Vite më parë autoritetet iraniane e kishin vënë portretin e poetit kombëtar shqiptar Naim Frashëri në pullat postare të Iranit. Vepra poetike e shkruar në persisht “Tehajjulat”, si dhe një gramatikë perse i kishin siguruar poetit shqiptar nga Frashëri simpatinë e nderimin e shtetit që trashëgon civilizimin pers. Por edhe një dramaturg nga Kosova bëhet autori shqiptar i radhës që hyn në Iran: “Audienca e Vaclav Havelit”, dramë e Jeton Nezirajt, është botuar në farsi, siç quhet ndryshe persishtja. Derisa nga përkthyesi i atjeshëm drama është vlerësuar për frymën emancipuese, autori Neziraj është shprehur se përkthimi i dramës do të nxisë ndoshta më shumë kureshtje për Kosovën, teatrin, për artin që krijohet në vend e më gjerë në Ballkan. “Një dramë e përkthyer e një autori të huaj (sidomos kur ajo vihet në skenë) nuk është si një ‘guidë turistike’ (larg qoftë), që i tregon publikut ca fakte e të dhëna të thata ‘për një vend diku të largët’!”, ka thënë ai
Drama që pasqyron një copë realiteti të evropianëve të rinj, tashmë është në duart e lexuesve në Iran. Kështu, autori nga Kosova Jeton Neziraj bëhet i pari dramaturg shqiptar që bëhet i qasshëm për lexuesit në shtetin me 85 milionë banorë. Për njohës iranianë të dramaturgjisë, veprat e tij janë një prurje emancipuese në teatrin iranian. Drama “Audienca e Vaclav Havelit”, përkthyer nga Alireza Mahvelati në gjuhën farsi, është botuar nga “Payamcharsoo Publication” në Iran.
Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën vetë Neziraj nëpërmjet një shkrimi të afishuar në “Facebook”.
“Jam shumë i lumtur të shoh dramën time ‘Audience by Vaclav Havel’ të botuar në Iran”, ka thënë ai teksa ka shtuar, se në kohën kur po e jep lajmin është i ulur në një kafene të Prishtinës, pikërisht ku dy vjet më parë, pas bisedës me Myftarajn, u frymëzua për të shkruar dramën.
Mahvelati: “Neziraj, një frymë emancipuese në dramaturgji”
Prania e emrit të Nezirajt në artikuj të “The Guardian” e kishte nxitur përkthyesin iranian, Alireza Mahvelati, që të kërshërohej për dramaturgun nga Kosova, të cilit po i përktheheshin veprat në gjuhë të ndryshme. Në një prononcim për KOHËN, përkthyesi Alireza Mahvelati ka treguar se gjithçka kishte filluar gjatë një hulumtimi për teatrin post-modern.
Derisa ende nuk e kishte shtënë në dorë ndonjërën prej dramave, ai kishte kontaktuar personalisht Nezirajn përmes rrjeteve sociale.
“Mendoj se dramat e Jeton Nezirajt kanë ndikim dhe janë thelbësore për atmosferën teatrore në Iran. Ka kohë që teatri në Iran është pasiv në kuptimin e emancipimit politik. Teatri në Iran është bërë aq komercial dhe asgjë më shumë sesa paratë nuk ka rëndësi për regjisorët, kështu që shkrimtarët janë duke ndjekur këtë trend, realizimin e dramave që mund të shiten”, ka thënë përkthyesi iranian, i cili është drejtor i teatrit në “Parallel Theatre Group” në qytetin iranian të Mashhadit.
Si studiues i dramaturgjisë, Mahvelat tashmë, ashtu sikurse edhe “Audiencën...” nga anglishtja ka përkthyer edhe dramën “Burrneshat”, që është në fazë të përgatitjes për botim, si dhe tani i është përveshur dramës tjetër të Nezirajt, “Departamenti i ëndrrave”. Ai ka bërë me dije se tok me disa kolegë të tjerë ka thënë se po punojnë mbi gjendjen e teatrit iranian, përderisa ngulmon që është e nevojshme që teatri ta kërkojë të vërtetën.
“Unë i shoh emancipimin dhe të vërtetën në shkrimet e Jetonit, diçka që e shoh te Kafka, Becket, lonesco dhe te figura të tjera avangarde të teatrit”, ka thënë ai.
Teksa vë theksin te nevoja që teatri iranian të bjerë në kontakt edhe me teatro të tjera nga Ballkani, studiuesi iranian ka vlerësuar se disa çështje dramatike nga ky rajon kanë disa ngjashmëri me brezin e ri në Iran.
“Fjala vjen, brezi i ri në Iran është duke kaluar në një krizë identiteti, por duke rënë në kontakt me njerëzit nga Ballkani mund të hapet rruga për disa zgjidhje të ngjashme që mund të trajtojnë shumë trauma”, ka thënë Mahvelati, teksa ka shtuar se arti duhet të shërbejë për vetëdijesimin e njerëzve për atë që po ndodh rreth tyre.
Neziraj: “Një lloj pasqyre ku publiku sheh tjetrin dhe vetveten”
Për autorin Jeton Neziraj, një dramë e përkthyer e një autori të huaj nuk i tregon publikut vetëm ca fakte e të dhëna të thata për një vend diku të largët.
Sipas tij, drama apo shfaqja duhet, para së gjithash, t’i flasë publikut vendor, shoqërisë në gjuhën e së cilës është përkthyer apo inskenuar drama.
Ai thotë se kjo lloj përvoje e bën teatrin një vend të shenjtë, një vend ku publiku dramën e tjetrit që tregohet në skenë e përjeton si dramë të veten.
E eksperienca teatrore e këtij lloji për publikun, sipas Jeton Nezirajt, sa është një proces njohës, aq është edhe proces konfrontimi me vetveten.
“Njëlloj pasqyre magjike, ku publiku sheh tjetrin dhe vetveten njëkohësisht”, është shprehur Neziraj.
E kështu shpreson që të ndodhë edhe me dramën e tij: të arrihet që publiku të krijojë empati për personazhet e një vendi të largët, por që i duken se janë të njëjtë me ca njerëz realë të vendit ku ai jeton.
Por përtej kësaj, botimi i dramës në Iran është risi edhe për vetë Nezirajn.
Jo pa befasi e ka pritur kërkesën për përkthimin e veprës së tij në farsi pasi nuk dihet te ketë drama shqipe në këtë gjuhë.
Publiku iranian brenda dramës “Audienca e Vaclav Havelit” mund të gjejë një teatër ku shantazhet, injoranca e situatat absurde nuk kanë të ndalura. E se për cilin teatër bëhet fjalë nuk përmendet, ani pse teksti u shkrua në thurje përvojash personale të dramaturgut Jeton Neziraj e regjisorit Agon Myftari.
Drama u inskenua për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar në teatrin “Oda”, nën regji të Myftarit, dhe dyshja nëpërmjet saj solli një realitet ku një shtet ka ligje me bollëk por që s’respektohen. Në teatër udhëheqësi i teatrit tregon se janë duke inskenuar “Audiencën” e Havelit. Bëhet fjalë edhe për dramën që shkroi më 1978 intelektuali e disidenti Vaclav Havel, në te cilën zënë vend situata tragjikomike të pushtetit të atëhershëm komunist në atë që ishte Çekosllovakia. Pikërisht titullin e dramës dhe emrin e shkrimtarit çek – që më pas u bë ndër zërat kryesorë të lirisë në Çeki e president i vendit – e ka përdorur dramaturgu Neziraj. Në dramën e tij, rrjedha e shfaqjes nis të vëzhgohet nga një hetues pasi që aktori me inicialet N.V. e ka akuzuar menaxhmentin se nuk janë duke e angazhuar në shfaqje. Por zyrtari herë i shikon gjërat me thjerrëz e herë i mbyll sytë. E përmes gjithë situatës që krijohet në teatër, autori thumbon shtetin e shoqërinë.
Neziraj ka thënë për KOHËN se drama flet për censurën shtetërore e burokracinë, e cila në një mënyrë e ka krijuar një mekanizëm për të uzurpuar jo vetëm institucionet e kulturës, por edhe vetë artistët si krijues. Sipas tij, lexuesit përmes dramës “Audienca e Vaclav Havelit” do të kenë mundësi të njohin pak nga krijimtaria e tij teatrore, por edhe më shumë nga peizazhi shoqëror e politik i vendlindjes së tij. Si dhe ndoshta do të nxisë më shumë kureshtje për Kosovën, teatrin, për artin që krijohet në Kosovë e më gjerë në Ballkan, për shoqëritë e politikën e këtyre anëve.
“Përkthimi i sa më shumë pjesëve teatrore, i letërsisë në përgjithësi, është i domosdoshëm për secilin vend në botë. Dhe madje, me prioritet duhet të jetë përkthimi i letërsisë që vjen nga gjuhë e kultura më pak të njohura. Kjo gjë është esenciale për shoqëritë tona, të cilat duhet medoemos të shohin përtej vetvetes”, ka thënë ai.
Neziraj ka theksuar se kur në tetor të 2014-s, Teatri Shtetëror Turk në Stamboll inskenoi dramën e tij, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, regjisori i kishte thënë se shumë njerëz nga publiku besuan se drama është shkruar nga një autor turk, por i cili ka vendosur të përdorë një emër fiktiv.
“Isha i mrekulluar dhe krenar kur e dëgjova këtë gjë. Pak a shumë këso eksperience pata edhe me dramën ‘Departamenti i ëndrrave’, e cila u inskenua para rreth një viti nga City Garage Theater në Los Angeles”, ka thënë Neziraj, dramat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 15 gjuhë deri më tani.
Ai ka shtuar se kjo do të jetë ëndrra e tij, që publiku në Iran emrin e tij ta mendojë si emrin fiktiv të një autori të vërtetë iranian.
“Shpresoj që kjo dramë e imja të inskenohet atje! Dhe shpresoj që edhe drama të tjera të mia të përkthehen, botohen atje e të vihen në skenë në të ardhmen… S’e di pse, por dua të besoj që unë dhe publiku iranian do ta duam njëri-tjetrin dhe kjo do të jetë një miqësi e gjatë”, ka thënë ai duke uruar që këso lloj miqësish pastaj të krijohen edhe për autorë të tjerë nga Kosova dhe vice-versa, që autorë dramash nga Irani t’u prezantohen lexuesve e publikut shqiptar, në Kosovë e Shqipëri.
Jeton Neziraj ka shkruar më shumë se 20 drama që janë inskenuar në më shumë se 50 produksione në skenën e Kosovës, në Evropë dhe SHBA. Për punën e tij ai është nderuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Vitin e kaluar u bë fitues i Çmimit Evropian për Arritje Kulturore. Si dramaturg, ai ka punuar me teatro e kompani, përfshirë “Volksbühne” në Berlin, “La MaMa” në New York, “Piccolo Teatro” në Milano, “Volkstheater” në Vjenë, “City Garage Theater” në Los Angelos, e të tjera.