departamentin e Sllavistikës Krahasimtare në Universitetin “Nikolas Kopernik” në Torun, ku për shumë vjet ka drejtuar Institutin për Studime të Sllavistikës dhe të Studimeve Ballkanike. Në kuadër të këtij universiteti, ka mbajtur edhe kurset e shqipes, duke i kualifikuar në albanistikë edhe disa nga ballkanistët më të shquar polakë të ditëve të sotme. Është specialiste e fonetikës dhe e fonologjisë së gjuhëve sllave dhe atyre të Ballkanit, përfshirë edhe shqipen, si dhe e tipologjisë dhe e gjuhësisë gjeografike me vështrim të posaçëm gjuhët sllave të jugut dhe shqipen.
Me shqipen ka filluar të merret që në vitet shtatëdhjetë, kur ka vizituar për herë të parë Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ndër studimet e saj më të rëndësishme për shqipen janë ai për strukturën e rrokjes në gjuhën shqipe dhe ai për strukturën e rrokjes tek arbëreshët e Italisë. Këto janë përfshirë në monografinë “Struktura e rrokjes shqipe”, si bashkautore me ish-studenten e saj Karolina Dargiel. Ka botuar edhe “Paradigmaty Fleksiji Albanskej” (Paradigma e fleksionit të shqipes) dhe “Albanystika Polska” (Albanologjia polake).